Delina Ibrahimaj, pa doreza për gjithçka: Nuk jemi Narko Shtet

Delina Ibrahimaj, pa doreza për gjithçka: Nuk jemi Narko Shtet

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ishte e ftuara e episodit të dytë të Hard Talk, podkastit të Albatros Rexhajt në Radar. Biseda nisi nga veshja e saj modeste dhe mbërriti shpejt te ministria e djegur, te bankat e sulmuara dhe te akuza që e ndjek këtë qeveri prej vitesh: narkoshteti.

Ibrahimaj thotë se sulmi mbi bankat synonte të shkaktonte panik dhe tërheqje masive të depozitave, dhe se pas tij nuk qëndronin studentët. Për kullat e Tiranës thotë se nuk ka asnjë fakt që tregon se ngrihen me para të pista. Kujton se Shqipëria ka dalë nga lista gri dhe se një vlerësim i ri i Moneyval-it pritet brenda vitit. Pranon se mbi tetëdhjetë për qind e prenotimeve në hotelet e Tiranës u anuluan pas protestave dhe se bizneset, me gjasë, e kanë mbajtur për vete përfitimin nga forcimi i lekut. Premton se 12.8 miliardë lekët e uljes së TVSH-së për ushqimet bazë do të shkojnë te familjet, me kontrolle dhe gjoba për ata që nuk e zbatojnë.

Për Edi Ramën ka një përgjigje të shkurtër: arrogant jo, autoritar patjetër. Dhe për kursimet, një këshillë që nuk e pret nga një ish-ministre Financash në një vend që ka kursyer gjithmonë në euro.

Më poshtë transkripti i plotë i intervistës.

REXHAJ: Përshëndetje të gjithëve. Jemi në episodin e dytë të Hard Talk, këtu në Radar, platforma më inovative në internet në rrjetin shqiptar. Intervista e kaluar me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, u ndoq shumë, patëm komente pa fund. Shpresojmë që kështu të jetë edhe intervista e dytë, me mikeshën time, e marr lirinë t’ju quaj mikeshë, ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, më herët ministre e Tatimeve, e Sipërmarrjes, e Financave…

IBRAHIMAJ: Ministre e Financave. Kisha edhe Drejtorinë e Tatimeve në varësi, kështu që të dyja janë të vlefshme.

REXHAJ: Pse e përmenda këtë: unë ju kam parë në vazhdimësi nëpër intervista të ndryshme, në paraqitje publike, dhe ajo që më ka rënë në sy është stili juaj modest i veshjes. Unë jam mësuar t’i shoh zyrtarët e qeverisë shqiptare, mund të jetë një drejtor diku, por çantën e ka, o Zot, unë për atë çantë, ta merr mendja, duhet të punoj nja pesë vjet. Veshja Max Mara, dhe ka edhe disa marka që s’guxoj as t’ua përmend emrin. Te ti më ka rënë në sy kjo gjë, gjithmonë një stil modest, zyrtar. Madje dikush një herë tha: kjo është murgesha e qeverisë, jo në kuptimin e keq, por në kuptimin e vetëpërmbajtjes. Pse e ke këtë stil?

IBRAHIMAJ: Nuk e kam të zgjedhur, e kam të rritur. Unë asnjëherë nuk jam mbajtur më shumë se ç’duhet, edhe kur kam qenë më e vogël, gjimnaziste, studente. Kam qenë njeri më sportiv. Për në punë vishem sa më thjesht, me qëllim që të jem komode, se orët e punës janë shumë të gjata. Nuk është se kemi vetëm dalje publike, daljet publike janë vetëm një pjesë e punës.

REXHAJ: Ama këtu është prirja e njerëzve që, kur marrin një detyrë zyrtare, të impostohen me pamje, me dukje, me gjëra të shtrenjta. Kjo prirja e modestisë, për shembull Nëna Terezë, një person që e ka pushtuar botën me punën e saj, ka qenë modeste. Edhe modestia është vlerë. A nuk je ndier keq përballë kolegëve të tu?

IBRAHIMAJ: Jo, përkundrazi. Unë mendoj që njerëzit duan të shohin në qeveri figura që i vlerësojnë për mendjen, jo për aparencën, jo për veshjen. Veshja duhet të jetë sipas komoditetit. Nuk i paragjykoj ato kolege apo kolegë që duan të mbahen, sepse u pëlqen të mbahen, është çështje karakteri. Për mua është e rëndësishme që njerëzve t’u ngelem në mendje jo për veshjen, por për çfarë them dhe për mënyrën si e komunikoj punën që bëjmë.

REXHAJ: Po deri vonë një femër, e cila në një detyrë zyrtare…

IBRAHIMAJ: E kam shumë merak fjalën “femër”. Është vajzë ose grua.

REXHAJ: Vajzë ose grua. Një grua, e cila në një pozitë zyrtare, në këtë ambient shqiptar, nuk investon në pamjen e vet, a nuk paragjykohet?

IBRAHIMAJ: Jo, përkundrazi. Nuk mendoj që njeriu, sidomos në pozicionet që kemi ne, duhet të paragjykohet për mënyrën si vishet. Duhet të gjykohet për çfarë thotë dhe çfarë bën. Unë nuk e kam ndier ndonjëherë paragjykimin për shkak të veshjes. Jam veshur gjithmonë në një formë që është komode për mua. Mua më pëlqen vetja e veshur thjesht.

REXHAJ: Arsyeja pse i bëra këto pyetje qëndron te fakti se për mua ky është kompliment për ju. Mendoj që ky është modeli i duhur që duhet t’u transmetohet njerëzve. Në fund të fundit, ju si ministre jeni shërbyese publike. Unë mendoj që disa prej kolegëve tuaj në gjithë administratën, flas edhe për ministra, zëvendësministra, drejtorë e të tjerë, ndonjëherë e harrojnë këtë gjë. Si është të jesh shërbyese publike në një pozitë të lartë, si puna juaj, në këtë moment në të cilin gjendet Shqipëria? Ju, përveçse jeni ministre, jeni edhe qytetare private, që nënkupton jetë private: del të bësh pazar, të blesh diçka, të hash një drekë diku, të pish kafe me një mik, me një mikeshë, me familjarë. Çfarë ndjesie të jep ky moment sot, për detyrën që ke?

