“Non grata”-at shqiptare në rajon duhet të jenë edhe politike

“Non grata”-at shqiptare në rajon duhet të jenë edhe politike

Nga Mero Baze

Sa herë që ka dhunë në protestat e Tiranës dhe policia shoqëron protestues, rreth 10 për qind e tyre janë aktivistë të Vetëvendosjes nga Kosova, në rolin e organizatorit. Kjo është statistikë zyrtare që mund të verifikohet në komunikatat e policisë. Nuk janë thjesht protestues, por organizatorë të dhunës. Pak më rrallë janë nga shqiptarët e Maqedonisë, pasi ata janë kryesisht myslimanë praktikantë, që vijnë në Shqipëri me bindjen se po marrin pjesë në një lloj xhihadi.

Në javën e parë të protestës, një vajzë 11-vjeçare nga Shkupi, që fliste shqip, u ngrit dhe recitoi një “fatwa” kundër Edi Ramës në tribunë, duke e mallkuar atë në emër të Allahut që po shkatërronte Shqipërinë. Ajo ka më pak vite në jetë sesa ka Edi Rama në pushtet, por recitonte sikur të ishte një e vuajtur 50-vjeçare, që Shqipëria i kishte nxirë jetën. Me siguri ishte hera e parë që e sillnin në këtë vend, drejt e në tribunë, për të mallkuar.

E kuptoj atë gatishmërinë për të bërë ironi se protestat nuk i organizojnë Vetëvendosja apo hoxhallarët e Shkupit, por këta flamingot e Shqipërisë. Jam shumë i mësuar me këtë humorin bajat, por për faktet kam pak më shumë respekt. Dhe faktet duhet të jenë shqetësuese për protestën që është katandisur në një grusht njerëzish, dhe jo për ata që nuk janë pjesë e protestës.

Nga e gjithë kjo hordhi ngatërrestarësh që turret nga Prishtina dhe Shkupi të na tregojë se si do të qeverisemi, këta të Albin Kurtit i kuptoj. Albin Kurti është një urrejtës i Shqipërisë, bashkë me shpurën e vet, dhe një njeri që i ka shpallur luftë publike Kryeministrisë së Shqipërisë. Nuk jam duke e gjykuar nëse ka bërë mirë apo keq, por e ka bërë hapur dhe duhet respektuar. Nuk lë rast pa u përzier në punët e Shqipërisë, kështu që nuk mund ta humbiste edhe këtë rast.

Duke qenë se Kosova është shtet i pavarur dhe ai ka të drejtën e tij të shpallë shtete mike dhe armike, ashtu si edhe udhëheqës miq dhe armiq, nuk kemi arsye ta qortojmë pse ka zgjedhur Shqipërinë dhe Edi Ramën për armik dhe kundërshtar dhe Greqinë për aleate. Është zgjedhja e tij dhe duhet ta pranojmë. As ai nuk e përfaqëson Kosovën në këtë qasje; madje ka dy vjet që nuk e përfaqëson Kosovën as në pushtet. Është prej dy vitesh kryeministër në detyrë, një humbës në pakicë që nuk dorëzon pushtetin dhe e mban atë me procedura të delegjitimuara.

Aktualisht duhet të ketë thyer rekord botëror, që është në vitin e dytë të tij si kryeministër që nuk formon dot institucione, por është i shqetësuar pse ka rënë protesta në Shqipëri në 100 vetë dhe dërgon çdo natë njerëz këtu.

Shqipëria ka një qasje serioze, jo paternaliste ndaj Kosovës, dhe është e detyruar të respektojë zgjedhjet e udhëheqësve të saj kundrejt Shqipërisë. Natyrisht nuk është e lumtur, por as e shqetësuar nga mercenarët e Albin Kurtit që sillen rrugëve të Tiranës çdo natë duke dhunuar qytetarët nëpër kafene dhe rrugica ku kalojnë dhe kërkojnë Shqipëri etnike. Shto këtu edhe qëndrimin cinik të Edi Ramës që thotë: “Mos ma ngatërroni Albin Kurtin me këta që vijnë për trazira në Tiranë”, dhe pikërisht atëherë e kupton se Shqipëria nuk ka ndërmend t’i shpallë luftë Kosovës për shkak të Albin Kurtit.

Por shqiptarët e tjerë në rajon, që janë pjesë e shteteve të tjera, si Maqedonia e Veriut, Serbia apo Mali i Zi, që e kanë Shqipërinë shtet amë, Shqipëria është përgjegjëse për orientimin e tyre kundrejt Shqipërisë, apo më keq, për përzierjen në politikën e Shqipërisë për llogari të të tretëve.

Nëse këta kosovarët e Albin Kurtit mund t’u marrin shenjat e gishtave në polici dhe t’i trajtojnë si elementë keqbërës, shqiptarët e tjerë, qytetarë të shteteve të tjera në rajon, që përfshihen në dhunë fizike dhe politike në Shqipëri, duhet të trajtohen si pjesë e axhendave politike kundër Shqipërisë.

Shpallja non grata e hoxhallarëve të Maqedonisë së Veriut që vijnë në Tiranë apo aktivistëve të partisë në pushtet në Maqedoni është masa më e pakët. Shqipëria duhet të veprojë edhe politikisht ndaj faktorit politik shqiptar në Maqedoni që mbështet këtë frymë, duke i delegjitimuar ata.

Në këtë rast, gjithë garnitura e VLEN-it dhe hoxhallarët e Besës, që janë turrur drejt Shqipërisë jo për pushime, por për luftë, duhet të kthehen në një taksë për përfaqësimin e tyre politik.

Qeveria shqiptare duhet të çlirohet nga kompleksi i respektimit të atyre partive shqiptare në Maqedoni Serbi ap Mal të Zi, që gjithë ditën janë pjesë e një pushteti kundër shqiptarëve në Maqedoni dhe në darkë arrijnë në Tiranë të na tregojnë se çfarë duhet të bëjmë ne.

Shqipëria duhet të bëjë shembull politikanët që i frymëzojnë ata dhe jo vetëm ushtarët e tyre. Kjo për gjithë ata shqiptarë që janë pakicë në shtetet e tjera në Ballkan.

Për Kosovën nuk kemi arsye të përzihemi, pasi Albin Kurti nuk e bën këtë punë fshehurazi, por e ka platformë politike dhe atë duhet ta respektojmë si zgjedhje të tij kundër Shqipërisë. Po ashtu duhet të respektojmë edhe ata që e votojnë pikërisht për këtë gjë.

Rëndësi ka që një ditë t’ia arrijë të bëjë një qeveri legjitime në Kosovë, që të mos provojë tezën e atyre që nuk besonin se Kosova ishte e aftë të bënte shtet. Së paku, Albin Kurti ka dy vjet që po u jep të drejtë kasandrave të shtetit të Kosovës.