HomeAktualitet

Po na zë kolera, vlonjatët 4 ditë pa ujë! Mbërrijnë në Rinas nga Turqia pjesët për rregullimin e defektit

Po na zë kolera, vlonjatët 4 ditë pa ujë! Mbërrijnë në Rinas nga Turqia pjesët për rregullimin e defektit

Pas katër ditësh pa ujë, qytetarët e Vlorës u dyndën në dyert e Bashkisë për të protestuar. Me thirrjet “Po na zë kolera”, ata u përplasën ashpër me forcat e Policisë, të cilët kishin rrethuar Bashkinë e Vlorës, me qëllim që qytetarët të mos futeshin në ambientet e brendshme.

Në sheshin përpara Bashkisë ishin mbledhur një numër i konsiderueshëm qytetarësh, të cilët hodhën edhe letra higjienike në drejtim të efektivë të policisë. Report Tv solli edhe pamjet kur vlonjatët gjuajtën me vezë në drejtim të institucionit të pushtetit vendor.

Ashtu siç kryeministri Edi Rama e paralajmëroi në rrjetet sociale, në Rinas kanë mbërritur pajisjet hidraulike të nevojshme për të rikuperuar dëmin në tubacionin e ujësjellësit.

Shkak për defektin, kryeministri bëri instalimet e vitit 2009-2010, duke thënë se pajisjet e përdorura në atë kohë janë jashtë standardeve. Rama thotë se “plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën”.

“Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e defektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standardeve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer…”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Ramës.

Krybeashkiakja Brunilda Mersini refuzoi që të takohet me banorët, të cilët nga protesta e telefonuan dhe i kërkuan takim. E para e qytetit të Vlorës u ka mbyllur telefonin duke u thënë që ndodhet në zonën ku është dhe defekti. Nga aty, në një prononcim të parë për mediat garantoi se problemi tashmë është drejt zgjidhjes.

Për protestën, Mersini tha se ajo organizohet nga anëtarët demokratë të Këshillit Bashkiak dhe se sot nuk është momenti për të bërë opozitë me një fatkeqësi.

“Zgjidhja është duke ardhur nga Turqia: në orën 02:30 zbret avioni me tre pjesë rezervë, të cilat në orën 17:00 mbërrijnë në Vlorë. Ndërkohë, zgjidhja e përkohshme duket se po funksionon pjesërisht. Jemi duke i dhënë ujë qytetit pjesërisht nëpërmjet ujësjellësit dhe, ndërkohë, 15 autobotë dhe emergjencat civile janë në terren duke shpërndarë ujë me koli.”, tha Brunilda Mersini.

Qyteti bregdetar i Vlorës mbeti pa ujë të pijshëm pas një defekt të shkaktuar në linjën kryesore të transmetimit. Defekti ka ndodhur në tubin kryesor që furnizon depot e qytetit, me diametër 1000 milimetra, çka ka bërë që Vlora të mbetet pa ujë.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve Faluers Shoshi, tha se çarja e tubacionit erdhi si pasojë e rrëshqitjes së dheut. Ai theksoi se tubi me diametër 1000 milimetra duhej të ishte gize ose çeliku dhe jo plastik.

“Një shkarje e dheut dhe depërtimi i ujit kanë shkaktuar defektin. Tubi aktual është plastik dhe aktualisht nuk përdoret më. Tani, për këtë diametër përdoren tuba gize dhe çeliku. Gjithsesi, kjo është ndërhyrja e tretë riparuese që bëhet. Këtë herë jemi më të kujdesshëm dhe nuk po e hapim deri në fund linjën, për shkak se pamë që presioni i lartë mund ta dëmtojë”, tha ai.

Report Tv u interesua edhe pranë Prokurorisë së Vlorës nëse ka nisur hetimet kryesisht për rastin, por deri në publikimin e këtij artikulli mësohet se organi i akuzës deklaroi se nuk iu është referuar asnjë material.

Protestat kanë nisur që prej mbrëmjes së djeshme në dyert e teatrit “Petro Marku” ku bashkia kishte organizuar mbrëmje gala me rastin e festave të fundvitit. Qytetarët arritën të futeshin brenda duke ndaluar zhvillimin e koncertit të planifikuar e më pas tentuan bllokimin e bulevardit “Ismail Qemali”.

Ekipi i Ujësjellës Kanalizimeve ka bërë 3 prova për të rregulluar avarinë, por kanë rezultuar të pasuksesshme. Pritet që të mbërrijnë pjesët nga Turqia për të rregulluar defektin dhe për të rikthyer furnizimin me ujë në të gjithë qytetin bregdetar.