Ëndërronte të bënte historinë e tij dhe të boksit shqiptar, por dueli me kampionin e WBC Agit Kabayel ka rezultuar tejet i vështirë për Nelson Hysën. 42-vjeçari ka mundur të rezistojë vetëm dy raunde në ndeshjen kryesore të boksit në Duseldorf, që kishte mbledhur rreth 55 mijë tifozë në stadium.
Kabayel, mbajtësi i titullit, tregoi supermacinë që në raundin e parë ndaj Nelson Hysës. Megjithatë në disa episode Hysa arriti t’i përgjigjej. Kjo deri në raundin e dytë kur shqiptari pësoi një lëndim në dorën e majtë, ndërsa për disa sekonda dueloi vetëm me të djathtën. Kabayel e kuptoi momentin dhe pas disa grushteve Hysa u dorëzua. Ekipi i shqiptarit kërkoi mbylljen e ndeshjes që parashikonte 12 raunde.
Për Nelson Hysën kjo ishte humbja e parë në karrierë në boksin profesionist. Pas 27 fitoresh gjigandi shqiptar dorëzohet përballë një kampioni botëror, që ka arritur të triumfojë ndaj më të mirëve të këtij sporti.

