Në deklaratat për mediat pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Mar-a-Lago, presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë kanë bërë përparim të madh. Ai tha se palët janë “shumë pranë një zgjidhjeje”, ndonëse mbeten ende “një ose dy çështje shumë të ndërlikuara”. Sipas Trump, statusi i Donbasit është një nga temat më komplekse, por ai beson se është “më afër zgjidhjes” se më parë, duke theksuar se Moska dhe Kievi janë afruar në qëndrimet e tyre.
Trump deklaroi gjithashtu se as Vladimir Putin dhe as Volodymyr Zelensky nuk e duan luftën dhe se është koha që konflikti të marrë fund. Ai u shpreh optimist edhe për mundësinë e një armëpushimi, duke shtuar se “të gjithë duan t’i japin fund luftës”. Presidenti amerikan vlerësoi rezistencën e ukrainasve, duke thënë se ata “luftojnë me zemër”, dhe nënvizoi se në bisedime janë përfshirë edhe liderët kryesorë europianë.
Nga ana e tij, Zelensky, konfirmoi se bisedimet me Trump kanë sjellë “rezultate të mëdha” dhe se Ukraina është e gatshme për paqe. Lideri ukrainas shtoi se ka patur dakordësi për 90% të draftit të marrëveshjes. Më tej njoftoi se në janar pritet një takim në Uashington me pjesëmarrjen e Trumpit, liderëve europianë dhe delegacionit ukrainas, për të finalizuar çështjet e mbetura. Zelensky tha gjithashtu se procesi do të vijojë përmes grupeve të punës dhe se, në rast të një plani kompleks paqeje, mund të shqyrtohet edhe mundësia e një referendumi.
LEXO EDHE:
Armëpushim mes Ukrainës dhe Rusisë, nisin punimet riparuese në centralin bërthamor të Zaporizhzhia-s
Gjatë takimit mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelenskyt në Mar-a-Lago është zhvilluar një videokonferencë me liderët europianë për t’i informuar mbi ecurinë e bisedimeve. Në këtë videokonferencë mori pjesë edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.
Lajmi u konfirmua nga ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili deklaroi se Europa mbështet plotësisht iniciativën e Shteteve të Bashkuara.
“Gjithçka është në zhvillim. Do të shohim nëse Putini do t’i pranojë propozimet. Çështja e sigurisë është themelore edhe për ne europianët. Europa duhet të jetë e bashkuar me SHBA-të për të mbyllur një sezon lufte”, u shpreh Tajani.
Para takimit, Trump pati një telefonatë me presidentin rus dhe u shpreh se ai është “shumë serioz për paqen”, duke shtuar se pas përfundimit të takimit me Zelenskyn do të zhvillojë një tjetër bisedë me liderin e Kremlinit.