IBRAHIMAJ: Të them të drejtën, fillimisht si qytetare dhe pastaj si ministre: unë vij nga një brez që ka traumat e veta nga protestat dhe nga konfliktet, se Shqipëria ka pasur konflikte të mëdha, të cilat ne i kemi jetuar. Mbase një pjesë e asaj gjenerate që del në bulevard nuk i ka jetuar, nuk i mban mend, mund t’i ketë lexuar, mund t’i ketë dëgjuar nga prindërit. Por është tjetër gjë t’i dëgjosh dhe tjetër gjë t’i përjetosh. Unë i kam përjetuar në adoleshencë, në gjimnaz, në universitet, në mosha të ngjashme me ato të studentëve që kanë dalë në protestë, dhe jo vetëm të tyre.

Ndaj situata e dhunshme mua, si individ dhe si qytetare, më ndikon shumë. Nuk e ndaj dot qytetarin nga ministri, sepse në fund të fundit njeri jam. Është shumë e vështirë të shohësh një rikthim mbrapa, në një situatë për të cilën kemi punuar shumë, dhe kur them ne, flas për qeverinë tonë, por flas edhe për emancipimin e shoqërisë sonë në përgjithësi. Është shumë e trishtë të shohësh një situatë të kthyer mbrapsht dhe një dhunë të jashtëzakonshme.

Ajo që më bëri përshtypje në ditët e protestave të dhunshme ishte se nuk kishe vetëm bulevardin që po shkatërrohej, pronën publike dhe pronën private që po shkatërrohej pa asnjë të drejtë. Kishe gjithë pjesën tjetër të qytetit, që nuk dilte në protestë dhe rrinte në shtëpi, e gozhduar para televizorit. Në të kaluarën, në protestat e tjera mbushej bulevardi, qoftë në protestat e qershorit dhe të korrikut, qoftë në ato të mëparshmet, protestat politike. Ndërkohë, ngjitur me bulevardin, në Bllok, njerëzit vazhdonin jetën, pinin kafe, hanin dreka, hanin darka. Protesta ndër vite nuk e ka shqetësuar jetën qytetare. Kësaj radhe ishte krejt ndryshe.

REXHAJ: Ata që kanë dalë në rrugë në këtë episod të fundit mendojnë që fajet i keni ju si qeveri. Kanë ardhur në pikën ku kupa nuk mban më, dhe e projektojnë kështu: kjo shpërfaqje e mllefit që kemi është legjitime. A e ndien këtë presion mbi veten, si pjesë e qeverisë?

IBRAHIMAJ: Unë, të them të drejtën, nuk e ndiej fare legjitime që të dhunohet qoftë prona publike, qoftë prona private.

REXHAJ: Po askush nuk është distancuar prej asaj pune. As mediat nuk janë distancuar, as shoqëria civile. Me zor Bashkimi Evropian e ka nxjerrë një deklaratë kundër dhunës, dhe nuk kam parë në shoqërinë civile që merr fonde nga Bashkimi Evropian dikë që t’i japë jehonë asaj. Në diskursin publik në Tiranë, dhuna konsiderohet legjitime.

IBRAHIMAJ: Unë nuk mendoj kështu. Nëse diskursi publik e sheh si legjitime, do të thotë që nuk ka mjaftueshëm zëra që përfaqësojnë qytetarët e vërtetë të Tiranës. Unë në bisedat e mia private, por jo vetëm, kam dëgjuar njerëz shumë të shqetësuar pikërisht me këtë argument, që ne nuk mund ta lejojmë dhe ta tolerojmë dhunën. A kanë njerëzit të drejtë të dalin e të protestojnë? Pa diskutim që kanë, secili ka mendimet dhe opinionet e veta. Nëse një drejtues apo një forcë politike ti nuk e mbështet, nëse mendon që është fajtor për një situatë tënden, personale apo kolektive, pa diskutim që ke të drejtë të dalësh dhe ta ngresh zërin në forma të ndryshme. Por jo duke hequr gurët nga bulevardi.

REXHAJ: Unë dhe ti në këtë pikë pajtohemi plotësisht. Unë jam ndër zërat e paktë që kanë thënë se dhuna në këtë formë është e papranueshme. Por ta themi realitetin: në diskursin publik jemi pakicë. Shumica e njerëzve që dalin në televizion, shumica e atyre që flasin në rrjete sociale me video, me reels e të tjera, gazetarë që shkruajnë, opinionistë që deklarohen, janë pjesa tjetër, që në një formë ose tjetër e justifikojnë ose gjejnë një mënyrë për ta legjitimuar dhunën që ka ndodhur. Tani po kaloj në taborin e tyre, po bëj avokatin e djallit. Ata thonë: ne po dalim dhe duhet t’i prishim bankat, duhet t’i prishim këto institucione private të biznesit, sepse janë në duart e një pakice. Ky është argumenti që e përdor, për shembull, një prej zërave kryesorë të opozitës, Jorida Tabaku. Shqipëria ka pasur një fazë të parë të tranzicionit, që përfundon në vitin 2005, faza e dytë fillon pas vitit 2005, dhe tani, si duket, do të futemi në një fazë tjetër të tranzicionit. Ku është gabimi i kësaj qeverie, dhe i qeverisë që ishte para saj, te ky perceptim që pakica i ka në dorë të gjitha resurset?

IBRAHIMAJ: E para, uroj që të mos kalojmë në një fazë tjetër tranzicioni. Kemi hyrë në një fazë stabiliteti, dhe duhet të punojmë të gjithë bashkë që të vijojmë në një fazë stabiliteti dhe rritjeje, sepse tranzicionet e vazhdueshme të lënë mbrapa.

REXHAJ: Nuk e kemi në dorë ne këtë.

IBRAHIMAJ: E kemi, se qeveria vjen dhe mandatohet për një qëllim.

REXHAJ: Po, por ata që dalin në rrugë, dhe opinioni publik që i mbështet, flas për njerëzit që dalin në televizion, nuk flas për shumicën e heshtur, mendojnë ndryshe. Thonë që këtu janë bërë disa grabitje, se gjithçka është në dorën e një pakice, përfshirë edhe bankat, dhe këtu futemi te fusha juaj.

