Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi këtë të hënë se ende nuk ka marrë dokumentet e dorëzuara në Ambasadën Amerikane për udhëtimin e paralajmëruar drejt Shteteve të Bashkuara.
Berisha bëri të ditur se dokumentet ndodhen ende në ambasadë, ndërsa theksoi se nuk ka marrë asnjë njoftim lidhur me pasaportën e tij.
“Dokumentet janë në ambasadën amerikane dhe unë nuk kam planifikuar asnjë takim. Unë do shkoj në Teksas në një konferencë të Partisë Republikane Amerikane, unë jam në një delegacion të Unionit Demokratik Ndërkombëtar, një delegacion i gjerë. Unë nuk kam pasur asnjë njoftim për pasaportën”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së kishte bërë publik dy ditë më parë planin për të udhëtuar drejt SHBA-së, ndërsa sipas deklaratës së sotme, ende nuk ka marrë një përgjigje për dokumentacionin e dorëzuar.
Berisha tha se synon të udhëtojë drejt Teksasit për të marrë pjesë në një konferencë të republikanëve amerikanë, si pjesë e një delegacioni të Unionit Demokratik Ndërkombëtar. Ai gjithashtu deklaroi se nuk ka planifikuar takime në Departamentin Amerikan të Shtetit.

