Studio televizive apo “gjykata popullore” me skenar të prokurorisë?

Studio televizive apo “gjykata popullore” me skenar të prokurorisë?

Problemi me një pjesë të mediave shqiptare nuk është se merren me Erion Veliajn dhe Belinda Ballukun… duhet të merren. Çdo dyshim për abuzim me pushtetin dhe paratë publike meriton hetim, raportim dhe pyetje të pakëndshme.

Por problemi fillon kur për disa njerëz studiot televizive punojnë çdo natë si gjykatë, ndërsa për të tjerë kujtesa publike fiket sapo mbyllet kronika.

Në këtë mënyrë, publikut i ofrohet një drejtësi me regji: Disa dosje mbahen vazhdimisht nën projektorë, të tjera trajtohen si mobilie të vjetra që askush nuk dëshiron t’i lëvizë. Për disa kërkohet përgjegjësi deri te fjalia e fundit e një komunikimi privat, për të tjerë mjafton njoftimi se seanca u shty.

Po 21 Janari? Po Gërdeci? Po përgjegjësitë politike të qeverisjes së Sali Berishës dhe përgjegjësitë penale që institucionet duhet të zbardhin individualisht? Ku është këmbëngulja e përditshme mediatike për këto çështje? Ku janë emisionet që kërkojnë llogari për kohën që kalon, për pengesat dhe për atë që mbetet ende pa përgjigje?

Për familjet që kanë humbur njerëzit e tyre, kalendari nuk është hollësi procedurale. Çdo vit pa zbardhje është një tjetër vit pritjeje. Një shoqëri që mësohet me këtë pritje rrezikon ta pranojë pandëshkueshmërinë si pjesë të rendit të zakonshëm.

Seancat ndaj Berishës dhe të pandehurve të tjerë shtyhet dhe asqë kanë ndërmend gjyqtarët t’i zhvillojnë normalisht… pa dhe me arsye, por me qëllimin e vetëm për të na kujtuar se kryetari i opozitës paraqitjen në prokurori e ka pikë takimi me militantët dhe ditën kur duhet të shfryj mllefin e tij ndaj drejtësisë dhe në gjykatë ai kurrë deri tani nuk është ulur si i pandehur.

Një pjesë e debatit televiziv ka harruar pikërisht të debatoj për këtë pyetja serioze: Si po ecën procesi dhe çfarë po bëhet që ai të përfundojë brenda një kohe të arsyeshme? Shtyrja bëhet një lajm i shkurtër dhe më pas vëmendja zhvendoset te spektakli i radhës. Sikur koha e drejtësisë të mos kishte kosto publike. Sikur një proces që zgjatet të mos meritonte po aq këmbëngulje gazetareske sa një dosje e sapodalë.

Edhe SPAK-u duhet të përballet me pyetje të drejtpërdrejta. Në korrik, drejtuesi i institucionit deklaroi se hetimet për fraksionin e Gërdecit vazhdonin dhe se për 21 Janarin pritej ekspertiza nga Shtetet e Bashkuara. Ky është një shpjegim për gjendjen e hetimit në atë moment; publiku ka të drejtë të kërkojë më tej çfarë ka ndryshuar dhe çfarë pengesash mbeten.

Pavarësia e prokurorisë nuk e përjashton llogaridhënien. Respektimi i sekretit hetimor nuk kërkon heshtje për gjithçka. Mund të shpjegohen ecuria, pengesat dhe puna e kryer pa dëmtuar provat apo të drejtat e personave të përfshirë.

Një akuzë e tillë kërkon prova. Por institucioni duhet ta kuptojë se zvarritja dhe mungesa e shpjegimeve ushqejnë dyshimin se koha po punon në favor të atyre që duhet të japin llogari. Nëse pretendon besimin publik, duhet t’u përgjigjet këtyre dyshimeve me punë dhe transparencë.

I njëjti standard duhet të vlejë për të gjithë. Veliaj dhe Balluku duhet të përballen me provat dhe ligjin. Berisha dhe çdo person tjetër i akuzuar po ashtu. Prezumimi i pafajësisë dhe kërkesa për një proces pa zvarritje vlejnë për secilin. As përkatësia politike, as fuqia mediatike nuk duhet të përcaktojnë intensitetin e pyetjeve.

Media e humbet besueshmërinë kur zemërimin e ka selektiv. Drejtësia e humbet besimin kur pritjes së gjatë i përgjigjet me shpjegime që nuk mjaftojnë.

Shqiptarët meritojnë të dinë çfarë u bë me paratë e tyre, kush mban përgjegjësi për jetët e humbura dhe pse llogaridhënia vonon. Një gazetari që i ndjek këto pyetje vetëm për njërën palë po zgjedh kujt t’ia kërkojë të vërtetën dhe kujt t’ia kursejë. /Ekskluzive.al