HomeKronike

Kush e spiunoi Ervin Matën? Jeta e tij si “Tommaso Buscheta” në Brazil

Kush e spiunoi Ervin Matën? Jeta e tij si “Tommaso Buscheta” në Brazil

Ervin Mata, një biznesmen kontravers ndërtimi i akuzuar nga SPAK për përfshirje në disa episode trafikimi droge nga Amerika Latine në Europë dhe Shqipëri, u arrestua katër ditë më parë në ishullin Ilhabela në Brazil.

Ai kërkohej prej vitesh nga drejtësia shqiptare dhe kishte mundur t’i shpëtonte arrestimit, pasi jetoi mes Amerikës Latine, Spanjës dhe Brazilit, ndërkohë që në Tiranë, SPAK po zbardhte episodet kriminale ku ai ishte përfshirë, nga trafikimi i drogës, te krijimi i organizatës kriminale.

“Manjati shqiptar Ervin Mata u arrestua në Ilhabela, në bregdetin e São Paulo, natën e së shtunës së kaluar (25), nga Policia Federale dhe Policia Ushtarake lokale”, raportoi CNN Brazil, derisa lajmi mbërriti dhe në Shqipëri.

Biznesmeni i njohur në Tiranë deri pak vite më parë vetëm për përfshirjen në ndërtimin e kullave të banimit dhe biznesit në kryeqytet, derisa u përplas me Ervis Martinaj në atë që mori emrin “masakra e Bllokut”, kishte zgjedhur të jetonte në Ilhabela.

Ishulli në brigjet e Brazilit njihet si vendi ku ka lindur mafia vendase dhe ku në vitet 1970 shkoi të jetonte edhe Tommaso Buscheta, një nga udhëheqësit më të mëdhenj të mafies siciliane.

Në atë kohë, ishulli ishte një vend turistik paqësor dhe i qetë dhe Buscheta krijoi “linjën Ilha Bela”.

Ai sillte drogë (kokainë dhe heroinë) me shumicë nga porti i Marsejës, Francë, për t’i çuar në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Tommaso Buscheta jetoi pa u vënë re në ishull. Shumica e njerëzve që e njihnin nuk ishin në dijeni të së kaluarës së tij dhe rolit të tij në mafia.

Tommaso, i cili përdorte emrin Tomas Roberto Felice, njihej si “Toninho” ose “Toni”, një italian që udhëtonte nëpër ishull me motoçikletë dhe përdorte një bar dhe restorant pranë detit si zyrën e tij të biznesit.

Ai drejtonte operacionet e kontrabandës së kokainës dhe heroinës drejt Shteteve të Bashkuara, duke përdorur anije që ankoroheshin në portin e São Sebastião dhe gjithashtu avionë që uleshin natën në aeroportin e vogël me pistë dheu që ekzistonte në ishull.

Atje, katër ditë më parë, u arrestua edhe biznesmeni kontravers shqiptar Ervin Mata.

Nuk dihet nëse ai kishte shkuar atje për të ecur në gjurmët e mafiozit italian që u bë i penduari i parë i mafias, apo e kishte zgjedhur ishullin turistik për jetën e qetë dhe luksoze.