Barazia gjinore në Shqipëri shënon hapa të rëndësishme. Forumi Ekonomik Botëror ka publikuar raportin e ri, ku Shqipëria ngjitet me11 vende, duke u pozicionuar në vendin e 25-të në botë për vitin 2026, nga vendi i 36-të që renditej një vit më parë.
Vendi ynë ka mbyllur 77.5% të hendekut total gjinor, duke lënë pas fqinjët e rajonit, pasi mban vendin e parë në Ballkanin Perëndimor.
Serbia renditet e 39-ta, pas një rënie prej 13 vendesh, ndërsa më pas vijnë Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Në shkallë europiane, Shqipëria pozicionohet e 16-ta, menjëherë pas Sllovenisë madje dhe para Zvicrës, ndërkohë që në krye të kontinentit vazhdojnë të qëndrojnë vendet nordike: Islanda, Finlanda dhe Norvegjia.
Pika më e fortë për Shqipërinë mbetet ekonomia.
Vendi ynë renditet i 12-ti në botë për mundësitë ekonomike, ndërsa e renditur e para në botë për barazinë e pagave për punë të ngjashme mes grave dhe burrave.
Të dhënat e INSTAT konfirmojnë se gjatë vitit 2025, gratë në pozicione drejtuese dhe komerciale paguheshin mesatarisht rreth 8% më shumë se burrat, duke arritur në 232 mijë lekë në muaj, krahasuar me 214 mijë lekë të burrave.
Përparim i ndjeshëm është shënuar edhe në arsim dhe shëndetësi, ku hendeku është mbyllur në masën mbi 96%.
Megjithatë, sfidat mbeten te fuqizimi politik. Ndonëse kabineti qeveritar ka një përfaqësim të lartë grash në postet ministrore, Kuvendi dhe nivelet e tjera të vendimmarrjes mbeten fusha ku duhet ende punë për të arritur barazinë e plotë pasi Shqipëria ka mbyllur vetëm 37.3% të hendekut gjinor politik.

