Shahisti shqiptar Mateu Boçi, vetëm 16 vjeç, është shpallur kampion Europe në shah për grupmoshën U16, në Kampionatin Europian të zhvilluar nga 4 deri më 12 nëntor në Kretë të Greqisë.
Boçi, i cili përfaqëson Klubin Sportiv Tirana dhe mban titullin Mjeshtër FIDE, fitoi medaljen e artë, duke shënuar një sukses për shahun shqiptar.
Lajmin e ka ndarë edhe kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook, ku ka përgëzuar shahistin e ri.
“RESPEKT! Një lajm i bukur për shahun shqiptar”, shkruan Rama, duke njoftuar se Mateu Boçi është shpallur kampion Europe.
Boçi ka fituar më parë edhe tituj kombëtarë në shah, ndërsa tashmë i shton arritjeve të tij edhe titullin europian për grupmoshën U16.
Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria do të vendosë një buxhet të veçantë për zgjerimin e shahut në shkollat e vendit.
Gjatë një vizite në ambientet e reja të Federatës Shqiptare të Shahut në Tiranë, Rama tha se shahu është një ushtrim i shëndetshëm për mendjen e fëmijëve, veçanërisht në një kohë kur ata përballen me ndikimin e celularëve dhe rrjeteve sociale.
Sipas tij, kjo disiplinë është futur në shkolla që vitin e kaluar, ndërsa synimi është që të shtrihet në sa më shumë institucione arsimore.

