HomeAktualitetDebat

Kur do ta deklarojë PD në KQZ kontratën 6 milionë dollarëshe të Berishës? Celibashi bën të paditurin: Nuk kemi dijeni për një kontratë të tillë

Kur do ta deklarojë PD në KQZ kontratën 6 milionë dollarëshe të Berishës? Celibashi bën të paditurin: Nuk kemi dijeni për një kontratë të tillë

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka refuzuar të komentojë mbi kontratën e shumëpërfolur të lobimit të Partisë Demokratike në SHBA, që sipas raportimeve, ka pasur për qëllim heqjen e përcaktimit non grata ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Celibashi bëri të ditur se në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk është depozituar asnjë kontratë e tillë, ndërkohë që sipas të dhënave të publikuara në SHBA, marrëveshja e lobimit kap vlerën e rreth 6 milionë dollarëve.

Ligji shqiptar është i qartë për këtë çështje.

Sipas nenit 90 të Kodit Zgjedhor dhe akteve nënligjore të KQZ-së, partitë politike janë të detyruara të deklarojnë çdo shpenzim financiar të bërë në kuadër të fushatës zgjedhore, përfshirë pagesat për shërbime lobimi jashtë vendit.

Afati për dorëzimin e bilanceve financiare dhe raporteve të shpenzimeve përfundon 60 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve — afat që tashmë ka skaduar.

Megjithatë, në listën e deklarimeve të KQZ-së nuk figuron ende asnjë raport financiar nga Partia Demokratike e drejtuar nga Berisha, duke ngritur pikëpyetje serioze për transparencën e fondeve të përdorura dhe për burimin e parave të lobimit në SHBA.

Sipas praktikës ligjore, mosdeklarimi i këtyre fondeve mund të përbëjë shkelje të ligjit për financimin e partive politike, çka mund të sjellë sanksione administrative apo hetime nga organet kompetente nëse konstatohet përdorim i fondeve të padeklaruara.

Burime pranë KQZ-së i thanë gazetës TemA se nuk është dorëzuar asnjë dokument financiar që lidhet me kontrata ndërkombëtare lobimi, ndërsa zyrtarisht institucioni po pret afatin përfundimtar për dorëzimin e të gjitha raporteve financiare nga subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje.

Ndërkohë, kontrata e lobimit për Berishën është regjistruar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA sipas ligjit “Foreign Agents Registration Act” (FARA), gjë që e bën të detyrueshme për PD-në ta reflektojë atë në raportet zyrtare financiare në Shqipëri.

Por deri më sot, asnjë dokument i tillë nuk është bërë publik, as nga vetë Partia Demokratike dhe as nga KQZ-ja.

Nëse mosdeklarimi i këtyre fondeve konfirmohet, kjo do të përbënte shkeljen më të madhe financiare të një partie politike shqiptare në dekadën e fundit, me pasoja që mund të shkojnë deri në pezullimin e financimeve publike për PD-në dhe referimin e çështjes në organet e drejtësisë./nl/TemA