Kallas: Shqipëria mes katër vendeve më të avancuara drejt BE-së

Kallas: Shqipëria mes katër vendeve më të avancuara drejt BE-së

ërfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, e renditi Shqipërinë mes katër vendeve më të avancuara drejt anëtarësimit, së bashku me Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën. Gjatë prezantimit të gjetjeve të raportit vjetor të zgjerimit, ajo vlerësoi ecurinë e negociatave, por kërkoi ruajtjen e ritmit dhe përshpejtimin e reformave.

“Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt e negociatave në pak më shumë se një vit. Detyra tani është të ruajë këtë ritëm duke përshpejtuar reformat”, deklaroi Kallas.

Ajo theksoi se Komisioni Europian prezanton për herë të parë udhërrëfyes për negociatat e anëtarësimit me këto katër vende. Sipas saj, raporti përcjell mesazhin se reformat sjellin rezultate dhe se anëtarësimi afrohet për vendet që përmbushin detyrimet.

Kallas e lidhi drejtpërdrejt zgjerimin me sigurinë europiane, duke paralajmëruar se situata është përkeqësuar ndjeshëm që nga raporti i vitit të kaluar. Ajo përmendi luftën e Rusisë kundër Ukrainës, konkurrencën strategjike, pasigurinë ekonomike dhe shtimin e sulmeve hibride e akteve të sabotimit ndaj Europës.

Sipas saj, një Bashkim Europian më i madh do të forconte sigurinë, peshën gjeopolitike dhe ndikimin ndërkombëtar të Unionit, ndërsa do të krijonte një treg më të gjerë dhe mundësi të reja ekonomike.

Duke u ndalur te vendet që kryesojnë procesin, Kallas tha se Mali i Zi është më pranë përfundimit të negociatave dhe ka një rrugë të qartë drejt nënshkrimit të traktatit të anëtarësimit deri në verën e ardhshme.

Për Moldavinë, ajo vlerësoi vijimin e reformave dhe përafrimin me legjislacionin europian, pavarësisht presionit të jashtëm të paprecedentë.

Ukrainën e veçoi për ndërmarrjen e reformave gjithëpërfshirëse në kushtet e luftës. Kallas theksoi se asnjë vend kandidat nuk ka realizuar më parë reforma të kësaj përmase nën bombardime dhe kërkoi avancimin drejt hapjes së të gjithë grupkapitujve të negociatave përpara fundit të vitit.

Për Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ajo e përshkroi ecurinë si të pabarabartë. Ndërsa Turqia mbetet vend kandidat dhe partner kyç, sipas Kallas, kushtet që çuan në bllokimin e procesit të saj të anëtarësimit vijojnë të jenë të pranishme.

Për Gjeorgjinë, përfaqësuesja e lartë deklaroi se regresi demokratik dhe problematikat me të drejtat themelore e kanë vendosur vendin në një kurs përplasjeje me BE-në. Procesi i anëtarësimit, tha ajo, mbetet faktikisht i pezulluar.

Kallas nënvizoi se ritmi i integrimit do të vijojë të përcaktohet nga merita, reformat, respektimi i shtetit të së drejtës dhe mbrojtja e të drejtave themelore. Ajo paralajmëroi gjithashtu se detyrimet e marra gjatë negociatave nuk përfundojnë me hyrjen në Union.

Raporti i këtij viti përfshin për herë të parë një seksion të posaçëm për sigurinë dhe mbrojtjen. Sipas Kallas, shumica e vendeve kandidate kanë rritur ose ruajtur nivele të larta përafrimi me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke dëshmuar orientimin e tyre strategjik.

Ajo theksoi se shumë prej këtyre vendeve kontribuojnë tashmë në sigurinë europiane. Ukrainën e cilësoi vijën e parë të mbrojtjes së Europës kundër Rusisë, ndërsa përvojën e saj në fushën e betejës e konsideroi vendimtare për gatishmërinë mbrojtëse të kontinentit.

Moldavia dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor, shtoi ajo, marrin pjesë në misionet dhe operacionet e BE-së, ndihmojnë në mbrojtjen e kufijve dhe në përballimin e manipulimit të informacionit nga aktorë të huaj.

Në përfundim, Kallas e cilësoi zgjerimin politikën e jashtme më të suksesshme të BE-së ndër dekada dhe paralajmëroi se vonesat për vendet që përparojnë mund të krijojnë hapësirë për paqëndrueshmëri.

“Zgjerimi është një investim i drejtpërdrejtë në sigurinë e Europës”, deklaroi ajo.