Një tjetër konflikt i rëndë ka përfshirë ish-çiftin e njohur Mauro Icardi dhe Wanda Nara. Futbollisti argjentinas po hetohet pas një denoncimi të bërë nga ish-bashkëshortja e tij, e cila pretendon se vajza e tyre 11-vjeçare është dhunuar fizikisht nga i ati.
Sipas mediave argjentinase, gjithçka nisi më 6 nëntor, kur Wanda Nara telefonoi shërbimet e urgjencës dhe njoftoi policinë për një situatë shqetësuese në banesën e Icardit në Nordelta.
Në dëshminë e saj, ajo deklaroi se vajza e kishte kontaktuar përmes një kompjuteri, duke i kërkuar ndihmë. Sipas pretendimeve të raportuara në procesverbalin policor, e mitura i kishte shkruar se ishte vetëm, kishte frikë dhe se babai e kishte goditur, pasi më parë e kishte qortuar dhe mbyllur në dhomë.
Policia ndërhyri në banesë, ndërsa vajza doli nga shtëpia dhe iu bashkua nënës së saj. Në atë moment, në pronë ndodhej edhe vajza tjetër e çiftit, e cila gjithashtu u largua me Wandën.
Pas denoncimit, prokurori Julio Petrucci nisi procedurat për dyshimin e lëndimit të lehtë trupor dhe urdhëroi kryerjen e një ekzaminimi mjeko-ligjor për vajzën. Gjykata vendosi gjithashtu që Icardi të mos i afrohet dhe të mos komunikojë me të për 45 ditë.
Çështja mori një tjetër zhvillim të dielën, më 8 nëntor, kur policia bastisi banesën e futbollistit me urdhër gjykate. Gjatë kontrollit u sekuestruan një kompjuter MacBook, një telefon celular dhe çanta e shkollës së vajzës, sende që mund të ndihmojnë në hetimin e ngjarjes.
Megjithatë, po atë ditë, gjykata pranoi kërkesën e mbrojtjes dhe i dha Icardit përjashtim nga masa e paraburgimit, duke i lejuar të përballet me hetimin në liri. Kjo masë nuk e mbyll çështjen dhe nuk e shfuqizon ndalimin 45-ditor për kontakt me vajzën.
Futbollisti i ka mohuar akuzat përmes një deklarate të publikuar nga avokatët e tij në Instagram. Mbrojtja pretendon se Icardi nuk e ka goditur kurrë të bijën dhe e ka cilësuar bastisjen e banesës si të panevojshme. Avokatët kanë kërkuar gjithashtu respektimin e privatësisë së dy vajzave.
Mauro Icardi dhe Wanda Nara, të cilët u ndanë pas një marrëdhënieje të shoqëruar me konflikte dhe përplasje publike, janë përfshirë vazhdimisht në mosmarrëveshje që lidhen me kujdestarinë e fëmijëve dhe çështjet familjare.
Hetimi për ngjarjen vijon, ndërsa akuzat ndaj futbollistit mbeten të paprovuara.

