Nga Adriatik Doçi
Vijon persekutimi i çmendur politiko-gjyqësor ndaj Erion Veliajt, i arrestuar bazuar në një dosje letrare të shkruar nga filozofi në tentativë, ndërtuesi dhe noter-violina Ols Dado, i emëruar prokuror në thyerje flagrante të ligjit të kohës.
Edhe sikur akuzat e fantazistit Ols Dado (që i kërkonte Veliaj leje për pallat dhe më pas shtesë pallati në kundërshtim me ligjin dhe duke përdorur funksionin e magjistratit), të qëndrojnë, vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë për të lënë në burg Veliaj, kur ka mbarur hetimi (mbledhja e provave), thellon kulturën e operimit me dy standarde, mosbesimin te drejtësia e re si dhe bie në kundërshtim me vetë vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, vendim i cili kërkon një arsyetim të thelluar për masën ekstreme të paraburgimit.
Për shembull, dhëndri zëhollë i Sali Berishës, Jamabër Malltezi, me të njëjtat akuza si të Veliajt, po gjykohet në liri, madje cicëron çdo ditë kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve të dosjes së tij penale.
Monika Kryemadhi, me të njëjtat akuza si Veliaj, jo vetëm po gjykohet në liri, por përmes karagjozllëqeve po tenton t’a kthejë në skeç çështjen e saj penale. Erzen Breçani, me akuzë më të rëndë penale, atë të grupit të strukturuar kriminal, jo vetëm po gjykohet në liri, por përlan çdo javë para publike përmes tenderave të dyshimtë.
Në një kohë kur Erion Veliaj mbahet në burg pa firnosur asgjë, por për raftin e bashkëshortes, Sali Berisha, me të paktën 32 vrasje të provuara mbi kurriz, jo vetëm që është i lirë, por qahet çdo ditë për përkeqësimin e demokracisë dhe telendis magjistratët e dosjes së korrupsionit të tij dhe Familjes. Këto rrethana faktike tregojnë se disa janë ‘më barabartë’ se të tjerët para drejtësisë së re, e cila nuk po çlirohet nga fantazma e të vjetrës.