IBRAHIMAJ: Së pari, nuk e pranoj dot, sistemi bankar u godit më së shumti, nuk e pranoj dot që ata që dalin e protestojnë mendojnë se bankat janë në duart e një pakice. Aspak. Ne kemi një legjislacion që i licencon bankat dhe kemi një numër të mjaftueshëm bankash. Madje herë pas here FMN-ja thotë që duhet të jemi të kujdesshëm me numrin e licencave që japim, sepse është treg i vogël. Kush janë pronarët e bankave në Shqipëri? Ka pronarë bankash që janë shqiptarë, dhe ka banka që janë degë të kompanive të huaja.

REXHAJ: Me shifra, domethënë: BKT-ja është bankë turke.

IBRAHIMAJ: Po. Raiffeisen-i është austriak. OTP-ja është e huaj, ProCredit-i është i huaj, Intesa është e huaj. Pra shumica e bankave janë të huaja.

REXHAJ: Këto kanë shumicën e kapitalit?

IBRAHIMAJ: Patjetër. Bankat shqiptare kanë një portofol shumë më të ulët, dhe u goditën të gjitha llojet e bankave. Pra argumenti se u godit biznesi financiar sepse është në kontroll të një pakice, nuk qëndron. U goditën dyqanet e vogla në rrugën e Durrësit, në rrugën e Kavajës, dyqane që s’kishte asnjë arsye pse të goditeshin. Për çfarë? Dëgjoja argumente si “ne jemi kundër jush sepse ju nuk na u bashkuat në protestë”. Kjo është dhunë psikologjike. Pse duhet të bashkohem unë në protestë? Unë kam mendimin tim dhe vendos të mos bashkohem. Siç ke ti lirinë të dalësh në protestë, kam edhe unë lirinë të mos dal. Si përdoret politikisht pastaj është tjetër gjë, por argumenti se dalim e protestojmë sepse ka një pakicë që përfiton dhe një shumicë që nuk përfiton, thjesht nuk qëndron.

REXHAJ: Unë, si ekspert i fushës, mendoj që arsyeja pse u sulmuan bankat ka të bëjë me synimin që shqiptarët të shtyhen në një tërheqje të depozitave. Kjo është prirja. Madje ka pasur nëpër rrjete sociale thirrje: nxirrni lekët. A ka ndodhur kjo?

IBRAHIMAJ: Kjo nuk ka ndodhur. Dhe të ta kthej një pyetje: a mendon ti që disa studentë, aty në protestë kishte edhe fëmijë katërmbëdhjetë, pesëmbëdhjetë, gjashtëmbëdhjetë vjeç, e kanë kaq të qartë funksionimin e ekonomisë sa të mendojnë t’i sulmojnë bankat me qëllim që të tërhiqen depozitat dhe të shkaktohet një krizë financiare? Unë nuk mendoj. Qëllimi pa diskutim ka qenë ky: të shkaktohej panik te konsumatorët, te individët që kanë depozita nëpër banka, duke i parë bankat të sulmuara, dhe të kishte një tërheqje masive depozitash që do të çonte në destabilitet financiar, e patjetër do ta mbante destabilitetin edhe te rendi publik.

Kjo gjë fatmirësisht nuk ndodhi, dhe unë nuk shoh rrezik që të ndodhë. Më vjen shumë mirë që qytetarët e kanë lexuar si duhet. Ne sigurisht u munduam, me komunikim dhe me informacion, që të mos shkaktohet panik. Por qëllimi është ai, dhe sigurisht nuk ka qenë i studentëve. Ka qenë i disa forcave që kanë interes që këtu të ketë destabilitet.

REXHAJ: Mendoj, të shtyra edhe prej teorive të ndryshme konspirative. Teoria kryesore konspirative që qarkullon kudo në botë, por edhe në Shqipëri, është se sektori bankar kontrollohet nga hebrenjtë. Ky është një mit global. Në vende të caktuara mund të jetë i vërtetë, nuk e dimë, por në Shqipëri…

IBRAHIMAJ: Nëse shohim statistikat e bankave më të mëdha, ato që kanë portofolet më të mëdha të kredisë, portofolet më të mëdha të depozitave, kapitalet më të mëdha, nuk është fare kjo situata. Aspak. A ka interes që të jepet ky opinion? Mua më ka qëlluar në disa raste që edhe miqtë e mi, thjesht nga ky diskurs publik i atyre që dalin e flasin, ishin të bindur që është kështu siç po thoni ju. Por nuk është ashtu.

REXHAJ: I ke në televizione kombëtare, për shembull në Top Channel, në prime time, që i hedhin këto teori konspirative, tërësisht të pasfiduara. Normalisht, kur njerëzit e shohin një televizion kombëtar si Top Channel duke promovuar ide të tilla, se masonët izraelitë po e kontrollojnë sistemin bankar në Shqipëri, dhe askush nuk e sfidon, një qytetar i thjeshtë e beson. Për mua fajin e ka qeveria, e cila nuk ka dalë të thotë: avash, këto janë faktet. Qoftë me një fushatë kundër dezinformimit e të tjera. Por ky është muhabet i gjatë.

Shkojmë më tutje te konspiracionet. Shqiptarët vdesin për konspiracione. Teoria kryesore është që ekonomia shqiptare është ekonomi e bazuar në narkotrafik, që ne jemi narkoshtet, që ndërtimet që bëhen janë pasojë e tregtisë me drogë e të tjera. Unë jam i lindur në ish-Jugosllavi. Unë e di që në krimin e organizuar në rajon shqiptarët janë të vonuar. Mafia malazeze ka kontrolluar ish-Jugosllavinë, ka kontrolluar një pjesë të madhe të trafikut që kalon nëpër këtë pjesë të botës, dhe vazhdon ta bëjë. Me statistika të konfirmuara, mafia malazeze, përkatësisht banda e Kotorrit, ka rreth shtatëdhjetë viktima, njerëz që i ka vrarë për interesa të ekonomisë së vet joformale. Por askush nuk merret me atë punë, sepse në Mal të Zi njerëzit nuk merren me thashetheme, me teori konspiracioni. Ky është realiteti ku jetojmë ne. Këto kulla që po ngrihen: a është e vërtetë, siç thotë Jorida Tabaku apo disa të tjerë, që janë pasojë e pastrimit të parave?

