Gjithë mençuria është plagjiaturë, vetëm budallallëku është origjinal.”
Hugh Kerr
Ka vende ku një profesor humbet vendin e punës për një paragraf të kopjuar. Ka universitete ku një doktoraturë e provuar si plagjiaturë revokohet menjëherë dhe emri i autorit mbetet përgjithmonë njollë në historinë akademike. Kështu funksionon bota normale, sepse plagjiatura nuk konsiderohet një gabim teknik, por mashtrim. Mashtrim ndaj shkencës, ndaj studentëve dhe ndaj gjithë shoqërisë që i beson universitetit.
Në Shqipëri ndodh e kundërta.
Kur plagjiatura prek ata që drejtojnë universitetet, nuk bien plagjiatorët. Ndryshojnë rregullat.
Prej disa vitesh tashmё, studiuesi Taulant Muka ka tronditur opinionin publik me publikimin e dhjetëra rasteve të plagjiaturës në universitetet shqiptare. Nuk bëhej fjalë për një fjali të harruar pa thonjëza apo një citim të mangët. Bëhej fjalë për faqe të tëra të përkthyera fjalë për fjalë nga autorë të huaj dhe të paraqitura si punë origjinale.
Ndër emrat më të bujshëm ishte edhe vetë Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, për të cilin u publikuan pjesë të tëra të përkthyera nga një studim në gjuhën rumune pa asnjë referencë. Më pas erdhi edhe rasti i Dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha, për të cilёn u publikuan fragmente të përkthyera nga doktoratura italiane. Po ashtu u denoncuan edhe emra të tjerë të sistemit universitar, duke ngritur dyshime serioze se plagjiatura nuk ishte më përjashtim, por ishte kthyer në metodë për ndërtimin e karrierave akademike.
Në çdo universitet serioz evropian, këto akuza do të kishin sjellë hetime të menjëhershme, pezullime nga detyra dhe procedura për revokimin e titujve shkencorë.
Në Universitetin e Tiranës ndodhi diçka krejt tjetër. Kaloi stuhia mediatike, kaloi edhe indinjimi publik dhe, pa shumë zhurmë, madje në heshtje të plotë, Senati Akademik i Universitetit të Tiranës miratoi një rregullore të re për plagjiaturën, e firmosur nga vetë rektori Artan Hoxha, në cilësinë e Kryetarit të Senatit Akademik.
Senati Akademik me Vendimin nr. 5, datë 23 shkurt 2026, ka miratuar Rregulloren “Për parandalimin e plagjiaturës dhe respektimin e etikës në kërkimin shkencor në Universitetin e Tiranës“.
Titulli të krijon përshtypjen se Universiteti i Tiranës më në fund vendosi t’i shpallte luftë plagjiaturës. Por mjafton që thjesht ta lexosh këtë rregullore, për të kuptuar se objektivi i saj nuk është ndëshkimi i plagjiaturës, por kontrolli i konstatimit të saj. Kush ka të drejtë ta denoncojë, kush vendos në fund dhe, mbi të gjitha, si mund të shmanget pasoja më e rëndë: heqja e gradës shkencore.
32 nenet e rregullores të ftojnë pa dëshirë në leximin e saj. Sa më shumë thellohesh t’i kuptosh, aq më shumë krijon bindjen se rregullorja “anti plagjiaturë” nuk është ndërtuar për të mbrojtur integritetin akademik, por për të mbrojtur integritetin e titujve të atyre që sot drejtojnë universitetin.
Nen pas neni ndërtohet një mekanizëm që nuk e bën më të lehtë zbulimin dhe ndëshkimin e plagjiaturës, por e bën atë më të vështirë, më të kontrolluar dhe, në fund, të varur nga vendimmarrja e po atyre strukturave që sot drejtohen nga njerëzit mbi të cilët rëndojnë akuzat publike për plagjiaturë.
