HomeDebat

VIDEO/ Flamur Noka: Mereme Sela, e vetmja demokrate që plotëson kriteret për të kandiduar për kryetare të PD

VIDEO/ Flamur Noka: Mereme Sela, e vetmja demokrate që plotëson kriteret për të kandiduar për kryetare të PD

Flamur Noka, ka komentuar procesin e kandidimeve për drejtimin e partisë, duke përcaktuar se cilët nga emrat që kanë shprehur interes për drejtimin e PD janë përfaqësues të vlerave demokrate.

Në një prononcim për mediat nga selia blu, Noka justifikoi mosregjistrimin e Ervin Salianjit dhe Alesia Balliut si kandidatë për kryetar të PD, duke i akuzuar për lidhje me figura pranë qeverisë. Sipas tij, njëri është “shërbëtor i Ergys Agasit”, ndërsa tjetra “e lidhur me Karlo Bolinon”, të cilin e etiketoi si “Vari Karlo”.

“Për Gysin nuk do të jetë kurrë kjo derë e hapur. Për ‘Vari Karlon’ nuk do të jetë kjo derë e hapur. Kur të hapet gara për administratorin e Gysit, le të aplikojnë atje. Për të qenë pjesë e PD duhet së pari të jesh demokrat dhe jo t’i shërbesh Ramës, por demokratëve”, u shpreh Noka.

Sipas tij, e vetmja demokrate që plotëson kriteret është Mereme Sela, kërkesa e së cilës për të kandiduar është pranuar nga strukturat e partisë.

“Mereme Sela është demokrate, është anëtare e partisë. Plotësimi i kritereve është çështje e institucioneve, por ajo është demokrate”, deklaroi Noka.

Zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike pritet të mbahen më 18 prill. Megjithatë, vëmendje ka tërhequr afati i shkurtër për regjistrimin e kandidaturave, pasi nga publikimi i vendimit deri në dorëzimin e dokumenteve kanë qenë më pak se 24 orë.