IBRAHIMAJ: E kemi biseduar bashkë edhe herë tjetër këtë. Nuk ka asnjë fakt që tregon se është kështu. A ka pastrim parash në sektorin e ndërtimit në Shqipëri? Si në të gjitha vendet e tjera të botës, është një sektor i brishtë në këtë drejtim, ku mund të krijohen hapësira për pastrim parash. Por nuk është vetëm në Shqipëri, është në çdo vend të botës. Për këtë arsye institucionet që merren me parandalimin e pastrimit të parave e kanë sektorin e ndërtimit në fokus, e kanë sektor me risk të lartë, dhe monitorojnë me shumë kujdes gjithë veprimtarinë që bëhet aty. Por në sektorin e ndërtimit në Shqipëri ndodh ajo që ndodh në çdo vend tjetër të botës.

Tani, a po ndërtohen kullat me para të pista? E para, po ndërtohen disa kulla, jo të gjitha kullat që kanë marrë leje kanë filluar të ndërtohen. Është një narrativë që ka filluar të fryhet e të mbifryhet. Është edhe narrativa se ekonomia shqiptare drejtohet nga sektori i ndërtimit. Nuk është e vërtetë, se kur flasim për ndërtim nuk flasim vetëm për kulla. Flasim edhe për infrastrukturë rrugore, për infrastrukturë në përgjithësi, për turizëm, për zhvillim të industrisë. Çdo ndërtesë që ngrihet, qoftë magazinë, hotel, rezidencë, banesë apo kullë në kryeqytet për qëllime tregtare, është në sektorin e ndërtimit. Pra kur shohim rritje në sektorin e ndërtimit, do të thotë që kemi rritje të investimeve në përgjithësi, jo vetëm rritje në banesa apo kulla.

REXHAJ: Tani t’ua shpjegojmë thjesht njerëzve, si në shkollë fillore. Unë, për të ndërtuar një shtëpi, duhet të aplikoj për kredi. Për të blerë një shtëpi, duhet të aplikoj për kredi. I merr mjetet nga banka, investon në shtëpi. Këto gjëra që po ndërtohen në Shqipëri, qoftë hotele, qoftë kulla, kalojnë nëpër të njëjtin kanal?

IBRAHIMAJ: Po, patjetër.

REXHAJ: Keni statistika, shifra?

IBRAHIMAJ: Kemi statistika. I bën publike Autoriteti për Parandalimin e Pastrimit të Parave, që bën një analizë vjetore për sektorin e ndërtimit: sa për qind e sektorit financohet me kredi, sa për qind e blerjeve janë të financuara me kredi. Statistikat tregojnë që shiten më shumë apartamente me kredi sesa me para në dorë. Dhe, çfarë është më interesante, flas për banimin, një pjesë e madhe blihen nga jorezidentë. Kemi pasur në vitet e fundit një kërkesë shumë të lartë nga të huaj ose nga shqiptarë me pasaporta të huaja, të cilët kanë blerë, dhe pa diskutim të gjitha transaksionet bëhen nëpërmjet bankave, sepse është edhe kërkesë ligjore, transaksioni bëhet para noterit.

REXHAJ: Ky është blerësi. Po ai që e ndërton? Je absolutisht e sigurt që ky ndërtim kryesisht bazohet në një raport që ndërtuesi e ka me bankën?

IBRAHIMAJ: Jam absolutisht e sigurt që pjesa më e madhe bëhet nëpërmjet bankës. Një pjesë e ndërtimeve sigurisht financohet edhe me klering. Prej shumë vitesh në Shqipëri ndërtuesit bëjnë marrëveshje me atë që bën dritaret, me atë që bën fasadën e kështu me radhë. Unë nuk jam eksperte e sektorit të ndërtimit dhe e nënkontraktorëve, por kryesisht funksionon kështu: ka një investitor që nënkontrakton punime të ndryshme, dhe nënkontraktorët i paguan edhe me apartamente, pra me pronë.

REXHAJ: Të gjitha këto hallka janë të monitoruara?

IBRAHIMAJ: Të gjitha janë të monitoruara. Një pjesë financohet me kredi, sepse gjithsesi, që të fillosh punimet, duhet të paguash taksat, duhet të paguash…

REXHAJ: Nuk është që ju ia rregulloni letrat dikujt?

IBRAHIMAJ: Po si mund t’i rregullojmë letrat?

REXHAJ: Kush e monitoron qeverinë në këtë pjesë? A merret BE-ja me këtë punë? Banka Botërore? Kush merret?

IBRAHIMAJ: BE-ja nuk merret me monitorimin e kompanive të ndërtimit. Jo BE-ja, por entitete të tjera merren me monitorimin e Autoritetit për Parandalimin e Pastrimit të Parave. Sigurisht që kanë një raportim. Ne vlerësohemi, tani do të vlerësohemi përsëri.

REXHAJ: Ju ua rregulloni letrat edhe atyre.

IBRAHIMAJ: Po si, more, ua rregullojmë letrat atyre? Kjo nuk ka kuptim. Ne tani presim që të dalë vlerësimi i ri i Moneyval-it, del në fund të vitit. Para tre vitesh dolëm nga lista gri, dhe fakti që dolëm nga lista gri e FATF-së dhe e Moneyval-it është sepse i kemi krijuar të gjitha mekanizmat për të monitoruar e parandaluar pastrimin e parave. Kjo gjë duhet shpjeguar. Ne ishim në listën gri. Bëmë të gjithë legjislacionin, ndërtuam institucionet, i ngritëm mekanizmat në përputhje me të gjitha rekomandimet që na dhanë të dy institucionet që merren me parandalimin e pastrimit të parave, dhe dolëm nga lista gri. Presim një vlerësim që, sipas sinjaleve, do të jetë përsëri pozitiv, brenda fundit të vitit. Dhe ne akuzohemi se jemi një vend ku e gjithë ekonomia është narkoekonomi.