Plagjiatura mbrohet me tre fjalë: “Shënimi etik shpjegues”
Rregullorja nis me “sinqeritet”, duke e përkufizuar plagjiaturën në mënyrë përgjithësisht të saktë, përfshirë kopjimin e tekstit, ideve, të dhënave, rezultateve, përkthimin e një materiali nga një gjuhë tjetër dhe paraqitjen e tij si punë origjinale pa cituar burimin. Por vetëm pak rreshta më poshtë, në nenin 4 ajo nxjerr “kokën”, duke krijuar hibridet e saj novatore, të quajtura “deklaratë korrigjuese” dhe “shënim etik shpjegues”. Ky i fundit përkufizohet si: “një deklaratë institucionale e arsyetuar, e publikuar në arkivën institucionale të Universitetit të Tiranës dhe e bashkëlidhur me punimin akademik ose shkencor përkatës, e cila, në bazë të një vendimi institucional, informon për ekzistencën dhe natyrën e një shkeljeje të konstatuar të etikës akademike ose të integritetit shkencor dhe, sipas rastit, nënvizon se publikimi është korrigjuar ose rishikuar pas konstatimit të shkeljes etike ose se ai nuk mund të përdoret apo të referohet për qëllime akademike për shkak të konstatimit të një shkeljeje të rëndë ose shumë të rëndë.”
Në vend që një punim i provuar si plagjiaturë të humbasë automatikisht vlerën mbi të cilën është fituar grada shkencore, me këtë “risi” të rregullores të krijohet mundësia që mbi të, të vendoset një shënim, të bëhet një korrigjim dhe të vazhdohet më tej. Pra, një mashtrim akademik që ka prodhuar titull, karrierë, pagë, post drejtues dhe autoritet universitar, thjesht mund të përfundojë në arkiv me një sqarim shoqërues.
Më e rënda është se, “Shënimi etik shpjegues” nuk njihet aspak nga ligji i miratuar në Parlament, që mban nr. 80/2015. Togfjalëshi magjik është prodhim i kësaj rregulloreje që shfaqet pikërisht aty ku trajtohet fati i doktoraturave të provuara si plagjiaturë. Në këtë mënyrë, “shënimi” nuk mbetet thjesht një sqarim teknik, por kthehet në instrumentin me të cilin plagjiatura pranohet formalisht, ndërsa titulli akademik të mbetet i paprekur.
Burimi ku pijnë plagjiatorët
Neni 5 i rregullores, rendit rastet që nuk përbëjnë plagjiaturë dhe, në pamje të parë, disa prej tyre janë të kuptueshme, si përdorimi i dokumenteve zyrtare, teksteve normative, vendimeve gjyqësore, standardeve teknike apo fakteve botërisht të njohura. Megjithatë, formulimi zgjerohet deri te “burimet parësore që, për nga natyra e tyre, përdoren dhe interpretohen nga një numër i madh autorësh”.
Sa autorë mund të “pijnë nga i njëjti burim?
Përdorimi i gjerë i një burimi nuk e zhduk detyrimin për citim dhe nuk e transferon autorësinë te personi që e rimerr. Fakti se një material përdoret nga shumë studiues nuk do të thotë se mund të merret, përkthehet apo riprodhohet pa treguar origjinën. Përndryshe, një përjashtim i formuluar gjerësisht krijon hapësirë që materiale të kopjuara të justifikohen si burime të zakonshme të disiplinës.
“Raporti antiplagjiaturë”, prova që nuk është “provё”
Bllokada procedurale nis me nenin 10 tё Rregullores, ku përcaktohet se:
“Raportet antiplagjiaturë përdoren si dokumentacion verifikues vetëm në rast se paraqitet kërkesë nga një subjekt i legjitimuar sipas kësaj rregulloreje që pretendon konstatimin e plagjiaturës në kërkimin shkencor brenda UT.”
Vetë raporti nuk aktivizon asgjë. As një përqindje e lartë ngjashmërie, as krahasimi i plotë me burimin origjinal dhe as dokumentimi publik i faqeve të kopjuara nuk mjaftojnë, nëse denoncimi nuk vjen nga një subjekt që rregullorja e njeh si të legjitimuar.
Po në këtë nen, raporti antiplagjiaturë cilësohet “mjet ndihmës për shqyrtimin akademik, etik dhe disiplinor”, ndërsa vendimi nuk mund të merret vetëm mbi bazën e tij. Parimi që softueri nuk zëvendëson analizën njerëzore është i drejtë, sepse një përqindje ngjashmërie nuk provon automatikisht plagjiaturën. Por në këtë rregullore ai kombinohet me kufizimin e personave që mund të denoncojnë, me kontrollin e brendshëm të procedurës dhe me vendimmarrjen përfundimtare të rektorit. Raporti që mund të zbulojë kopjimin pranohet si provë vetëm brenda procedurës së kontrolluar nga vetë universiteti dhe nuk mund të përdoret “për qëllime jashtë procesit akademik ose disiplinor”.
