Mero Baze
Që të jemi të qartë qysh në fillim, gjyqi paraprak, pra ky që ka filluar ndaj zotit Veliaj, nuk është gjyq ndaj Erion Veliajt, por gjyq ndaj prokurorëve të çështjes një skaner ndaj ligjshmërisë së hetimeve të tyre. Në seancat paraprake shqyrtohen çështje të ligjshmërisë së hetimeve dhe prokurët nuk duhet të bëhen nervozë. Duhet të ruajnë qetësinë dhe të mos shajnë nëpër dhëmbë si në seancën e dhënies së masës së arrestit.
Debatet në distancë mes SPAK dhe mbrojtësve ligjorë të z. Erion Veliaj janë një akt i qartë presioni institucional nga SPAK ndaj gjykatës.
Deklarata, përveçse injoronte faktin që Veliaj ende nuk ka në dorë akuzën dhe materialet mbështetëse për të, ishte dhe një marrje përsipër nga SPAK e punës së dy prokurorëve që ndjekin çështjen Veliaj. Në fakt të njërit, se tjetri, Altin Dumani, është thjeshtë mbështetës për t’i dhënë zemër linçimeve personale të prokurorit Olsi Dado, i cili është në konflikt personal dhe profesional me punën e tij.
Pra e thënë më thjeshtë: Veliaj është ankuar pse nuk i dorëzohen aktet në qeli, ndërsa SPAK i përgjigjet që ia kemi dhënë avokatit dhe pastaj ankohen se ai po zvarrit gjyqin.
Ky, edhe si gjest në emër të logos së SPAK, përbën cenim të drejtpërdrejtë të parimit të së drejtës për një proces të rregullt dhe të paanshëm, pasi çështja është në shqyrtim gjyqësor.
Së pari, hetimi i kësaj çështjeje kryhet nga dy prokurorë konkretë që mbajnë përgjegjësi personale ligjore, njëri prej të cilëve ka pretendime nga avokatët e zotit Veliaj, që nuk është as prokuror dhe nuk ka asnjë të drejtë ligjore të ushtrojë funksione publike.
Logua e SPAK nuk mund të mbulojë defektet e dy prokurorëve nëse ka. Prokurorët janë organe individuale dhe të pavarura në punën e tyre, ndaj ky hetim nuk lidhet me asnjë politikë institucionale, por me vendimmarrjen dhe veprimet e dy personave të identifikuar me emër e mbiemër: Altin Dumani dhe Olsi Dado.
Së dyti, deklarata në emër të SPAK synon të ushtrojë ndikim mbi gjykatën dhe opinionin publik, duke paraqitur një narrativë të deformuar të realitetit procedural dhe duke kërkuar të legjitimojë veprimet e veta jashtë sallës së gjyqit. Prokurorët nuk kanë asnjë tagër ligjor të komentojnë publikisht sjelljen e palës tjetër në një çështje ku vetë veprimtaria, ligjshmëria dhe kufijtë e autoritetit të tyre janë objekt shqyrtimi gjyqësor.
E thënë më thjeshtë, as Dumani dhe as Dado nuk kanë të drejtë të bëjnë komente publike rreth sjelljeve të zotit Veliaj në këtë rast, pasi krijojnë një precedent të rrezikshëm që minon pavarësinë e gjykatës, cenon barazinë e palëve dhe përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj së drejtës për një proces të drejtë, pasi gjyqi paraprak është pikërisht për të shqyrtuar ligjshmërinë e veprimeve të tyre.
Pretendimi i tyre se kërkesa e vazhdueshme e zotit Veliaj po shtyn procesin gjyqësor është i rrallë dhe i padëgjuar më parë nga institucioni i një prokurorie.
Sali Berisha e shtyu, mos gaboj, për mbi 7 muaj seancën paraprake të shqyrtimit të dosjes, dhe SPAK nuk iu ndje zëri, madje ishte në dispozicion të shtyrjeve të tij derisa ia plotësoi gjithë kërkesat. Dhe mirë bëri. Nuk e di pse janë alarmuar qysh muajin e parë në këtë rast, pasi në sallë kanë çuar rreth 14 biznesmenë dhe gjithë fisin Veliaj-Xoxe, që do të thotë se procesi natyrisht që do të zgjasë.
Shtyrjet e proceseve bëhen me vendim gjyqësor dhe arsyetim të plotë me bazë ligjore, dhe nuk është punë e SPAK por punë e GJKKO. Por me sa duket, SPAK çuditet pse GJKKO nuk ua plotëson brenda ditës dëshirat.
Së treti, SPAK pranoi publikisht se janë kryer veprime hetimore pas datës së mbylljes formale të hetimeve, çka ngre dyshime serioze se dosja e depozituar në gjykatë mund të mos përputhet me materialet shtesë. Veliaj nuk është lejuar të njihet as me dosjen e prokurorisë dhe as me dosjen mbi të cilën zhvillohet realisht gjykimi.
Kalimi me shpejtësi i kësaj faze kërkon të shmangë çdo shqyrtim substancial të shkeljeve dhe të evitojë një vendimmarrje mbi ligjshmërinë e veprimeve të tyre, sepse pikërisht aty qëndron thelbi i këtij procesi.
Ndaj SPAK duhet të ruajë qetësinë. Tanimë ka disa raporte ndërkombëtare që e kanë evidentuar procesin ndaj Veliajt si linçim dhe nën standardet e BE, siç thoshte dje dhe gazeta më e afërt me Komisionin Evropian në Bruksel.
Për të pasur një gjykim përfundimtar për këtë fazë natyrisht duhet të presim gjykimin e Strasburgut. Por angazhimi i logos së SPAK për një vendimmarrje individuale prokurorësh është abuzim me emrin e institucionit dhe natyrisht pasiguri për gjërat që kanë bërë individualisht si prokurorë.
Deklarata e djeshme e SPAK ishte dhunë publike ndaj GJKKO dhe ndaj të akuzuarit Veliaj, që ata të mos flasin për atë që kanë bërë prokurorët. Kjo është përpjekje e dëshpëruar. Jemi ende në Republikën e Shqipërisë, që ka ende Kushtetutë dhe garanci ndërkombëtare për standardet e gjykimit të një qytetari të saj. Merreni me qetë. Shumicën e dufit e keni nxjerrë.

