Kosovës do t’i hiqen të gjitha sanksionet e vendosura nga BE duke nisur nga muaji janar. Lajmi është bërë me dije nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila mori pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.
“Kemi lajme të shkëlqyeshme për Kosovën. Në fund të samitit dhe pas diskutimeve u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe hiqen sot dhe një pjesë në fund të janarit”,- njoftoi Osmani.
Në videon e shpërndarë nga Osmani në Facebook shfaqet edhe kryeministri Edi Rama, i cili vlerëson përpjekjet titanike të presidentes për heqjen e sanksioneve të vëna ndaj Kosovës nga Unioni në verën e vitit 2023.
“Kjo grua ka qenë e jashtëzakonshme sot, i ka zhbllokuar të gjitha fondet. Lërini ca thotë, kemi lajme, ka kjo lajme dhe është merita e saj. Ti e di që unë nuk të dua, por të vërtetën duhet ta themi”,- tha Rama.
BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023 – pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Kaja Kallas tha asokohe se mbyllja e institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës nga autoritetet kosovare “po minon” përpjekjet drejt shtensionimit të situatës.
Sa është dëmtuar Kosova nga masat?
Sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara – GAP, masat e BE-së i kanë kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar. Për shkak të kalimit të afateve, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht.
Sektorët më të prekur përfshijnë mjedisin, me 350 milionë euro, energjinë me 114 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro, dhe kulturën me 15 milionë euro.
Prej këtyre fondeve, rreth 218 milionë euro kanë qenë për projekte në kuadër të Instrumentit para-anëtarësimit (IPA II dhe IPA III), dhe rreth 395 milionë euro për projekte në kuadër të Kornizës për Investime të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor (ËBIF).