Pra, dokumenti që duhet të ndriçojë një mashtrim akademik mbyllet brenda mureve të institucionit dhe humbet forcën e tij jashtë procedurës që administron vetë institucioni.
Plagjiaturë me përqindje
Neni 11 i Rregullores “anti plagjiaturë”, i klasifikon shkeljet sipas përqindjes së ngjashmërisë: nga 0–15% nuk ka shkelje; mbi 15% deri në 30% kemi shkelje të lehtë etike, e cila “nuk përbën plagjiaturë”; mbi 30% deri në 50% kemi plagjiaturë; ndërsa mbi 50% plagjiaturë të rëndë ose shumë të rëndë.
Rregullorja pranon se përqindja është vetëm orientuese dhe se duhen analizuar natyra e përmbajtjes, konteksti, qëllimshmëria dhe kontributi origjinal. Megjithatë, vendosja e pragjeve numerike mbetet problematike, sepse plagjiatura nuk matet vetëm me peshën e përgjithshme të tekstit. Një autor mund të kopjojë pjesën qendrore të argumentit, risinë shkencore, analizën vendimtare apo përfundimin e një punimi dhe sërish përqindja e përgjithshme të rezultojë nën pragun e vendosur.
Një faqe e vetme mund të përmbajë kontributin që i ka dhënë punimit vlerën akademike. Përkundrazi, një punim mund të shfaqë përqindje të lartë ngjashmërie për shkak të bibliografisë, legjislacionit apo formulimeve standarde, pa pasur plagjiaturë. Rregullorja e pranon këtë në teori, por më pas ndërton të gjithë sistemin e sanksioneve mbi të njëjtat intervale përqindjesh, duke u dhënë organeve të brendshme një fushë shumë të gjerë për ta ngritur ose ulur rëndësinë e shkeljes sipas vlerësimit, pse jo dhe sipas interesit të tyre.
Plagjiatura kërkon “strehë” te konfidencialiteti
Neni 12 i Rregullores shpall “konfidencialitetin e plotë” të të dhënave, dokumenteve dhe informacionit që lidhet me proceset e verifikimit. Më tej përcakton se raportet e sistemeve antiplagjiaturë, dokumentacioni shoqërues, komunikimet procedurale dhe vendimmarrja institucionale nuk bëhen publike dhe nuk u komunikohen palëve të treta, përveç rasteve të parashikuara shprehimisht nga ligji.
Është me vend që, mbrojtja e të dhënave personale dhe e të drejtave procedurale të personit të hetuar të trajtohet si konfidencë e nevojshme. Por konfidencialiteti absolut i gjithë procesit, përfshirë vendimmarrjen institucionale, e mbyll plagjiaturën në një dhomë “masonike” ku universiteti heton vetveten, administron provat, merr vendimin dhe më pas vendos se çfarë mund të mësojë publiku.
Kur bëhet fjalë për një punim mbi të cilin është fituar një gradë shkencore, një titull akademik ose një post publik drejtues, interesi nuk është vetëm privat, por dhe publik. Universiteti është institucion publik, titujt prodhojnë pasoja publike, ndërsa personat që i mbajnë këto tituj, që edukojnë brezat, që vlerësojnë dhe promovojnë të tjerët janë pjesë e natyrshme e publikes. Ndaj dhe, “konfidencialiteti” që lidhet me ta, nuk mund të përdoret si perde për të fshehur se kush ka kopjuar, çfarë ka kopjuar dhe çfarë mase është marrë ndaj tij/saj.
Sipas kësaj rregulloreje, edhe shkelja e konfidencialitetit përbën shkelje disiplinore. Pra, brenda universitetit mund të ndëshkohet jo vetëm ai që ka kryer plagjiaturën, por edhe personi që nxjerr informacionin mbi mënyrën se si po trajtohet ajo.
Rregullorja përjashton “Taulant Mukat”
Neni 13, vendos filtrin më të fortë të të gjithë rregullores. Procedura nis me kërkesë drejtuar drejtuesit të njësisë bazë ose rektorit, por të drejtën për ta vënë atë në lëvizje e kanë vetëm tri kategori:
– autori ose bashkautori i veprës që pretendon se është cenuar;
– strukturat akademike të Universitetit të Tiranës, kur dyshimi konstatohet gjatë vlerësimit, mbrojtjes, publikimit ose promovimit akademik;
– anëtarët e bordeve editoriale ose shkencore të revistave apo konferencave, në kuadër të proceseve të vlerësimit ose publikimit shkencor.
