Në Bruksel do të zhvillohet sot Konferenca IX Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Evropian ku Shqipëria do të mbyllë 3 kapitujt e parë në kuadër të procesit të integrimit.
Delegacioni shqiptar i kryesuar nga kryeministri Edi Rama do të ulet sot në konferencën e nëntë ndërqeveritare me Brukselin për të mbyllur kapitujt 25, 26 dhe 30, konkretisht për shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe Kulturën si dhe Marrëdhëniet me Jashtë, fusha në të cilat Shqipëria konsiderohet plotësisht e njësuar me standardet e Bashkimit Europian.
Referuar axhendës, konferenca e 9-të ndërqeveritare nis në orën 19.00 dhe më pas formalizohet mbyllja e kapitujve. Në orën 20:00, mbahet konferenca për shtyp lidhur me ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së.
Mbyllja e 3 kapitujve vjen pasi Shqipëria kaloi një prej fazave më të rëndësishme, atë të piketave të ndërmjetme, të ashtuquajturin IBAR, mes shumë diskutimesh dhe polemikash për përmbushjen e diskutimeve.
Me mbylljen e 3 kapitujve të parë, Shqipëria do të duhet të përmbushë kushtet e mbylljes edhe për 30 kapitujt e mbetur, në mënyrë që të arrijë objektivin e dakordësuar me BE-në për përfundimin e procesit teknik brenda vitit 2027-të.
Më pas vendimi do të jetë plotësisht politik dhe rruga e Shqipërisë drejt BE-së, do të duhet të kalojë nga parlamentet e 27 vendeve anëtare të Unionit.