Ky termi narkoekonomi është term i kryetarit të opozitës. Çdo njeri është narkodrejtor, narkoministër, ky është narkoshtet, narko ai, narko ky, dhe për çdo fjalë “narko” që thotë ai ka një përqafim.

REXHAJ: Duhet ta trajtojmë si në shkollë fillore. Unë po bëhem ironik, kështu që trego durim me mua. Domethënë: ndërtuesi i bën fjalët me bankën, ata i rregullojnë letrat, kinse po marrin kredi. Tani këto letra i merr qeveria. Këta të dy i bëjnë fjalët me agjencitë e qeverisë që t’i rregullojnë letrat po ashtu. Pastaj ju të tre bashkë i bëni fjalët me këto agjencitë evropiane, që t’i rregullojnë letrat. Dhe në fund i bëni fjalët me ata diku tjetër, që t’ju japin një vlerësim pozitiv.

IBRAHIMAJ: Po, po, edhe Këshilli i Evropës është. Ne i kemi bërë fjalët me të gjithë…

REXHAJ: Ju i keni korruptuar të gjithë.

IBRAHIMAJ: (me ironi) Të gjithë, të gjithë. Deri atje.

REXHAJ: Arsyeja pse e bëra kështu me ironi është se Shqipëria ka marrë një vlerësim për këtë punë. Nëse ekziston ky vlerësim, pse vazhdon kjo luftë nëpër studio, kudo, se në ekonominë shqiptare gjithçka që shohim janë lekë të pista?

IBRAHIMAJ: Kjo luftë është luftë politike. Zë vend, dhe njerëzve u pëlqen të dëgjojnë fjalë e thashetheme.

REXHAJ: Po mediat nuk janë parti politike. Nuk mund të jetë lajm nëse faktet thonë diçka tjetër.

IBRAHIMAJ: Po pikërisht kjo po bëhet. Unë dje isha në komision parlamentar, kisha përballë…

REXHAJ: Ku janë drejtorët e tu? Ku janë drejtorët e kësaj qeverie, ku janë kolegët e tu të tjerë? Nëse faktet janë në anën tuaj, dhe ata të tjerët thonë diçka e askush nuk i sfidon, ku është problemi?

IBRAHIMAJ: Unë, me mekanizmat që kam në dispozicion, dal, flas, shpjegoj. Kur rritet ekonomia, sigurisht që populli nuk e kupton ç’do të thotë që ekonomia u rrit 3.6 apo 3.8. Dal, flas, shpjegoj kur marrim vlerësimin ndërkombëtar. Flas dhe shpjegoj kur ndërmarrim politika për qytetarët.

REXHAJ: Kur shoh një të qeverisë duke folur, unë e ndërroj kanalin menjëherë. Në sekondë. Ky është problemi. Unë mendoj që problemi në këtë pikë është te qeveria.

IBRAHIMAJ: Qeveria nuk di të komunikojë si duhet? Po si është e mundur, kur që përpara se unë të isha pjesë e qeverisë, ajo për të cilën jemi sulmuar më shumë nga çdokush është se komunikojmë më shumë se ç’duhet, se flasim për atë që bëjmë më shumë se ç’duhet? Ndërkohë rezultati që po më thoni ju është se askush s’na dëgjon.

REXHAJ: Unë mendoj që jeni në pikën ku njerëzit nuk po e dëgjojnë atë që u thoni.

IBRAHIMAJ: Por ama jemi dakord që jemi sulmuar shumë për komunikimin.

REXHAJ: Ose faktet s’e mbështesin atë që thoni ju. Sepse që kjo të mos jetë e vërtetë, duhet të jetë hallka: ndërtuesi i ka bërë fjalët me bankën, banka me qeverinë, qeveria me BE-në, BE-ja me ata të tjerët, dhe shqiptarët i kanë korruptuar të gjithë. Këtu duhet marrë një Oskar për këtë punë, një çmim Nobel, diçka. Pra faktet ju japin të drejtë. Por në të njëjtën kohë askush nuk do të dëgjojë për faktet. Unë mendoj që ju si qeveri këtu keni një problem, dhe kjo nuk zgjidhet thjesht me PR. Kërkon një qasje krejt të re, por kjo është temë tjetër.

IBRAHIMAJ: Ajo që duhet dhe po bëjmë është të mundohemi që këta numra të rritjes t’i përkthejmë në ndikim pozitiv për xhepin e qytetarëve. Përndryshe, te ky aludim për narkoshtetin dhe për pastrimin e parave, sado fakte të japësh, e kemi folur bashkë, njerëzit nuk duan të dëgjojnë më fakte. Njerëzit ndikohen nga ajo që dëgjojnë, nga ajo që u pëlqen të dëgjojnë, nga ajo që shet më shumë dhe bën më shumë lajm.

REXHAJ: Ose është e kundërta: ti dhe kolegët e tu në kabinet jeni rehatuar tani në rolin e viktimës. “Ne i kemi faktet, nuk po na dëgjon askush.” Keni rënë rehat në këtë gjumë. Ndërsa ata të tjerët, del Jorida Tabaku çdo ditë, edhe sot kishte dalë: jo kështu, jo ashtu. Dukeni sikur jeni dorëzuar.

IBRAHIMAJ: Jo, nuk jemi dorëzuar. Ne shpjegojmë atë që bëjmë. Puna që bëhet nëpër ministri, jo vetëm nga unë, por nga e gjithë qeveria, është një punë e jashtëzakonshme, që sigurisht nuk mund të perceptohet çdo ditë nga qytetarët apo nga bizneset. Vetëm sot, përpara se të vije ti këtu, më kaluan nëpër duar katër ligje të reja. Intensiteti me të cilin po punojmë është i jashtëzakonshëm.

