Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka njoftuar zyrtarisht konfirmimin e Gjenerallejtënantit në pension Eric Wendt si ambasadori i ardhshëm amerikan në Shqipëri.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasada e uroi Wendt për detyrën e re dhe bëri të ditur se pret mbërritjen e tij në Tiranë.
“U konfirmua! Urime Gjenerallejtënantit (në pension) Eric Wendt për rolin e tij të ri si Ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri!”, thuhet në njoftim.
Sipas Ambasadës Amerikane, gjatë mandatit të tij në Tiranë, Wendt pritet të mbështesë prioritetet e administratës së Presidentit Donald Trump në marrëdhëniet me Shqipërinë, me fokus te siguria e përbashkët, forcimi i NATO-s dhe marrëdhëniet ekonomike me bizneset amerikane.
“Presim me kënaqësi Ambasadorin e emëruar Wendt në Tiranë, nga ku do të mbështesë vizionin e Presidentit Trump për siguri të përbashkët, një NATO më të fortë dhe marrëveshje të drejta për bizneset amerikane”, shkruan ambasada.

