Përplasja e biznesmenëve në Vlorë/ Reagon ashpër Rama: Do shpronësojmë për interes publik të gjithë atë zonë, për të cilin lindi konflikti

Përplasja e biznesmenëve në Vlorë/ Reagon ashpër Rama: Do shpronësojmë për interes publik të gjithë atë zonë, për të cilin lindi konflikti

Kryeministri Edi Rama ka komentuar konfliktin e djeshëm mes dy biznesmenëve në Vlorë, duke deklaruar se zona ku ndodhi konflikti do të shpronësohet për interes publik dhe do të kthehet në një aset publik.

Sipas kryeministrit, brutaliteti i konfliktit duhet të marrë përgjigjen që kërkon rëndësia shoqërore e një misioni të madh kombëtar për Shqipërinë turistike.

“Prandaj, kemi vendosur ta shpronësojmë për interes publik të gjithë zonën e atij konflikti banal dhe brutal të ditës së djeshme dhe, sipas ligjit, ta kthejmë në aset publik për të gjithë, një oaz natyror për pemën e bekuar të ullirit, një park i gjallë ku do të mbillen dhe ruhen varietetet autoktone shqiptare dhe ato me përfaqësues të Mesdheut, si dhe do të ekspozohen të gjithë vajrat e ullirit që prodhohen në Shqipëri. Një adresë e re informimi, një hapësirë e re e dijes, e turizmit të eksperiencës, një tokë që i ndau me dhunë 2 investitorë fqinjë, duke pështirosur gjithë Shqipërinë do të kthehet në një hapësirë që i bashkon të gjithë, në një territor paqeje nën hijen dhe bekimin e pemës së paqes, pemës së bekuar të ullirit”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se synimi është që kjo hapësirë të shërbejë edhe si një simbol bashkimi dhe paqeje ndërsa u shpreh se qeveria ka vendosur t’i japë fund kësaj situate dhe të vendosë një vijë të kuqe për sjelljet që dëmtojnë imazhin e turizmit shqiptar.

“Historia e djeshme e konfliktit banal dhe brutal mes dy ndërtuesve dhe, nga ana tjetër, një analizë e hartës pronësore të zonës në fjalë na ka bindur se jo vetëm duhet t’i japim fund kësaj historie, por edhe t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo edhe menaxhojnë asete turistike. Ata duhet të kuptojnë që nuk duhet ta cenojnë me qasjet dhe sjelljet e tyre lënduese atë që është një mision i madh kombëtar, misioni ynë i Shqipërisë turistike, që shkon shumë përtej transformimit fizik të vendit dhe u imponon të gjithë aktorëve të vet, nga investitorët te kamarierët, që të mendojnë dhe të sillen si ambasadorë të turizmit shqiptar. Prandaj, banalitetet dhe brutaliteti i çdo lloj natyre duhet të marrin përgjigjet që kërkon rëndësia shoqërore e një misioni të tillë kombëtar dhe autorët e veprimeve lënduese të çdo niveli, me dhunë, me harbutllëk mbi klientët, me papërgjegjshmëri mbi hapësirën publike, duhet të bëhen shembull të një vije të kuqe të domosdoshme për Shqipërinë”, u shpreh Rama.