HomeBlog

Cilësia më e keqe e drejtësisë, është kur askush nuk të dëgjon

Cilësia më e keqe e drejtësisë, është kur askush nuk të dëgjon

Mero Baze

Në debatin mbi cilësinë e drejtësisë, që ka prodhuar Reforma në Drejtësi, i cili ishte sot edhe shqetësim i Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe ambasadorit të BE-së në Tiranë, duket sikur të gjithë flasin për përgjegjësitë e të tjerëve, duke anashkaluar të vetat.
Fjala vjen, Kryetari i Gjykatës së Lartë u kërkon gjykatave më të ulëta të jenë seriozë në argumentimin e vendimeve për një drejtësi cilësore, Ministria e Drejtësisë u kërkon të mos jenë të fiksuar te paraburgimi, SPAK flet me shifra dhe përqindje për të mos folur për probleme, e kështu me radhë.

Në të vërtetë do të ishte më korrekte që secili të fliste se si e ka demonstruar cilësinë e drejtësisë aty ku është.

Le të marrim rastin kur gjykatat e shkallëve të ulëta, ajo e shkallës së parë apo e apelit, kanë detyrim të zbatojnë vendimet unifikuese të Strasburgut apo Gjykatës së Lartë.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka dënuar shtetin shqiptar në rastin e Kastriot Ismailajt, pasi i njëjti gjyqtar ka qenë edhe gjyqtar paraprak i çështjes dhe ishte edhe gjyqtar i çështjes në themel.
Pas kësaj pritej që GJKKO apo gjykatat e tjera, kur ndeshen me ankime të tilla, duhet të reflektojnë vendimin e Strasburgut.

Avokatët tanë ndeshen gjerësisht me këtë fenomen në dhjetëra gjyqe dhe kur u kujton vendimin e Strasburgut, as duan t’ia dinë.
Në një rast tjetër, te çështja “Metamorfoza”, gjykatësi kundërshtoi vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë për procedurën e shtyrjes së afateve të hetimit. Vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë thotë se afatet hyjnë në fuqi kur zbardhet vendimi i gjyqit. Gjyqtari Dhimitër Laro deklaroi në sallën e gjyqit se ai nuk e njeh vendimin unifikues, pasi ka gjykimin e tij të pavarur, dhe vendosi që afati fillonte kur ishte marrë vendimi në sallën e gjyqit.
Nuk ka shumë rëndësi se sa dramatike mund të jetë kjo për ata që gjykohen, por praktika e mosrespektimit të ligjit nga vetë gjyqtarët dhe aq më tepër e vendimeve unifikuese tregon se çfarë cilësie gjykimi kemi.

Po ashtu ka raste ekstreme në aktet e prokurorisë. Ka pasur raste kur një prokuror i shkallës së parë ka humbur çështjen që ka hetuar në apel dhe i është drejtuar vetë Gjykatës së Lartë për apel, për një çështje që nuk është më kompetencë e tij. Dhe Gjykata e Lartë e ka pranuar ankimin.

Vetë Gjykata e Lartë, e cila vlen për të krijuar praktika unifikuese dhe standarde cilësore të gjykimit, nuk është ndonjë shembull aq pozitiv në këtë rast. Vetë ajo ka dhënë vendime të ndryshme për të njëjtën çështje.
Rasti më flagrant është ai i kompetencës që ka prokurori për regjistrimin e emrit të personit që i atribuohet vepra penale.
Vendimi Unifikues nr. 3, datë 27.09.2002 i Gjykatës së Lartë, i cili konfirmohet edhe nga vendimi tjetër unifikues i saj me nr. 2, datë 20.06.2013 dhe nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese me nr. 7, datë 16.01.2012, nuk e lë në diskrecionin e prokurorit regjistrimin e emrit të cilit i atribuohet vepra (të kallëzuarit) në regjistrin e veprës penale ku fillon afati i hetimit, por ia përcakton objektivisht kur ky emër del i qartë nga kallëzimi. Sigurisht, prokurorët nuk e zbatojnë këtë, pasi i japin kohë vetes për të zgjatur hetimet artificialisht dhe abuzivisht (vetë Prokurori i Përgjithshëm në seancën raportuese në Komisionin e Ligjeve e ka pranuar këtë abuzim masiv me afatet nga prokuroria).

