Pas vendimit të Ministrisë së Brendshme për t’u ndaluar hyrjen në Shqipëri dy militantëve islamikë nga Shkupi që nxisin trazira në Shqipëri, Doktori sot reagoi shumë ashpër. Ai e quajti shpalljen non grata një akt primitiv.
Muli, duke diskutuar me Lelon, vendosën që ta aplikojnë këtë çështje, madje ta bëjnë edhe çështje të protestës.
– Unë mendoj që protesta duhet të dënojë çdo akt të shpalljes non grata, – tha Muli. – Pavarësisht se ata bëjnë sikur janë të pavarur nga PD, këtë gjë duhet ta bëjnë.
– Mendoj ta bëjmë edhe më të fortë, – tha Lelo. – Të premtojmë që, me ardhjen tonë në pushtet, non grata do hiqet dhe ata do bëhen qytetarë nderi të Shqipërisë.
– Këtë heqjen e non grata-s me ndërrim pushteti nuk na e ha më njeri, – tha Muli, – se e hëngrëm njëherë me Trumpin dhe tani po detyrohet Doktori të bëjë dosje mjekësore sikur është me prostatë akute që të kurohet në New York dhe akoma s’ia japin vizën.
– Doktori është çështje tjetër, – tha Lelo. – Atë e ka shpallur non grata Yuri Kim, kurse këta i ka shpallur Lamallari. Kjo hiqet.
– Njëherë duhet t’i detyrojmë protestuesit t’i dënojnë në parim non grata-t, – tha Muli. – Kështu ata marrin pa dashje edhe anën e Doktorit për non grata-n e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Pastaj premtimi për heqje vjen kollaj.
– Këtu ke të drejtë, – tha Lelo. – Dhe kjo është një rrugë e tërthortë për t’u bërë aleatë me Doktorin këta flamingot.
– Duhet ta fusim në programin e kërkesave të protestuesve: qeveri teknike, dorëheqja e Ramës, anulimi i çdo non grata-je dhe dënimi nga qeveria e re i çdo akti non grata nga çdo shtet i botës.
– Mendoj se duhet shtuar që çdo kush që ka shpallur shqiptarë non grata në çdo vend të botës, përfshi edhe Shqipërinë, do shpallet non grata në Shqipëri dhe do hetohet.
– Shumë mirë, – tha Muli. – Duhet patjetër ta thonë sot protestuesit në orën 7 te dera. Të bëjmë një parullë: “Kush shpall non grata, na ka nga mbrapa!” Ta dijë mirë që nuk shpëton.