Tani, çfarë duhet: këtë rritjen ekonomike, këtë stabilitetin që të thashë, ta përkthejmë në xhepat e qytetarëve. Në fund të gjithë qytetarët duan të jetojnë më mirë, duan më shumë mirëqenie, më shumë shërbime. Kjo është ajo që po mundohemi të bëjmë: të ardhurat shtesë që na i gjeneron ky stabilitet ekonomik t’i kalojmë, le të themi, nga përfitimet e bizneseve te përfitimet e qytetarëve. Kjo ka ndodhur edhe me faktin që pagat janë rritur, dhe tani prezantuam paketën fiskale, ku propozojmë tatim më shumë për kapitalin sesa për punën. Këtë e bëjmë sepse na e lejon tani zhvillimi ekonomik.

Patjetër që është shumë kollaj, kur je në opozitë dhe nuk ke asnjë përgjegjësi për qeverisjen, të dalësh e të thuash që duhen rritur pensionet, duhen ulur taksat, duhet ndihmuar biznesi, duhen rritur edhe pagat, dhe pastaj të kesh një buxhet të papërballueshëm. Ne mbase nganjëherë nuk i kemi bërë këto politikat e majta që thua ti, por kemi treguar se kemi ruajtur një stabilitet ekonomik, dhe këtë nuk e them unë. E thotë FMN-ja, e thotë Banka Botërore, e thotë Moody’s, e thotë S&P-ja, e thotë Fitch-i, agjenci që janë atje për të vlerësuar situatën ekonomike të vendit. A mundet që ne t’i kemi korruptuar edhe FMN-në, edhe Bankën Botërore, edhe agjencitë e rejtingut, përveç Këshillit të Evropës dhe gjithë entiteteve të tjera, dhe patjetër biznesin këtu, se i kemi të gjitha në dorë? Këto nuk qëndrojnë.

Sigurisht, kur opozita del e thotë që këta janë narkoshtet, këta e ndihmojnë pastrimin e parave, këta janë në krye të trafiqeve, ajo zë më shumë vend sesa kjo që them unë. Por kjo që them unë është e bazuar në fakte, dhe ky nuk është vlerësim i imi, as i opozitës, është vlerësim i ndërkombëtarëve. Si mund të komunikohet më mirë? Vetëm nëse njerëzit ndihen më mirë. Vetëm nëse kanë më shumë para në fund të muajit, më shumë mundësi për të bërë biznes, më shumë mundësi për t’u strehuar. Vetëm kështu mund t’i bindim se po bëjmë politikat e duhura për mirëqenien e tyre, dhe këtë po mundohemi të bëjmë. A është e lehtë? Jo, nuk është e lehtë. Mbase ka njerëz që thonë: keni kaq vite në pushtet, si s’i keni bërë akoma gjithë këto gjëra? U bëtë trembëdhjetë vjet, pse na thoni tani që ju ka ndaluar kjo apo ajo? Po situata e tillë ka qenë. Krizat, siç i dimë.

REXHAJ: Duhet të të përgëzoj, se ju mbase jeni zyrtari i parë qeveritar në historinë e mediave shqiptare që ka pasur rastin të flasë me kaq pasion për këto gjëra, dhe kjo ishte arsyeja pse nuk ju ndërpreva. Por mendoj që duhet ta rizbuloni pasionin. Arsyeja pse qeveria ka ardhur në këtë pikë të ulët të besimit, mendoj, është fakti që njerëzit nuk ju shohin më të pasionuar. Në momentin kur nuk shohin pasion në sytë e një zyrtari, të cilit ia kanë dhënë besimin me votë, thonë: ky po merret me interesin e vet, nuk po merret më me interesin tim. Kështu që pranoji komplimentet e mia në këtë pikë.

Vazhdojmë te pika tjetër. Si t’ia bëjmë, ministre, me faktin që shqiptarët, jo vetëm shqiptarët, ky në mendimin tim është problem i racës së bardhë, duan të marrin lekë pa punuar? E dyta, nëse punojnë, duan të punojnë në shërbime, jo në prodhim. Fuqia e Evropës dhe e Amerikës Veriore për një kohë të gjatë ka qenë baza industriale e globit. Sot baza industriale po ikën, po shkon në Azi. Evropa, ku bëjmë pjesë edhe ne, dhe Amerika Veriore ekonominë kryesisht e duan të bazuar në shërbime, dhe njerëzit kur shkollohen, shkollohen për të kryer shërbime. A mund të mbijetojë një ekonomi e tëra e bazuar në shërbime? Ku qëndron Shqipëria në këtë pikë?

IBRAHIMAJ: Ka ekonomi që janë të përqendruara kryesisht te shërbimet. Amerika është e përqendruar te shërbimet, te shërbimet financiare, sigurisht që ka edhe prodhim. Anglia gjithashtu është një ekonomi që, jo se s’ka industri, patjetër që ka, por me kalimin e viteve përqindja më e madhe e ekonomisë prodhohet nga shërbimet dhe nga shërbimet e ndërmjetësimit sesa nga prodhimi real. A duhet të forcohet prodhimi? Patjetër. Unë mendoj që ekonomia duhet të jetë gjithmonë e diversifikuar, se çdo sektor ka ciklet e veta.

REXHAJ: Prodhimi në Shqipëri është duke u zhdukur.

IBRAHIMAJ: Prodhimi në Shqipëri nuk është duke u zhdukur. Pa diskutim që duhet të rritet. Në vitet e fundit u kemi dhënë shumë vëmendje shërbimeve, kryesisht sektorit të turizmit, që ka pasur vëmendjen edhe në politikat fiskale, dhe që pa diskutim ka sjellë përfitime për ekonominë tonë. Por ndërkohë kemi politika për të nxitur edhe prodhimin. Për shembull, po punojmë për të nxitur prodhimin në industrinë e rëndë. Janë investime që kërkojnë shumë para, shumë financim, por janë të rëndësishme, qoftë për ekonominë kombëtare, duke shfrytëzuar burimet natyrore që kemi, qoftë për zinxhirët e vlerës së ekonomisë evropiane, sepse lëndët e para janë gjithnjë e më të kërkuara. Furnizimi me lëndë të para në Evropë ka qenë i lidhur me disa shtete të caktuara, me të cilat Evropa tani i ka shkëputur lidhjet. Kështu që aty kemi një potencial.

REXHAJ: Kush do të punojë në atë industri të rëndë? Do të marrim njerëz nga bota e tretë?

