VIDEO/ Imami i shpallur non-grata predikonte që burrat t’iu “vendosnin kufij” grave “deri në dajak apo fishek”, Buzhala: Mendësi kundër kulturës shqiptare dhe europiane

VIDEO/ Imami i shpallur non-grata predikonte që burrat t’iu “vendosnin kufij” grave “deri në dajak apo fishek”, Buzhala: Mendësi kundër kulturës shqiptare dhe europiane

Gazetari Berat Buzhala ka reaguar pas shpalljes “non grata” në Shqipëri të imamit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Bekir Halimi, i cili sipas autoriteteve është ndaluar të hyjë në vend për shkak të veprimtarisë së konsideruar kundër interesave të Republikës së Shqipërisë.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Buzhala komentoi një predikim të Halimit, ku imami kritikon mënyrën e veshjes së grave dhe u kërkon burrave të vendosin “kufij” brenda familjeve të tyre.

“Gjendja jonë ka me ndryshu kur secili prej neve ka me e caktu kufirin dhe s’ka me leju me asnjë kusht me u kalu ai kufi”, dëgjohet të thotë Halimi, ndërsa pretendon se drejtimi i familjes nga gratë mund të sjellë “hidhërimin dhe ndëshkimin e Allahut”.

Buzhala e cilëson këtë mendësi si të papajtueshme me kulturën shqiptare dhe orientimin europian të shqiptarëve.

“Një mendësi e tillë duhet me qenë ‘non grata’ për krejt ne. Jo vetëm ‘non grata’ për Shqipërinë, por ‘non grata’ për kulturën shqiptare, për kulturën europiane dhe për vizionin e shqiptarëve për integrim në strukturat euroatlantike”, deklaroi gazetari.

Sipas Buzhalës, deklaratat e Halimit mund të interpretohen si thirrje për cenimin e të drejtave dhe lirive të grave.

“Këtu kemi të bëjmë me thirrje për t’i shkelur disa ligje, duke filluar prej Kushtetutës, ku të gjithë njerëzit janë të barabartë. Ky thotë se burrat duhet me çdo kusht t’i ndalojnë”, u shpreh ai.

Gazetari ngriti gjithashtu pikëpyetje për praninë e Halimit në protestat e zhvilluara në Shqipëri dhe për motivet që e kishin shtyrë të bëhej pjesë e tyre.

“Kush është instruktori, kush i ka thënë këtij që duhet të shkojë në Shqipëri, të protestojë dhe të rrëzojë një qeveri të një shteti tjetër për gjashtëdhjetë e kusur ditë?”, pyeti Buzhala.