Jashtë mbeten studiuesit e pavarur, gazetarët, organizatat e shoqërisë civile, ekspertët e integritetit akademik, studentët që zbulojnë raste te pedagogët dhe çdo qytetar që disponon prova të plota.
Studiues si Taulant Muka mund të paraqesin punimin e kopjuar, burimin origjinal, përkthimin fjalë për fjalë dhe krahasimin faqe më faqe, por sipas këtij neni nuk është subjekt i legjitimuar për të kërkuar zyrtarisht verifikimin. Nëse autori i huaj nuk e merr vesh se është kopjuar, nëse struktura e universitetit nuk e konstaton ose nuk dëshiron ta konstatojë dhe nëse rasti nuk del gjatë procesit të një reviste apo konference, procedura mund të mos fillojë kurrë.
Universiteti i rezervon vetes edhe mundësinë për të vepruar “ex officio”, por vetëm kur dyshimi lind nga verifikime të brendshme ose procese formale të vlerësimit akademik. Edhe kjo derë mbetet në kontroll të vetë strukturave të universitetit. Një denoncim publik i dokumentuar nuk e detyron institucionin të hapë procedurën.
Plagjiatura kontrollon veten
Procedura e mëtejshme e bën edhe më të qartë piramidën e vendimmarrjes. Kërkesa shqyrtohet fillimisht nga drejtuesi i njësisë bazë, i cili mund ta pranojë ose ta mbyllë me vendim të arsyetuar. Kundër refuzimit bëhet ankim te dekanati ose rektori. Kur kërkesa i drejtohet vetë rektorit, ai vlerëson nëse plotësohet kushti i legjitimimit dhe, në rast miratimi, ia përcjell njësisë bazë për fillimin e procedurës.
Komisioni ad hoc përgatit raportin, por njësia bazë mund ta miratojë, ta ndryshojë ose të mos e miratojë. Më pas, kur vlerësohet se ekzistojnë elemente plagjiature, dosja kalon te Këshilli i Etikës. Edhe ky këshill nuk vendos përfundimisht; ai harton një raport dhe rekomandime që ia përcjell rektorit.
Neni 16 e thotë qartë se rektori, pasi shqyrton raportin, mund:
– të miratojë rekomandimet;
– ta kthejë çështjen për shqyrtim të mëtejshëm; ose
– të vendosë mosfillimin e procedurës disiplinore kur vlerëson se nuk ekzistojnë elemente të shkeljes.
Kështu, fjala përfundimtare nuk i mbetet Këshillit të Etikës, as komisionit të ekspertëve dhe as organit kolegjial që ka analizuar burimet. Ajo i mbetet rektorit.
Në një rregullore të firmosur nga një rektor ndaj të cilit janë ngritur akuza publike për plagjiaturë, përqendrimi i autoritetit nuk është një hollësi organizative, por një konflikt institucional që duhej shmangur me një mekanizëm të pavarur, veçanërisht kur objekti i verifikimit mund të jetë vetë rektori ose një drejtues i lartë i universitetit. Rregullorja ka “harruar” të ndërtojë një organ të jashtëm për këto raste dhe nuk shpjegon se kush e zëvendëson rektorin kur ai vetë është përfshirë drejtpërdrejtë.
Plagjiatura diskriminuese
Dallimi mes mënyrës se si trajtohen studentët dhe personeli akademik del hapur te sanksionet. Për studentin që kryen plagjiaturë të rëndë parashikohet përjashtimi nga Universiteti i Tiranës dhe ndalimi i regjistrimit për të paktën dy vite. Për doktorantin, rregullorja parashikon ndërprerjen e menjëhershme të studimeve, shpalljen e pavlefshme të disertacionit dhe të çdo rezultati akademik të lidhur me të.
Kur kalon te personeli akademik, gjuha bëhet dukshëm më e butë. Për shkeljen mbi 15% deri në 30% parashikohet vërejtje me shkrim, korrigjim i materialit dhe trajnim për integritetin akademik. Për plagjiaturën mbi 30% deri në 50% mund të vendoset paralajmërim për largim, tërheqje e publikimit, kufizim i përkohshëm i angazhimeve apo detyrimi që autori të publikojë artikuj të rinj origjinalë si “kompensim akademik”.
