Zbardhen kërcënimet e Nelson Hysës ndaj kampionit të Botës Kabayel, ndërhyn sigurimi për të shmangur grushtet

Zbardhen kërcënimet e Nelson Hysës ndaj kampionit të Botës Kabayel, ndërhyn sigurimi për të shmangur grushtet

Pas një nokauti spektakolar në raundin e dytë ndaj norvegjezit Thomas Narmo në “O2 Arena”, vëmendja e boksierit shqiptar Nelson Hysa u zhvendos me shpejtësi rrufe te lufta e vërtetë: ajo jashtë kordonëve të ringut.

Gladiatori i pamposhtur shqiptar (25-0) iu drejtua drejtpërdrejt zonës VIP, duke provokuar një përplasje të ashpër “fytyrë më fytyrë” me kampionin e botës, Agit Kabayel. Tensioni mes të dyve arriti në nivele kritike në pak sekonda, duke bërë të domosdoshme ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të sigurisë për të parandaluar një përleshje fizike.

“Mos ki frikë!” – Çfarë u tha sy më sy buzë ringut?
Hysa nuk u tërhoq për asnjë moment, duke i kërkuar llogari kampionit për shmangien e vazhdueshme. Transkripti i debatit zbulon guximin e shqiptarit për t’i lëshuar dorezën e sfidës direkt në sy:

Hysa: Ke frikë nga unë?

Agit: Jo, unë mund të ndeshem me këdo.

Hysa: Atëherë pse nuk po ndeshesh me mua?

Agit: Unë mund të ndeshem me këdo, ku do të dalësh?

Hysa: Unë po vij në Gjermani, në shtëpinë tënde, për t’u ndeshur me ty.

Agit: S’ka problem.

Hysa: Mos ki frikë, do të të bëj nokaut!

Agit: Mos trego mungesë respekti, se do të përfundojë keq për ty.

Përplasja merr flakë në media
Gjakrat mbetën të ndezura edhe kur boksierët folën për mediat ndërkombëtare. Para mikrofonave të “DAZN”, Hysa shpërtheu me fjalë të forta: “Shkova te Kabayel sepse ai vazhdon të më fshihet dhe të vrapojë larg meje. Të gjithë po ia mbathin. Unë jam 25-0, duhet të ndeshem për titull. Dua Agit Kabayel dhe të gjithë kampionët!”

I ndodhur nën presionin e sfidës publike, Kabayel u përpoq të ruante qetësinë përmes arrogancës. Ai e minimizoi kërkesën e Hysës, por nuk ngurroi ta pranonte dorezën e hedhur: “Nuk e di çfarë po ndodh; ai flet sikur të ishte superstar. Epo hajde në Gjermani atëherë, jam gati. Janë para të lehta dhe një ndeshje e lehtë. Nëse nuk ka njeri rrotull, ndoshta mund të ndeshem me të këtë vit.” E gjithë bota e boksit tani po pret të shohë nëse gjermani do të mbajë fjalën për t’u përballur me “uraganin” shqiptar.