Trafik armësh? Drejtuesi i KAYO mohon akuzat: Nuk jemi përfshirë, janë mashtrime!

Trafik armësh? Drejtuesi i KAYO mohon akuzat: Nuk jemi përfshirë, janë mashtrime!

Disa përgjime që implikojnë shoqërinë shtetërore KAYO në plane për trafik armësh, janë bërë publike nga ish-numri 2 i qeverisë, Arben Ahmetaj. Administratori i KAYO, Ardi Veliu, në një intervistë për Opinion me gazetarin Blendi Fevziu, ka mohuar çdo pretendim.

Në përgjime dëgjohet Ron Yeffet, një amerikano-izraelit, i cili i parashtron planet për tranzit armësh (që do të prodhohen në Sudan apo Nigeri, ambalazhohen në Shqipëri e me destinacion Ukrainën), një biznesmeni ukrainas me emrin Igor.

Ron Yeffet, një vit më parë ka marrë 49% të aksioneve nga kompania TIMAK e Arjeta Puca. KAYO në bashkëpunim me TIMAK kanë krijuar kompaninë bijë TIMAK Defence (për prodhim dhe përshtatje të automjeteve në bazë të nevojave të ushtrisë shqiptare) nga ku KAYO ka 20% të aksioneve ndërsa TIMAK Defence 80%.
Fevziu: KAYO është kompani shtetërore. Pse ka krijuar deri më tani 4 kompani bija, ku shteti është në aksione minoritare?

Veliu: Informacioni që keni ka nevojë të përditësohet. Kemi 6 kompani, jo 4. E fundit është ajo e Fincantierit. Raporti i bashkëpunimit ndërmjet bashkëpunëtorëve ekonomikë nuk është fiks. Në rast se KAYO ka interes të zhvillojë një produkt vetë, duhet të hapë një garë dhe për këtë duhet të ndiqen procedurat për prokurim publik.
Kur nga operatorë ekonomikë, të cilët kanë eksperiencë dhe janë në gjendje të zhvillojnë një produkt të caktuar, ata në fillim shprehin letrën e interesit dhe, bazuar në këtë, fillojnë negociatat për të hartuar një plan biznesi të detajuar për këtë produkt të caktuar. Nëse ky produkt do të jetë fitimprurës dhe nuk kërkon angazhim konkret nga pala jonë… nga KAYO janë harxhuar zero lekë për themelimin e këtyre kompanive.

Timak Defence e ka filluar kërkesën që në janar 2025 që ka kërkuar të hyjë në partneritet me KAYO, për të prodhuar automjete të përshtatura për kalueshmëri të lartë për forcat e armatosura, dhe për gamën e mjeteve që kanë nevojë për përshtatje.

Fillimisht sipas VKM-së, nga kompania TIMAK Defence, KAYO do të kishte 45% të aksioneve, ndërsa kushtet u rishikuan dhe një tjetër VKM u firmos në qeveri me KAYO-n që merrte vetëm 20% të akioneve. Veliu thotë se marrëveshja u rishikua për shkak të propozimit të ri që erdhi nga kompania TIMAK.

Fevziu: Kur është krijuar fillimisht Timak Defence së bashku me KAYO-n, fillimisht është kërkuar që KAYO të jetë 45% aksioneve, pastaj me një VKM është vendosur me 20%.

Veliu: Para se të konkretizonim një bashkëpunim, ne duhet të marrim një VKM ku na përcaktohet mënyra dhe kushtet sesi duhet të negociojmë. Pasi morëm VKM, kaluam në bordin e KAYO-s dhe u mor autorizimi që të ngrihej grupi negociator. Ne ngecëm në negociata, pasi në mes Timak u tërhoq dhe solli plan biznesi të ri, ku e trefishonte investimin. Në këto kushte u kërkua nga bordi ripërcaktim i kushteve të negocimit. Pasi doli VKM me kushtet e reja, u arrit ajo marrëveshje.

I pyetur për përfshirjen e Ron Yeffet në marrëdhënien e bashkëpunimit, Ardi Veliu thotë se negociatat e KAYO-s janë me TIMAK, kompani që rrugës ka vendosur për shitjen e aksioneve të saj. Ardi Veliu ka mohuar përfshirjen e kompanisë shtetërore shqiptare KAYO në tranzit armësh.

Fevziu: Si është përfshirë Ron Yeffet, një personazh që me një kërkim të thjeshtë del problematik në disa vende, aksioner në prodhimin e armëve. Është marrë me investime, me real estate, por kurrë me armë.

Veliu: Timak Defence ka shitur aksionet në rrugë e sipër. Negociatat tona kanë nisur me Timak. Unë Ron Yeffet e kam takuar ditën kur është themeluar kompania se ishte aksioner.

Fevziu: Në një përgjim Ron Yeffet flet për tranzitim të armëve në Shqipëri. Të mund t’i prodhojmë në Sudan, Nigeri dhe do t’i ambalazhojmë në Shqipëri dhe do t’i çojmë në Ukrainë. A ka të drejtë KAYO që të bëjë tregti nga një vend drejt një vendi tjetër vetëm me tranzitim Shqipërinë apo duhet të plotësojë vetëm nevojat e industrisë shqiptare të mbrojtjes?

Veliu: KAYO, duke qenë shoqëri tregtare, ka të gjithë të drejtën të zhvillojë aktivitete në Shqipëri dhe të dalë në eksport me të gjitha prodhimet që do të prodhohen në Shqipëri. Për të shkuar në prodhim, legjislacioni shqiptar është i rregulluar. Për të prodhuar, duhet të marrë licencë. Ne nuk mund të importojmë lëndë të para që do të përdoren për prodhimin e produkteve të licencuara që janë në luftë, nuk janë vende mike. Është e pamundur që një produkt që do të prodhohet në një vend tjetër, të paketohet këtu dhe të eksportohet.

Mandej, Veliu ka sqaruar se shuma e parave (15 milionë euro) që TIMAK Defence duhet të investojë në marrëdhënien e partneritetit është në vijim dhe e ndarë në disa faza dhe kryesisht do të shkojnë për rivitalizimin e ambienteve që do të shërbejnë si fabrika.

Fevziu: Timak Defence, sipas ligjit, duhet të derdhë 15 mln euro që të fillonte aktivitetin. Në të dhënat e mia kjo shumë nuk është derdhur dhe aktiviteti ka filluar duke marrë çdo muaj 3 mln nga Ministria e Mbrojtjes.

Veliu: Jo, nuk është e vërtetë. Ky 15 mln euro do të jetë për rivitalizimin e ish-uzinës së traktorit, që duhet të kthehet në ambiente të përshtatshme. Ky investim po kryhet. Projekti i propozuar nga Timak është duke u analizuar nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes. Pasi të marrë certifikatë për prodhimin e produktit, kur të jetë në gjendje finale, do të kalojë në laborator për t’u certifikuar. Në fillim me Timak Defence, do të vazhdojmë me përshtatjen e makinave të kalueshmërisë së lartë, në varësi të nevojave.

Fevziu: Si shpjegohet që Ron Yeffet flet në emër të KAYO-s dhe jo të Timak Defence?

Veliu: Se çfarë thotë x apo y në jetën e tij private, kjo është përgjegjësi e atyre, jo e jona. Nuk jemi përfshirë në trafik armësh. Zero. Deri më tani përfshirja e KAYO-s është zero, se fabrikat që kemi marrë dhe i kemi në pronësi, aktiviteti është zero i prodhimit, nuk kemi asnjë lloj mundësie, qoftë dhe teorike, që t’i futemi këtij procesi.