Princesha e Uellsit, Kate Middleton, ka folur sërish për periudhën e vështirë që kaloi pas diagnostikimit me kancer në vitin 2024, duke zbuluar se rikuperimi i saj nuk ka qenë një rrugëtim i lehtë.
Në një intervistë të rrallë për revistën britanike “Country Life”, në një numër të veçantë të redaktuar nga bashkëshorti i saj, Princi William, Kate ka treguar se gjatë qëndrimit në spital ishte paralajmëruar se shërimi do të kërkonte kohë dhe se do të shoqërohej me ditë të mira e të këqija.
“ Më thanë në spital se rikuperimi im nuk do të ishte një proces linear. Do të kishte ditë të mira dhe ditë të këqija dhe se do të duhej kohë. E njëjta gjë ndodh edhe në natyrë”, u shpreh princesha gjatë bisedës me shkrimtarin Robert Macfarlane.
Kate tregoi se natyra ka luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e saj të rikuperimit, duke e përshkruar atë si një vend ku ka gjetur qetësi dhe forcë.
“Ajo nuk kërkon asgjë nga ne. Nuk na gjykon dhe nuk pret që të bëjmë diçka. Thjesht na lejon të jemi vetvetja. Ka qenë vërtet streha ime dhe një vend ku kam dashur të shkoj instinktivisht”, tha ajo.
Princesha theksoi se një sëmundje e rëndë nuk sjell vetëm vështirësi fizike, por prek edhe anën emocionale të njeriut. Sipas saj, mbështetja e njerëzve të besuar dhe pasja e vendeve ku mund të gjesh paqe janë veçanërisht të rëndësishme në periudha të vështira.
Në intervistë, Kate foli edhe për rëndësinë e natyrës në rritjen e fëmijëve. Ajo tregoi se përpiqet t’u japë George, Charlotte dhe Louis lirinë për të eksploruar botën dhe për të zbuluar gjëra të reja, pa u diktuar vazhdimisht se çfarë duhet të shohin apo të mendojnë.
Kate Middleton bëri publike diagnozën e kancerit në mars të vitit 2024, ndërsa në janar 2025 njoftoi se sëmundja ishte në remision. Megjithatë, siç ka treguar edhe në këtë intervistë, rikuperimi pas trajtimit ka qenë një proces që ka kërkuar durim dhe kohë.
Rrëfimi i saj vjen në një intervistë të rrallë, ku princesha ka ndarë jo vetëm përvojën personale me sëmundjen, por edhe mënyrën se si kjo periudhë ka ndryshuar këndvështrimin e saj për jetën.