Pra, një pedagog që ka publikuar material të kopjuar mund të detyrohet të shkruajë më vonë dy ose katër artikuj origjinalë dhe të vazhdojë karrierën. Plagjiatura trajtohet sikur të ishte një defiҫit sasior që shlyhet duke prodhuar disa punime të tjera, jo si mashtrim që vë në dyshim të gjithë besueshmërinë akademike të autorit.
Edhe për plagjiaturën e rëndë, mbi 50%, neni 28 kërkon që ajo të jetë jo vetëm e rëndë, por edhe e përsëritur, përpara se ndaj personelit akademik të mund të iniciohet procedura disiplinore për zgjidhjen e kontratës dhe largimin nga detyra.
Kjo lidhje kumulative është vendimtare. Një pedagog mund të ketë kopjuar pjesën më të madhe të një punimi, por nëse nuk provohet përsëritja, rregullorja nuk e lidh automatikisht rastin me procedurën e largimit. Ndërsa një student mund të përjashtohet për një rast të rëndë, pedagogut i kërkohet që shkelja e rëndë të jetë edhe e përsëritur. Dhe kjo është padyshim diskriminuese.
“Kasaforta” e titujve të fituar me plagjiaturë
Gjithë mekanizmi i rregullores mblidhet në nenin 29, i cili trajton rastet kur plagjiatura konstatohet në një disertacion doktoral pasi personi ka fituar edhe titujt “Profesor i Asociuar” ose “Profesor”.
Rregullorja urdhëron që të merret parasysh nëse personi: ka zhvilluar veprimtari të qëndrueshme akademike pas doktoraturës; ka vijuar kualifikimin profesional dhe shkencor; ka fituar tituj të mëvonshëm mbi veprimtari të pavarur nga disertacioni; nuk ka përsëritur shkelje gjatë karrierës.
Nëse materiali i plagjiatuar vlerësohet se nuk ka qenë përcaktues për dhënien e gradës “Doktor” dhe nuk ka cenuar “thelbin e kontributit origjinal”, rregullorja parashikon që të mos aplikohet revokimi i gradës dhe i titujve të mëvonshëm.
Në vend të revokimit mund të vendoset: konstatimi formal i shkeljes; regjistrimi i rastit në regjistrin institucional; publikimi i një deklarate korrigjuese ose i “shënimit etik shpjegues”; korrigjimi apo plotësimi i disertacionit; kufizimi i përkohshëm i roleve drejtuese; ndalimi i përkohshëm për të aplikuar në projekte kërkimore.
Më pas vjen mburoja përfundimtare:
“Revokimi i gradës shkencore ‘Doktor’ dhe i titujve pasues akademikë përbën masë të jashtëzakonshme (ultima ratio) dhe zbatohet vetëm në rast se konstatohet, në mënyrë kumulative, se…”
Kriteret janë të gjitha bashkërisht: plagjiatura duhet të jetë e rëndë ose shumë e rëndë, sistematike dhe e qëllimshme; duhet të ketë cenuar elementin thelbësor dhe përcaktues për dhënien e gradës; duhet të ekzistojë lidhje shkakësore e provueshme ndërmjet plagjiaturës dhe përfitimeve të mëvonshme; ndërsa masat më të lehta duhet të kenë rezultuar të pamjaftueshme.
Ky është një prag jashtëzakonisht i lartë. Nuk mjafton që doktoratura të përmbajë plagjiaturë. Nuk mjafton as që plagjiatura të jetë e rëndë. Duhet të provohet që ishte sistematike, e qëllimshme, thelbësore për gradën, shkak i drejtpërdrejtë i karrierës së mëvonshme dhe se asnjë masë tjetër nuk mjafton.
Synimi praktik? Çdo hallkë e këtij testi krijon një mundësi të re për të mos revokuar titullin.
Edhe kur të gjitha kushtet plotësohen, revokimi bëhet me vendim të rektorit, bazuar në rekomandimin e Këshillit të Etikës. Pra, nënshkruesi i rregullores ruan në këtë mënyrë edhe kompetencën përfundimtare mbi heqjen ose mos-heqjen e gradës.