Me fjalë të tjera, afati i hetimit sipas vendimit unifikues fillon nga momenti që kallëzuesi bën kallëzim me emër, pra nga momenti që, fjala vjen, “Nesti Angoni” ka bërë kallëzim se ai ka thënë qartë se Erion Veliaj duhet hetuar.
Ndërkohë, pa u ndryshuar kjo praktikë unifikimi, që ka fuqi detyruese normative për të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë edhe vetë gjykatën që e ka normuar, Gjykata e Lartë e shkelmon me vendime individuale kolegjesh dhe nuk zbaton vetë unifikimin e praktikës së saj, siç është rasti i vendimit për Erion Veliaj.

Kolegji, në kundërshtim me vetë vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë, vlerësoi në rastin Veliaj se “regjistrimi i emrit në regjistrin e veprave penale është diskrecion i prokurorit dhe ky i fundit nuk mund të imponohet për regjistrimin e emrit vetëm në kuadër të materialit referues dhe provave shoqëruese, nëse prej tij vlerësohet se ka nevojë për veprime hetimore shtesë me qëllim saktësimin, konfirmimin e personit të kallëzuar si autor të veprës penale. Dhe Kolegji përdor si referencë vendime (shih vendimin nr. 00-2023- 1049 (124), datë 20.04.2023 dhe vendimin nr. 00-2025-1467, datë 22.04.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë) që nuk janë unifikuese. Pra, ka më shumë se një vendim që është në kundërshtim me vendimin unifikues”.
Dhe kjo praktikë krijon pasiguri juridike

Por ndërsa kritikojmë drejtësinë, e cila është një pushtet i pavarur, akoma më e pashpjegueshme është puna e Ministrisë së Drejtësisë, e cila është edhe më jotransparente se vetë pushteti gjyqësor.

Janë së paku dy politikanë të lartë, Ilir Beqaj dhe Erion Veliaj, që i kërkojnë GJKKO-së të kenë mundësinë të lexojnë dosjen e tyre të SPAK-ut në qeli, duke iu mundësuar një kompjuter offline. Ligji nuk e pengon. Altin Dumani, në cilësinë e kryetarit të SPAK-ut, tha në Kuvend se kjo gjë nuk ndalohet. Kështu ia hodhi topin Ministrisë së Drejtësisë, nga e cila varet Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Ky debat ka së paku gjashtë muaj që bëhet. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk jep asnjë shpjegim konkret se si duhet të zgjidhet kjo çështje.

Derisa ishte Ulsi Manja, dukej edhe si një luftë personale e tij ndaj Veliajt për shkak të grupimeve brenda PS-së, dhe Drejtoria e Burgjeve kthente sytë nga ai si e pafuqishme. Por edhe tani që Manja është larguar, ministri i ri nuk ka asnjë iniciativë ligjore ose praktikë administrative që të saktësojë se të burgosurve u lejohet përdorimi i këtij mjeti leximi të akuzës në burg.
Nëse ndalohet, ta rregullojë me ligj të lejohet. Ose me urdhër të brendshëm. Në rast të kundërt, Avokati i Popullit të iniciojë një praktikë ankimore dhe të sugjerojë ndryshimin e ligjit.

Kjo rënie në vesh të shurdhër e kërkesave legjitime të dy të akuzuarve që duan të lexojnë akuzën që kanë dhe të gjithë u thonë çfarë u do qejfi, por asnjëri nuk u zgjidh problemin, është drejtësia më e keqe në botë. Më e mirë se kjo drejtësi është që dikush të dalë e t’u thotë: “Nuk ua japim dosjen se e ndalon ligji” ose “nuk kemi dëshirë”. Por kjo që askush nuk u jep zgjidhje se si duhet ta lexojnë ata dosjen është direkt përgjegjësi e qeverisjes, e asaj qeverie që kërkon të përmirësojë cilësinë e drejtësisë.

Vetë strukturat politike të qeverisë që merren me drejtësinë janë tërësisht të paafta për të bërë detyrat e tyre, duke e kthyer Drejtorinë e Burgjeve në një institucion arbitrar, ku vendosin lekët për çdo shërbim ndaj të burgosurve dhe jo ligji.

Për këtë arsye, debatet për një drejtësi cilësore duhet t’i shkundin të gjithë dhe jo të kthehen në një debat ku të gjithë drejtojnë gishtin nga të tjerët. Të gjithë duhet ta kthejnë nga vetja, pushteti politik dhe ai i drejtësisë. Ata vërtet janë të pavarur nga njëri-tjetri, por për të dhënë drejtësi, jo për të bërë padrejtësi.