Mulit i dërguan një video që e la pa fjalë. Gonia kishte kapur një grua indiane që kishte ardhur për punë në Shqipëri dhe po e intervistonte që ta përdorte si video kundër qeverisë.
Gonia: Ju jeni nga India dhe ju kanë sjellë të punoni në Shqipëri?
– Po, unë jam nga India dhe kam ardhur të punoj në Shqipëri.
– Keni ardhur vetë apo ju ka sjellë qeveria?
– Jo, vetë kam kërkuar. Gjeta punë me një agjenci dhe erdha. Jam shumë e kënaqur.
– Të pëlqen Shqipëria?
– Më pëlqen shumë, njerëzit, natyra, vendi. Shumë mirë.
– Po puna?
– Puna shumë mirë, paga shumë mirë. Jam mirë.
– A e dini se i keni zënë vendin një punëtori shqiptar?
– Jo. Pronari më tha që s’kam punëtor, ndaj po të kërkoj ty.
– A e dini ju që qeveria shqiptare i dëbon shqiptarët nëpër botë që të marrë punëtorë të huaj?
– Nuk e kam dëgjuar. Qeveria jonë përpiqet shumë të na gjejë punë nëpër botë, po e ka të vështirë. Vetë e gjejmë. Kjo e juaja qenka shumë e zonja.
– Jo, jo, dhe ne vetë e gjejmë, po ajo na dëbon.
– Si ju dëbon, me dhunë?
– Unë kam qenë vetë refugjat si puna jote. Shkova në Perëndim, bëra lekë, u ktheva dhe tani lekët që bëj në Shqipëri i investoj në vila në Itali.
– Shpresoj dhe unë të kem fat, – i tha indiania. – Dhe unë po bëra lekë këtu, do të kthehem në Indi dhe, po bëra prapë lekë atje, këtu do t’i sjell, se është vend i mirë.
Pastaj Gonia kthehet nga kamera:
– Ja pra, të dashur shqiptarë, Edi Rama po na dëbon ne dhe po bie indianë. Ky është realiteti i Shqipërisë, ndërkohë që unë u them shqiptarëve: kthehuni se vetëm këtu bëhet lek. Unë këtu i bëra të gjitha, harxhova kot kohë andej. Pasi t’i bëni këtu, ikni andej, blini vila.
– Çfarë b.q. ky, – tha Muli. – Unë një vilë bleva këtu me emër tjetër e më nxinë jetën. Ky mburret që blen vila në Itali me lekët tona.

