Prej dy ditësh po zhvillohet një polemikë në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe një gazetari të njohur, lidhur me akuzat që ky i fundit u ka drejtuar shtatë ministrave, duke pretenduar se disponon prova se ata kishin shkuar jashtë vendit për vizita private, pasi u kishin shpërndarë televizioneve video të regjistruara, duke lënë të kuptohej se ndodheshin në terren, në zonat e përmbytjeve. Rama e ka akuzuar gazetarin se gënjen, ndërsa ky i fundit ka këmbëngulur në versionin e tij dhe, edhe pse pa paraqitur provat për të cilat flet, e ka ftuar Ramën ta diskutojnë çështjen në studio.
Kjo polemikë dyditore mes Ramës dhe gazetarit imponon një krahasim me polemikën tridhjetëvjeçare mes Sali Berishës dhe Carlo Bollinos, sepse mënyra e ndryshme e polemizimit që dy liderët politikë aplikojnë ndaj dy gazetarëve, zbulon nivelin e ndryshëm të qytetërimit dhe të demokracisë që ata përfaqësojnë.
Në asnjërën prej dy përgjigjeve të publikuara në faqen e tij në Facebook nga Edi Rama kundër atij gazetari, nuk lexohen akuza, fyerje, shpifje apo kërcënime të çfarëdo lloji. Rama do të kishte mundur edhe t’i injoronte ato akuza, por duke vendosur të përgjigjet, ashtu siç i ka ndodhur shpesh edhe me gazetarë të tjerë me të cilët ka polemizuar, e ka bërë edhe këtë herë duke përdorur armën e sarkazmës dhe të ironisë. Etiketimet e vetme groteske që gjenden në gjuhën e tij kanë të bëjnë, në rastin më të keq, me gjithë botën e informacionit dhe jo me gazetarin e veçantë: nga “kazani” i famshëm te “tenxherja” më e fundit. Megjithatë, edhe këto etiketimë kanë mjaftuar për të ngritur reagime të indinjuara nga sindikatat e gazetarëve, të cilat e kanë stigmatizuar me shume te drejte këtë gjuhë të përdorur ndaj informacionit, ndaj të cilit kryeministri nuk tregon respektin e duhur. Përdorimi i fjalës “kazan” ka përfunduar madje edhe në rreshtat e disa raporteve ndërkombëtare.
Edi Rama, megjithatë, nuk ka nxitur kurrë kundër gazetarit “objektiv” të polemikave të tij as partinë e vet, as grupin parlamentar, duke organizuar konferenca shtypi të posaçme; as mediat pranë tij, duke urdhëruar dhjetëra “hetime” të rreme shpifëse dhe debate televizive kundër atij gazetari; as nuk ka mobilizuar, siç ka bërë Berisha, një departament çakejsh dixhitalë të paguar për të organizuar fushata urrejtjeje në rrjetet sociale (shitstorms); dhe as nuk i ka urdhëruar zyrat ligjore të Partisë Socialiste të depozitojnë pesë kallëzime penale të rreme kundër një gazetari të vetëm, madje duke kërkuar edhe arrestimin e tij.
Të gjitha këto gjëra, përkundrazi, i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë Sali Berisha, i cili e ka nisur këtë praktikë 30 vjet më parë, kur si President i Republikës në detyrë nuk hezitoi të dëbonte si person non grata gazetarin Carlo Bollino, me të cilin “polemizonte”. Tridhjetë vjet më parë, Sali Berisha arrestoi gazetarët e Koha Jonë, i vuri flakën redaksisë së tyre, torturoi një koleg që flinte në ato zyra duke e lënë të gjymtuar për gjithë jetën, rrahu të tjerë në shesh, urdhëroi që të qëllohej kundër tyre nga Garda, i spiunoi, i torturoi, i shpifi dhe i terrorizoi.
Mendohet se ishin kohë të tjera, por egërsia e Berishës ndaj shtypit të lirë ka ndryshuar vetëm mjetet, jo intensitetin dhe urrejtjen që ai ushqen. Sot, që nuk ka pushtetin për t’i arrestuar, ai linçon mediatikisht këdo që guxon ta kritikojë. Ndaj Carlo Bollinos, megjithatë, ai aplikon një “metodë speciale”, një përndjekje unike dhe kriminale që, përveç përdorimit sistematik të shpifjes, fyerjes dhe kallëzimeve të rreme, prej kohësh bazohet edhe në nxitjen e urrejtjes për shkak të origjinës së tij italiane. Ka urdhëruar që kjo të bëhet madje edhe ditën e Krishtlindjes.
Fatmirësia është se sot Sali Berisha nuk ka në dorë tjetër pushtet veçse shpifjen, sepse nëse qoftë edhe për një ditë të vetme do të kthehej në qeveri, atëherë të gjithë analistët dhe shoqatat që sot simpatizojnë me Berishën dhe solidarizohen me “viktimat” e sarkazmës së Edi Ramës (ndoshta e shëmtuar, por e padëmshme), ndërsa heshtin në mënyrë të turpshme, edhe pse s’marrin pjesë, në linçimin sistematik me bazë shpifjet që ushtrohet kundër Carlo Bollinos, do ta kuptonin një ditë se çfarë do të thotë për një gazetar të ketë përballë një kryeministër vërtet iliberal.
Nëse sot tremben nga pena kaustike e ironisë, do të zbulonin sa shumë dëm mund të bëjë shpata e tërbimit (dhe racizmit) të një shpellari. Pikërisht sepse shumë shqiptarë e dinë këtë, për sa kohë do të mbetet peng i Sali Berishës, pavarësisht nga fajet e qeverisë, Partia Demokratike është e dënuar të qëndrojë në opozitë.(Shqiptarja.com)

