“Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dënon me forcë aktet e dhunshme të ndodhura gjatë protestave të fundit, të cilat kanë cenuar sigurinë dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë.
Sulmet ndaj godinave të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, përfshirë zjarrvënien në mjediset e Gjykatës së Lartë dhe dëmtimin e dosjeve gjyqësore, përbëjnë akte të papranueshme në një shoqëri demokratike. Këto veprime nuk rrezikojnë vetëm jetën dhe sigurinë e gjyqtarëve, nëpunësve gjyqësorë dhe personelit administrativ, por cenojnë drejtpërdrejt funksionimin normal të drejtësisë. Çdo pengesë në veprimtarinë e gjykatave përkthehet në pasoja konkrete për qytetarët, të cilëve u vonohet ose u vështirësohet marrja e drejtësisë. Liria kushtetuese e shprehjes dhe e tubimit është një vlerë themelore e demokracisë, por ushtrimi i saj nuk mund të shërbejë si justifikim për dhunën ndaj institucioneve dhe cenimin e sigurisë së njerëzve që ushtrojnë detyrën në to. Cenimi i gjykatave dobëson mbrojtjen e lirive dhe të drejtave kushtetuese”, thuhet në deklaratë.
Por pas kësaj melodie për të vjellë qëndron një person i pacipë në drejtësi: Enigert Pëllumbi, i cili ka krijuar edhe një shoqatë, sepse nuk i dalin paratë që merr poshtërsisht nga padrejtësia e sojit të tij. Herë pas here na shfaqet si person antiqeveritar, por kurrë si individ që bën drejtësi.
Ky sharlatan është tepër i shqetësuar. Ndërkohë, Edi Rama mban përgjegjësinë kryesore për një reformë në drejtësi që u krijoi hapësirë sharlatanëve dhe atyre që paguajnë për të siguruar, me metodat e tyre, vende në pallatin e drejtësisë. Qenie të tilla e kanë kthyer këtë institucion në një bordello, ku gjithçka shitet e blihet.
Ndaj shqetësimi i tij nuk është gjë tjetër veçse rrahje uji në havan, kur këta palaço janë kthyer në bashkëpunëtorë të krimit, duke liruar dhjetëra protestues të dhunshëm, të maskuar si studentë, mbi të cilët rëndojnë akuza për disa vepra penale. Se ku e gjejnë pëllumbat dhe sorrat e drejtësisë guximin për të shpërfillur Kodin Penal, këtë e di vetë ai, si kryetar i shoqatës së maskarenjve.
Ja prononcimi i tij:
“Në këtë klimë të tensionuar, Shoqata vlerëson po aq problematike gjuhën e papërshtatshme të përdorur publikisht nga Kryeministri ndaj gjyqtarëve që kanë shqyrtuar ose po shqyrtojnë kërkesat e prokurorisë për caktimin e masave të sigurimit ndaj protestuesve. Kritika ndaj vendimmarrjes gjyqësore është e ligjshme, por ajo nuk mund të shndërrohet në sulm personal, delegjitimim të gjyqtarëve apo trysni publike mbi ushtrimin e funksionit të tyre. Deklarime të tilla, veçanërisht kur vijnë nga drejtuesi i pushtetit ekzekutiv, rrezikojnë të krijojnë perceptimin e ndërhyrjes në vendimmarrjen e pavarur gjyqësore. Ato ndikojnë negativisht në besimin e publikut ndaj vendimeve gjyqësore. Përgjegjësia e kreut të ekzekutivit është të garantojë respektimin e lirive kushtetuese dhe sigurinë publike, jo të paragjykojë vendimet e gjykatave apo të përcaktojë publikisht se cilat masa sigurimi duhet të caktohen. Ligjshmëria dhe proporcionaliteti i këtyre masave vlerësohen vetëm nga gjykatat, mbi bazën e ligjit, provave dhe rrethanave konkrete të çdo çështjeje.”
Përpos të tjerave, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve u kërkon institucioneve dhe përfaqësuesve politikë vetëpërmbajtje, masa për sigurinë e gjykatave dhe ndalimin e çdo forme presioni ndaj gjyqtarëve.
“Situatat e tensionuara në sferën publike kërkojnë qëndrime konstruktive dhe veprime institucionale me vizion dhe shtetari që forcojnë sigurinë, ligjshmërinë dhe besimin e qytetarëve, jo retorikë që përçajnë apo përplasin fiktivisht dhe pa dobi pushtetet. Shoqata kërkon marrjen e menjëhershme të masave efektive për sigurinë e gjykatave dhe të personelit të tyre, si dhe ndalimin e çdo forme presioni ndaj gjyqtarëve për shkak të ushtrimit të detyrës, mbi të gjitha si detyrim në shërbim të qytetarëve. Njëkohësisht, ajo shpreh mbështetjen e plotë për gjyqtarët që përmbushin funksionin e tyre me pavarësi, paanësi dhe integritet. Pa gjykata të sigurta dhe të pavarura, nuk mund të ketë drejtësi të prekshme për qytetarët dhe as shtet të së drejtës.”

