HomeAktualitetDosja X

VIDEO/ 28 maj 1996 vs 23 maj 2026, mungon vetëm fotografia me portrete të përgjakura

VIDEO/ 28 maj 1996 vs 23 maj 2026, mungon vetëm fotografia me portrete të përgjakura

Këto pamje i përkasin 28 majit të vitit 1996. Janë drejtues socialistë në sheshin “Skënderbej”, të gjakosur nga dhuna policore, gjatë protestës kundër manipulimit të zgjedhjeve të 26 majit. Ato mbeten ndër fotografitë më domethënëse të tranzicionit shqiptar: opozita në rrugë, pushteti kundër saj dhe shteti i kthyer në instrument në duart e një individi.

Zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996 konsiderohen si momenti kur në Shqipëri nisi institucionalizimi i manipulimit zgjedhor. Në qendër të kësaj historie ishte Sali Berisha, atëherë president i vendit, i cili kishte përqendruar pushtetin në duart e tij dhe kishte ndërtuar një model qeverisjeje me tipare të forta autoritare, dhe paralelisht mbahej e përforcohej retorika antikomuniste si metodë kamuflimi për të justifikuar tiparet e diktatorit, që po rishfaqeshin vetëm pesë vite pasi diktatura kishte rënë.

Pas katër vitesh në pushtet, PD kishte detyrimin të provonte se Shqipëria mund të zhvillonte zgjedhje sipas standardeve demokratike europiane. Por ndodhi e kundërta. Procesi i 26 majit u shoqërua me presion ndaj opozitës, përdorim të administratës shtetërore, ndërhyrje të policisë dhe shërbimeve sekrete, manipulim të numërimit dhe intimidim politik. Partia Socialiste tërhoqi komisionerët nga qendrat e votimit para përfundimit të procesit, duke deklaruar se zgjedhjet po deformoheshin dhe duke deklaruar njëherësh që nuk do t’i pranonin rezultatet e atij procesi.

Raportet ndërkombëtare ishin ndër më të ashprat që kishte marrë ndonjëherë Shqipëria pas rënies së komunizmit. ODIHR evidentoi shkelje masive të Kodit Zgjedhor, pengim të opozitës në fushatë, përdorim të TVSH-së si propagandë qeveritare dhe manipulime gjatë numërimit të votave. Në disa zona u raportuan pjesëmarrje mbi 100%, mospërputhje mes votave dhe firmave në regjistra, vota të pavlefshme të shpallura arbitrarisht dhe ndërhyrje të njerëzve të armatosur pranë qendrave të votimit.

Por ajo që mbeti si trashëgimia më e rëndë e vitit 1996 nuk ishte vetëm deformimi i një procesi zgjedhor. Ishte modeli politik që Sali Berisha ndërtoi: pushteti mbahet me çdo kusht, institucionet përdoren si armë politike dhe kundërshtari nuk mundet në garë, por neutralizohet përmes presionit, frikës dhe kontrollit.

Dhe asgjë nuk duket se ka ndryshuar në stilin e Berishës. Tridhjetë vjet më pas, në 23 maj 2026, historia e manipulimit u përsërit, këtë herë brenda vetë Partisë Demokratike. Në vend të një gare reale politike, procesi u dominua nga kontrolli i strukturave, përjashtimi i kandidatëve dhe eliminimi i çdo zëri kritik. Brenda PD-së u riprodhua i njëjti model që Berisha aplikoi ndaj shtetit në vitin 1996: kontroll absolut mbi procesin, delegjitimim i kundërshtarëve dhe imponim i rezultatit përmes forcës politike dhe autoritetit personal.

Nëse në vitin 1996 manipulimi deformoi demokracinë shqiptare, në vitin 2026 ai vulosi krizën e demokracisë brenda vetë Partisë Demokratike. Berisha jo vetëm nuk u shkëput kurrë nga modeli që ndërtoi tri dekada më parë, por e riktheu atë si mënyrën e vetme të funksionimit politik: pushteti nuk dorëzohet, gara nuk lejohet dhe vota vlen vetëm kur prodhon rezultatin e dëshiruar nga lideri. Asgjë nuk ka ndryshuar midis 28 majit 1996 dhe 23 majit 2026, mungon vetëm fotografia me fytyra të përgjakura.