Ekipet mbrojtëse të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë paralajmëruar se do të apelojnë aktgjykimin dënues të shqiptuar nga trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 16 shtator.
Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim për katër pika të aktakuzës për krime lufte, Jakup Krasniqi po ashtu u dënua me 25 vjet burgim, ndërkaq Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Të katër ish-eprorët e UÇK-së u shpallën penalisht përgjegjës për krime lufte që përfshijnë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Gjatë aktgjykimit të shqiptuar në Hagë, trupi gjykues hodhi poshtë akuzat e ZPS-së për krime kundër njerëzimit.
Katërshja e UÇK-së gjendet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Vendimi i trupit gjykues mund të apelohet nga palët e përfshira, nga mbrojtja e cila mund të kërkojë rrëzimin e aktgjykimit në tërësi apo të synojnë uljen e dënimit për pika të caktuara të akuzës, por edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që mund të kërkojë ashpërsim të dënimit.
ZPS-ja mirëpriti vendimin dënues dhe shtoi se do të shqyrtojë të gjithë aktgjykimin, përfshirë edhe rrëzimin e pikave të akuzës që kishin të bënin me krime kundër njerëzimit.
Por, cilat janë procedurat që palët ndjekin për apelim?
Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave, palët që apelojnë vendimin e gjykatës ose dënimit, ose të dyja së bashku, duhet të dorëzojnë atë që quhet njoftimin për apel, ku parashtrohen arsyet e apelimit, 30 ditë nga shpallja e aktgjykimit.
Më pas, kryegjykatësi i panelit të Gjykatës së Apelit – gjykatë që përbëhet nga tre anëtarë – mund të caktojë një prej gjykatësve si gjykatës raportues për procedurën para apeluese. Gjykatësi raportues ka për detyrë të marrë masat e nevojshme për aspektet procedurale, sikurse janë lëshimi i vendimeve, urdhrave dhe udhëzimeve me qëllim që të përgatitet çështja për shqyrtim. Ai duhet që rregullisht ta informojë panelin e Gjykatës së Apelit, veçmas nëse ka kontestime lidhur me çështjet procedurale.
Më pas, brenda 21 ditësh nga njoftimi për apel, kryegjykatësi apo gjykatësi raportues e thërret një konferencë ku ngrihen çështje rreth apelit.
Palët që parashtrojnë apel duhet të dorëzojnë dosjen e apelit e cila përmban të gjitha argumentet dhe burime të tjera ligjore ku mbështeten arsyet e apelimit. Kjo duhet të dorëzohet brenda 60 ditësh apo brenda 30 ditësh nga njoftimi për apel, nëse çështja ka të bëjë vetëm me dënimin e shqiptuar.
Më pas palët dorëzojnë të ashtuquajturën dosje të përgjigjes, ku paraqesin argumentet ligjore të tyre. Afatet se kur dorëzohet kjo dallojnë: 30 ditë për argumentet dhe burimet ligjore dhe 15 ditë vetëm për dënimin nga paraqitja e dosjes. Kjo pasohet me dosjen e kundërpërgjigjes për të cilën afatet janë më të shkurtra, 15 dhe 10 nëse ka të bëjë vetëm me dënimin.
Pas gjithë këtyre afateve, Gjykata e Apelit e cakton datën e një seance “nëse është e nevojshme”, thuhet në rregullore.
Rregullorja parasheh që palët mund të dorëzojnë prova shtesë gjatë procedurës së apelimit dhe nëse ato pranohen, pala tjetër mund të paraqesë kundërprova.
Gjatë vendimit, Paneli i Apelit shqyrton çdo provë shtesë të pranuar, por edhe provat që veçse janë pjesë e dokumentacionit.
Sapo të përfundojnë parashtrimet nga palët, paneli i Apelit mblidhet dhe shqyrton çështjen dhe nxjerr aktgjykim për dokumentacionin e apelit dhe për çdo provë shtesë të pranuar.
Pra, Gjykata e Apelit mund të lërë në fuqi, të zhbëjë ose të ndryshojë aktgjykimin e trupit gjykues apo të mbahet rigjykim.
Megjithatë, nëse kërkesa për apel bëhet vetëm nga personat e shpallur fajtorë, Gjykata e Apelit nuk mund të shqiptojë vendim më të rëndë se shkalla e parë.
Vendimi i apelit shqiptohet brenda 60 ditësh nga parashtrimi i fundit i palëve. Megjithatë, edhe për këtë mund të kërkohet kohë shtesë, por jo më shumë se një muaji dhe zgjatja e afatit duhet të arsyetohet.
Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar janë tri arsye për të cilat mund të dorëzohen apele për vendime të shkallës së parë: ndonjë gabim rreth ndonjë çështje juridike që e shfuqizon aktgjykimin, ndonjë gabimi faktik i cili ka shkaktuar dështimin e drejtësisë ose ndonjë gabimi për sa i përket dhënies së dënimit.
Nëse palët nuk janë të kënaqura me vendimin e Apelit, çështja mund të dërgohet në Gjykatën Supreme dhe më pas në atë Kushtetuese të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Mbrojtësit e ish-presidentit, Hashim Thaçi, thanë se procesi i apelimit mund të marrë vite kohë.

