Në përgjigje ndaj akuzave të bëra nga Sali Berisha për raportin e PE për demokracinë, kreu i Grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla ka ironizuar kur tha se PD ankohet edhe për vjedhje brenda partisë. Më tej, i kujtoi skualifikimin e Mereme Selës si mosrespektim të barazisë gjinore.
“Sa i përket pjesës së demokracisë, ankoheni që po ju vjedhin votat brenda partisë suaj. Një çikë respekt për barazinë gjinore, një grua si Meremja e shkretë kërkoi të kandidonte, e skualifikuat. Një kandidat nga gjinia tjetër do të bënte mirë”, tha Balla.
Po ashtu, Balla u shpreh se 80% e Parlamentit Europian mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Falënderime për të gjithë eurodeputetët që e votuan. Vihet re që shumica në Komisionin e Politikës së Jashtme dhe siç do të duket në seancën 17-18 qershorit shkon përtej tre grupimeve më të rëndësishme politike. Dua ta filloj falënderimin me partinë popullore europiane, socialistët dhe demokratët europianë, por edhe grupimet e tjera që e kanë mbështetur. 80% e PE mbështet përmbylljen e kësaj aspirate historike deri në vitin 2030, ku të gjithë së bashku, të majtë e të djathtë, të shohim flamurin kuqezi në oborrin e PE-së. Komisioni rrëzoi pjesën më të madhe të amendamenteve. E vërteta është se edhe nëse ndonjë amendament ishte dërguar me email nga Tirana, nuk e kaloi dot filtrin e komisionit të jashtëm.
Mendoj se Shqipëria në Ballkan është vendi ku minoritetet respektohen më mirë se në çdo vend tjetër. Ka vende të tjera në Ballkan që nuk i njohin minoritetet. Shpresoj që deri në seancën plenare kjo pika 12 të rishikohet. Sa i përket pjesës që Komitetit për Politikën e Jashtme vlerëson progresin e Shqipërisë, duke evidentuar hapjen e të gjithë grupkapitujve në një kohë të shkurtër. Ftesa për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit është gjithmonë e hapur. Të ulemi ditën e hënë dhe të shkojmë te rekomandimet”, u shpreh Balla.

