Nga Anri Bala
Shqipëria e Re” po rrezikon të kthehet në një aksion përçarës dhe jo përbashkues, ku rrjetet sociale janë kthyer në tualete, ku çdokush ndot me fyerje e poshtërime gjithkënd, si pa të keq. Nuk besoj se zgjidhja është imponimi, por bashkëbisedimi!
Më vjen keq kur lexoj komente ofenduese dhe epitete drejtuar znj. Edlira Çepani. Mendoj se debati po degradon çdo ditë dhe egërsia ndaj dikujt që nuk ndan të njëjtin mendim nuk është më rrezik, por realitet! Unë revoltën nuk e kisha me znj. Çepani, por me verbërinë e saj apo kujtdo tjetër që nuk sheh degradimin social, një rrezik të dukshëm që ndodh para syve tanë dhe që përligjet në “emër të popullit”.
A rash dhe une në kurthin e polarizimit të përplasjeve deri tani pa ide por me mllef dhe bëra të njëjtin gabim? Sigurisht! Sepse të njëjtin pretendim ka dhe bashkëbiseduesi se “mjerimi” duhet luftuar me çdo çmim, por jo me gjakun e fëmijëve të pafajshëm me qëllim për të prodhuar destabilizim.
Protesta është madhështore, sepse mjerimi dhe pakënaqësia si përgjigje ka pasur dialogun dhe qetësinë, durim e kafshim gjuhe përballë arrogancës, papërgjegjshmërisë e nëse kjo peshore po ndryshon, a rrezikojmë të kthehemi nga viktima në dhunues?
Ndaj më vjen keq kur shoh që njerëzve u ka humbur arsyeja dhe gjykojnë se të drejtën për të humbur logjikën e kanë sepse kanë mbështetje në popull, por mbështetja nuk është licencë për të përbuzur apo dhunuar, qoftë virtualisht, dikë që nuk mendon si ti… por përgjegjësi, që të mos përfundosh pikërisht, e ndoshta më keq, se çdokush që ti ia bën me gisht!
Në pikën ku jemi sot, “Revolucioni i Flamingove” mund të kthehet shumë mirë në një shoqatë bamirësie dhe është ndoshta një nga misionet më të bukura që ka realizuar deri tani, por jemi larg të qenit një projekt që shpalos ide apo projekte për një të nesërme të sigurt pa Ramën dhe Berishën, sepse që të ndodh kjo, “dhunuesi dhe viktima” nuk duhet të prodhoj gjuhë urrejtje e ndasi… por bashkim, e nga bashkimi vjen ndryshimi! /Ekskluzive.al