IBRAHIMAJ: Ka ende hapësirë dhe dëshirë për të punuar. Sigurisht që nuk ka kur ka ofertë pune më të lehtë dhe më të mirëpaguar, pa diskutim. Edhe unë, po të kem mundësi të zgjedh, shkoj të punoj në një punë që paguhet më mirë dhe që e kam më të lehtë. Në fund të fundit puna është çmim. Për sa kohë çmimet e punës në prodhim janë më të ulëta sesa çmimet e punës në shërbime, qytetarët do të kenë më shumë interes të punojnë në shërbime. Është kërkesë dhe ofertë. Pra duhet rregulluar tregu, në mënyrë që ato të jenë punë më të mirëpaguara. Besoj që me investime dhe me një strategji për investime në ato fusha do të ketë interes, sepse kryesisht janë në zona më të largëta, ku nuk ka ofertë të madhe pune. Por pa diskutim edhe forca e punës e importuar nuk përjashtohet për prodhimin vendas.

Tani, opozita del dhe thotë që nuk ka më prodhim, dhe e lidh kryesisht me industrinë e tekstilit, që ka qenë e madhe. Ajo nuk ka qenë një industri prodhuese ku i gjithë prodhimi kryhej në Shqipëri. Ka qenë operim në sistemin fason, që ishte praktikisht skllavëri: merrje vetëm një minimum për prodhimin që bëje dhe ishe totalisht i varur nga kërkesat që vinin nga jashtë, por edhe nga lënda e parë që vinte nga jashtë. Pra bëje vetëm një fraksion të punës që faturoje. Shqipëria nuk mund të jetë më një shtet që prodhon me fason. Duhet të jetë një shtet që prodhon prodhim vendas, me cikël të mbyllur, që vlera e shtuar të qëndrojë këtu e të mos shkojë në vende të tjera.

Ne nuk e kemi më luksin e një modeli ku interesi për të investuar vjen nga krahu i lirë i punës. Përveç gjithë debatit që bëhet për euron… Ne nuk e kemi më luksin që një kompani të vijë në Shqipëri sepse ka kosto të lirë pune, sepse e kemi Evropën shumë afër. Kemi edhe alternativën e emigracionit, dhe një individ nuk ka pse të punojë në Shqipëri për një pagë minimale shumë të ulët kur mund të shkojë të punojë për një pagë minimale shumë më të lartë në një vend tjetër të Evropës, dhe është i lirë ta bëjë këtë. Pra nuk mund të nxisim investime, qoftë edhe në prodhim, të cilat e mbajnë Shqipërinë me kosto të ulët pune, sepse, siç thamë, duhet të punojmë që rritja të lidhet me mirëqenien e qytetarëve. Dhe qytetarët nuk janë vetëm shtresa e mesme, është edhe shtresa e ulët, për të cilën duhet të mendojmë gjithnjë e më shumë.

REXHAJ: Ministre, industria e turizmit ka bum në Shqipëri. Para disa vitesh, kur shkoja për pushime në Turqi, futesha në biseda me pronarë hotelesh. Ata më tregonin se hoteli është vetëm maja e një zinxhiri. Më thoshin: birra që pi këtu është e prodhuar në Turqi, domatja që ha këtu është e prodhuar në Turqi, mielli që përdoret është i prodhuar në Turqi, mishi që konsumon është i prodhuar në Turqi. Vetëm ato pijet alkoolike shumë të shtrenjta ishin të importuara. Pse nuk po ndodh kjo në Shqipëri?

IBRAHIMAJ: E para, sepse Shqipëria, në krahasim me Turqinë, është një vend shumë më i vogël dhe kapacitetet prodhuese i ka shumë më të vogla. Dhe gjithnjë e më shumë, edhe nëpërmjet marrëveshjeve që kemi bërë shumë vite më parë me Organizatën Botërore të Tregtisë, edhe atyre që po bëjmë për procesin e integrimit evropian, nuk na lejohet ta favorizojmë me politika të ndryshme prodhimin vendas. Pra janë dy elemente: një, që nuk mund të jemi të specializuar në prodhimin e gjithçkaje, dhe dy, që nuk mund ta nxisim prodhimin vendas nëpërmjet politikave fiskale, sepse kemi rregulla ndërkombëtare që na e ndalojnë, dhe vullneti ynë është të futemi në Bashkimin Evropian, pra t’i pranojmë rregullat e tyre.

Pastaj, në Turqi ke ekonomi shkalle, është vend shumë i madh. Pra konkurron me prodhues shumë më të mëdhenj, me kosto shumë më të ulët. E ke edhe këtë disavantazh konkurrues. Ndërkohë, pa diskutim prodhimi duhet të arrijë standarde, pra ka nevojë për investime. Prandaj po bëjmë disa politika për nxitjen e financimit të këtyre prodhimeve, dhe po bëjmë një ligj, që besoj do të miratohet shumë shpejt, në muajt e parë të vitit tjetër, ligjin për produktet “Made in Albania”, ku kemi disa nxitje të parashikuara me qëllim nxitjen e produkteve “Made in Albania”.

Gjithsesi ne do të mbetemi një vend që do të vazhdojë të importojë produkte, sepse nuk mund ta prodhojmë në vend gjithë kërkesën vendase. Atëherë do të duhej ta specializonim të gjithë prodhimin vetëm në industrinë ushqimore, ndërkohë që struktura e ekonomisë është e diversifikuar, ka prodhim në disa sektorë të ndryshëm, dhe nuk mund të përqendrohet e gjithë forca e punës vetëm në industrinë ushqimore.

REXHAJ: Diaspora. Për çdo vend është kokëçarje, por edhe aset. Çdo shtet kalon nëpër këtë. Diaspora është më nacionaliste, më emocionale, nuk e kemi vetëm ne këtë. Por në të njëjtën kohë diaspora është aset. E kemi parë diasporën që ka bërë mrekulli në Kroaci, në Mal të Zi. Po e shohim një trend edhe në Kosovë. Si qëndron ky trend në Shqipëri? A ka shqiptarë që kanë emigruar dhe kthehen, jo për të qëndruar, por për të investuar?

