HomeAktualitetDosja X

Skandali i radhës në çështjen administrative “Dado”: Artur Metani shqyrtoi ankimin për një proces ku ai vetë kishte marrë pjesë

Skandali i radhës në çështjen administrative “Dado”: Artur Metani shqyrtoi ankimin për një proces ku ai vetë kishte marrë pjesë

Një zhvillim i ri i dalë gjatë gjykimit administrativ për pavlefshmërinë e dekretit të emërimit të prokurorit Ols Dado po kthen çështjen në një nga skandalet më të rënda institucionale të viteve të fundit në sistemin e drejtësisë.

Dokumentet e administruara në proces tregojnë se në vitin 2008, në mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë ku është kaluar kandidatura e Ols Dados për prokuror, ka qenë i pranishëm si përfaqësues i Presidentit të Republikës edhe Artur Metani, në atë kohë këshilltar juridik pranë Presidentit.

Vite më vonë, kur Erion Veliaj ka paraqitur një ankim lidhur me ligjshmërinë e këtij emërimi, ky ankim është shqyrtuar dhe arkivuar pikërisht nga Artur Metani, tashmë në cilësinë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Pra, i njëjti funksionar publik ka marrë pjesë institucionalisht në procesin e emërimit dhe më pas ka shqyrtuar vetë ankesën që vinte në diskutim ligjshmërinë e atij procesi.

Në çdo shtet normal të së drejtës, vetëm ky fakt do të mjaftonte për të ngritur menjëherë diskutimin mbi konfliktin e interesit dhe detyrimin për të hequr dorë nga shqyrtimi i çështjes.

Ligji shqiptar për konfliktin e interesit detyron funksionarët publikë të deklarojnë dhe shmangin çdo situatë ku ekziston mbivendosje rolesh apo interesash në një procedurë administrative ose institucionale. Deri më sot nuk rezulton publikisht që Artur Metani të ketë bërë një deklarim të tillë përpara se të shqyrtonte dhe arkivonte ankimin e Erion Veliajt.

Ky fakt hedh një dritë shumë më të rëndë mbi mënyrën se si funksionojnë mekanizmat e kontrollit brenda sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Sepse pyetja që lind tani nuk lidhet më vetëm me ligjshmërinë e emërimit të Ols Dados si prokuror.

Pyetja është shumë më e madhe:

A po funksionon sistemi i drejtësisë si një mekanizëm i mbyllur korporativ, ku anëtarët e sistemit kontrollojnë, mbrojnë dhe legjitimojnë njëri-tjetrin, edhe kur vetë ligjshmëria e veprimeve të tyre vihet seriozisht në dyshim?

Nëse ky standard do të pranohej për çdo qytetar tjetër, çdo procedurë administrative në Republikën e Shqipërisë do të konsiderohej e kompromentuar nga konflikti i interesit.

Por kur bëhet fjalë për vetë sistemin e drejtësisë, duket se ligji fillon të zbatohet ndryshe.