Plagjiatura nuk duhet të qëllojë vetëm me pushkë
Në fund rregullorja sikur një ligj, ka dispozita kalimtare. Në to parashikohet se punimet e dorëzuara ose të publikuara përpara hyrjes në fuqi të rregullores mund të verifikohen vetëm “kur ato sjellin pasoja më të rënda ose kur konstatohet plagjiaturë e rëndë ose shumë e rëndë që cenon seriozisht integritetin akademik”.
Pra, filtri mbetet në duart e universitetit. Për punimet e vjetra nuk mjafton ekzistenca e plagjiaturës; ajo duhet të kalojë pragun që vetë strukturat e universitetit do ta vlerësojnë si të rëndë, shumë të rëndë dhe seriozisht cenuese.
Këtu rregullorja është “kujdesur” veçanërisht për rastet e denoncuara publikisht përpara vitit 2026, sepse edhe kur duket se nuk e mbyll teorikisht mundësinë e verifikimit, ajo e vendos atë pas një sërë filtrash: legjitimimi i kërkuesit, pranimi paraprak, komisioni ad hoc, njësia bazë, Këshilli i Etikës dhe, në fund, natyrisht nënshkruesi i saj, rektori.
Mendimi faraonik
Universiteti i Tiranës ka hartuar një dokument qё ngjan modern, me terma si transparencë, proporcionalitet, integritet, proces i rregullt dhe standarde evropiane. Por fshehur pas kësaj gjuhe dhe termash, është ndërtuar një mekanizëm dinak ku eliminohet denoncimi. Ndërsa raporti antiplagjiaturë është vetëm ndihmës, procedura mbulohet nga konfidencialiteti, ku komisionet rekomandojnë, rektori vendos dhe revokimi i titullit ruhet si “ultima ratio”, e arritshme vetëm pas plotësimit të një vargu kushtesh kumulative që mund ta bëjnë thuajse të pazbatueshme. Është një lloj “Everesti”, që mund të arrihet por jo nga të gjithë.
Studentëve u kërkohet ndershmëri dhe kërcënohen me përjashtim. Pedagogëve u ofrohen korrigjime, trajnime, shënime shpjeguese, artikuj kompensues dhe mundësia për të ruajtur titullin edhe pasi plagjiatura është konstatuar. Ky standard i dyfishtë më saktë diskriminim, nuk edukon brezat e rinj. U mëson atyre se plagjiatura është e pafalshme kur nuk ke pushtet, por e menaxhueshme kur je pjesë e tij.
Rregullorja mban firmën e Artan Hoxhës, rektorit që është përballur publikisht me akuza të dokumentuara për kopjim, ndërsa kompetencën përfundimtare mbi procedurat dhe revokimin ia lë jo pa qëllim sërish atij, në pozicionin me pushtet të shtuar, të rektorit. Dhe një organizim i këtillë “anti plagjiaturë” nuk mund të jetë rastësi, por qëllim i mirë sistemuar. Ku rregullat nuk janë shkruar vetëm për të parandaluar plagjiaturën e ardhshme, por edhe për të garantuar që titujt e fituar në të shkuarën të mos preken lehtë, edhe kur kopjimi del ashiqare në dritë.
Dëmi
Përse duhej kjo rregullore kur krijuesit e saj, janë po vetë ata në senatet që miratojnë rregullat, në komisionet që japin gradat, në këshillat që vlerësojnë shkeljet dhe në zyrat që vendosin nëse titulli do të hiqet apo do të shpëtojë?
A nuk janë po ata që i japin tituj njëri-tjetrit, promovojnë kolegët, nxënësit, miqtë, familjarët dhe njerëzit e rrethit të tyre, ndërsa studentëve u kërkojnë të besojnë se nota, grada dhe karriera ndërtohen mbi meritën?
Dëmi i kësaj rregulloreje nuk mbaron te nënshkrues rektori, te një dekan apo te një profesor i denoncuar. Ai shkon përtej, sepse prek çdo student që punon me muaj për një temё diplome; te çdo doktorant që citon me ndershmëri çdo burim dhe te çdo i ri që sheh se njerëzit në krye të universitetit kanë gjetur mënyrën për ta kthyer edhe plagjiaturën e provuar në procedurë korrigjimi.
Një universitet nuk shkatërrohet vetëm kur pedagogët kopjojnë. Shkatërrohet përfundimisht kur ata që dyshohen se kanë kopjuar marrin pushtetin të shkruajnë vetë rregullat me të cilat do të gjykohen. /Pamfleti

