U riatdhesua nga Siria, kush është Myrvete Dibra! Prej vitesh me vajzat në kamp, ish-bashkëshorti nga Ulqini akuzohej si pjesëtar i ISIS

U riatdhesua nga Siria, kush është Myrvete Dibra! Prej vitesh me vajzat në kamp, ish-bashkëshorti nga Ulqini akuzohej si pjesëtar i ISIS

Mes shqiptarëve të riatdhesuar nga Siria është edhe Myrvete Dibra, e cila prej vitesh ndodhej në kampet siriane së bashku me vajzat e saj.

Emri i saj është përmendur ndër vite në raportimet për gratë dhe fëmijët shqiptarë të mbetur në Siri. Fillimisht Dibra dhe fëmijët e saj qëndruan në kampin Al-Hol dhe më pas u transferuan në kampin Roj. Gjatë kësaj kohe, familjarët e saj në Shqipëri kishin bërë vazhdimisht thirrje për kthimin e tyre.

Në media raportohet se Myrvete Dibra ka qenë bashkëshortja e shtetasit malazez Hamid Beharović, nga Ulqini, i cili u dënua me 6 muaj burg nga Gjykata e Lartë në Podgoricë për pjesëmarrje në formacione të armatosura të huaja.

Sipas akuzës, Beharović kishte qëndruar në territorin sirian të kontrolluar nga ISIS/ISIL nga prilli 2015 deri në maj 2016. Ai kishte udhëtuar fillimisht drejt Turqisë dhe më pas kishte kaluar ilegalisht kufirin për në Siri.

Beharović i kishte mohuar pretendimet se kishte luftuar për ISIS-in. Ai pranoi se kishte shkuar në Siri, por deklaroi para gjykatës se nuk kishte marrë pjesë në luftime dhe se më pas kishte tentuar të largohej së bashku me familjen.

Pas kthimit në Mal të Zi, ai u arrestua dhe më pas u dënua me 6 muaj burg për pjesëmarrje në një formacion të armatosur të huaj.