Me sheshe gjithnjë e më bosh dhe protesta që po humbasin forcën, Sali Berisha ka gjetur një tjetër fajtor: mediat. Por, monitorimi për marsin i Autoritetit të Mediave Audiovizive konfirmon se Partia Demokratike e Shqipërisë është ulur këmbëkryq në ekranet e shqiptarëve. Për muajin mars, PD zë 60.12% të kohës televizive, ndërsa Partia Socialiste e Shqipërisë renditet e dyta me thuajse gjysmën e kohës në 37.21%.
I ftuar në Repolitix, juristi Kreshnik Spahiu tha se monitorimi i AMA-s rrëzon të gjitha pretendimet e kryedemokratit për censurimin e opozitës,
“Ka një pasqyrë nga monitorimi dhe minutazhi të hapësirës që ka opozita dhe qeveria, këto janë për mediat, por i njëjti raport është edhe për portalet edhe për gazetarët. Fatmirësisht, mendoj që është në nivel shumë të qartë, e hapësh TV në mëngjes dhe të lexosh se 90% e gazetave janë me titujt kundër qeverisë, unë mendoj se është titull shumë pozitiv. Opozita ka më shumë hapësirë dhe kjo nuk është vetëm në media, hap TV del Sali Berisha, hap frigoriferin del Sali Berisha, del kudo.
Sot ka mbajtur një qëndrim që na tërheq gjithë mediat. Fakti që opozita ka më shumë hapësirë, në 24 orë del Sali Berisha, ose paguhet media, ose jemi në një vend me media të pavarur. Në Gjermani, kur del një lajm është 40 sekonda dhe jo me sinkron, me mbulim, pra hapësira për kryeministrin është 40 sek në lajm. T’ia bëjnë si Albin Kurtit në Kosovë, i mbyllin kamerat aty”,- tha Spahiu.

