Dhunuan nënkomisarin: Arrestohen 6 persona dhe pezullohen dy efektivë policie në Sarandë

Dhunuan nënkomisarin: Arrestohen 6 persona dhe pezullohen dy efektivë policie në Sarandë

Një konflikt mes rojeve të sigurisë së një lokali dhe disa personave ka përfunduar me dhunimin e Shefit të Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:20 të mëngjesit të 16 gushtit, në rrugën “Butrinti”.

Sipas Policisë, nënkomisari M. B. po kalonte me automjetin e tij në momentin kur ka konstatuar konfliktin mes rojeve të sigurisë dhe disa shtetasve. Ai është ndalur, është prezantuar si punonjës policie dhe ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Rojet e sigurisë nuk e kanë ndalur konfliktin, por kanë goditur edhe efektivin e Policisë. Ky i fundit ka reaguar në vetëmbrojtje dhe ka mundur të njoftojë shërbimet e Policisë për të kërkuar ndihmë.

Rreth një minutë më pas, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, të cilat kanë neutralizuar situatën dhe kanë shoqëruar personat e përfshirë.

Në vijim të kontrolleve, policia ka lokalizuar edhe pjesën tjetër të rojeve të lokalit në një banesë në fshatin Gjashtë.

Pas veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, janë arrestuar gjashtë persona:

M. K., 35 vjeç, administrator i lokalit;
E. N., 38 vjeç;
F. H., 35 vjeç;
I. Ç., 34 vjeç;
A. K., 31 vjeç, ushtarak në Zall-Herr dhe roje sigurie në lokal;
B. S., 29 vjeç, taksist.

Ndërkohë, P. D., 28 vjeç, roje sigurie në të njëjtin lokal, është shpallur në kërkim.

Pezullohen dy efektivë

Në lidhje me ngjarjen, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të dy punonjësve të Policisë.

Bëhet fjalë për inspektor A. Sh., efektiv i Repartit “RESI”, dhe nënkomisar A. B., efektiv i RENEA-s.

Sipas Policisë, dy efektivët dyshohet se ishin të dypunësuar pa leje në lokalin ku ndodhi konflikti. Ata nuk kanë njoftuar Policinë për përplasjen dhe, megjithëse ndodheshin jashtë shërbimit, sipas autoriteteve duhej të ndërhynin për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Drejtoria e Standardeve Profesionale ka dërguar një grup pune në Sarandë dhe ka nisur hetimin disiplinor ndaj dy punonjësve.

Ndërkohë, hetimet nga Prokuroria e Sarandës vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të përfshirë në ngjarje.