IBRAHIMAJ: Pa diskutim që ka trend të tillë. Te ndërtimi e thashë pak më parë: ka shumë shqiptarë, mund të jenë me pasaporta të huaja, që vijnë dhe blejnë shtëpi të dyta në vend. Ndërkohë unë kam parë një interes shumë të madh në gjithë botën e startup-eve, të inovacionit. Kanë interes jo vetëm të vijnë të investojnë në Shqipëri, por edhe thjesht të mentorojnë, të japin mendime dhe të bëhen pjesë e nismave që bëjmë ne.

Pra interesi ekziston. Në vende të tjera, për shembull Irlanda, që ka një diasporë shumë të madhe, ka pasur financime të strukturuara, të dedikuara për diasporën. Apo Izraeli, meqenëse e përmendëm pak më parë. Kanë struktura ku mund të investosh nëpërmjet aksioneve, nëpërmjet instrumenteve financiare. Ne ende nuk kemi një treg kapitalesh të strukturuar mirë, ku një shqiptar i diasporës mund të vijë e të blejë aksione te kompania X apo te kompania Y. Kështu që mundësitë për investim janë më të vështira: është shumë e vështirë që dikush nga diaspora të vijë dhe të hapë këtu një biznes nga zeroja. Ka nevojë për një partner lokal, për dikë që ta drejtojë biznesin. Mundësia më e madhe është nëpërmjet shitjes së aksioneve, që ne ende nuk e kemi të zhvilluar.

REXHAJ: Kjo më sjell te pyetja e radhës, që lidhet me protestat dhe me atë që pamë gjatë gjithë këtij viti. Një prej ankesave të njerëzve, që në mendimin tim është legjitime, është që sa më poshtë që zbret, ministri, zëvendësministri, drejtori, shefi i agjencisë, deri te nëpunësi në fund, puna bëhet më e ndërlikuar. Kemi një rritje të arrogancës. Unë i quaj këta njerëz që mendojnë se janë pashallarë, dhe secili ka sarajin e vet: kjo është gjëja ime, le të flasë ministri në televizor, se ministrat vijnë e shkojnë, ne jemi këtu. Ky është problem real, arroganca e pushtetit. Kur flasin njerëzit për arrogancën e pushtetit, nuk e kanë Delina Ibrahimajn në mendje, se s’e takojnë Delina Ibrahimajn. Atë mund ta takojë ndoshta ndonjë komshi, ndonjë shok. Qytetarët nuk e takojnë, por vartësit e Delina Ibrahimajt i takojnë, edhe vartësit e kolegëve të tu. Ju po ashtu merrni pjesë te ky eksperimenti i Edi Ramës, Prania besnike, një eksperiment shumë interesant, shumë me vlerë, sepse ju bën të dëgjoni, dhe unë mendoj që atje dëgjoni histori pa fund të njerëzve që ankohen për arrogancën. Kështu që nuk e pranoj përgjigjen “s’ka arrogancë”, sepse Edi Rama ka thënë: ka arrogancë. Ai i pari ka thënë: do të kemi një administratë që dëgjon, jo një administratë që flet. Si zgjidhet ky problem i arrogancës së zyrtarëve? Se sa më poshtë shkon, aq më keq është puna.

IBRAHIMAJ: Unë them që ka vetëm një zgjidhje. Kultura e punës së njerëzve është e vështirë për t’u ndryshuar. E vetmja zgjidhje është që ata zyrtarë të mos kenë kontakt me individët.

REXHAJ: Nuk mund të bëjmë gjithçka online, ministre.

IBRAHIMAJ: Po pse jo? Pse jo? Nuk është më e thjeshtë të përdorësh inteligjencën artificiale? Nuk është më e thjeshtë të marrësh një analizë nga një sistem i inteligjencës artificiale sesa kjo përballje me atë për të cilën po flet?

REXHAJ: Mos je ti ajo që ia fut këto ide Edi Ramës në kokë për shërbimet online?

IBRAHIMAJ: Jo vetëm unë! Sigurisht që është më e thjeshtë nëpërmjet instrumenteve teknologjike. Është më e thjeshtë të ndërtosh një agjent me AI sesa të ndryshosh kulturën e një administrate. Pa diskutim që duhet luftuar kultura e arrogancës. Por është e vështirë t’i shkosh zinxhirit deri në fund dhe të kuptosh cila është hallka që duhet ndrequr. Mbase ke shumë e shumë punonjës që nuk janë arrogantë, dhe mjafton një arrogant që të prishet imazhi për gjithë të tjerët. Është si në ushtri: kur gabon njëri, e ha gjithë batalioni. Në ofrimin e shërbimeve dhe në administratën publike mund të ketë shumë e shumë që janë të mirë, të përkushtuar, që nuk janë arrogantë, që vijnë e bëjnë detyrën me shumë seriozitet. Pastaj del një që sillet keq, dhe ai e prish gjithë perceptimin për çdo gjë.

REXHAJ: Po fajin në fund e ka eprori.

IBRAHIMAJ: Në fund fajin e ka eprori. Peshku qelbet gjithmonë nga koka, pa diskutim. Unë asnjëherë nuk i vë faj stafit tim që një gjë nuk u bë. Fajin e kam unë, që s’e ndoqa siç duhet, patjetër.

REXHAJ: Kjo është shumë bukur, por unë e kam testuar këtë sistem, me idenë: po shkoj, po ankohem në emër të dikujt që kam dëgjuar se ka një problem, dhe i kam thënë, në rregull, unë do të të përfaqësoj. Në të kaluarën time kam qenë kryetar sindikate trembëdhjetë vjet, në organizatën ku kam punuar. Me shumë pasion kemi luftuar dhe kemi përfunduar deri në gjyqe, kështu që e kam për zemër përfaqësimin. Por ajo që më ka ndodhur është kjo: dikush shkon dhe flet për një problem. Reagimi i parë i administratës, i eprorit në një shkallë më të ulët, është të të presë me këmbët e para. Nuk duan as të dëgjojnë. Të trajton me: pse guxon ti të ankohesh? Përse? Nuk mund të sillemi sikur gjithçka është në rregull. Ky vend ka probleme. Unë mendoj që kjo është një çështje shumë serioze që duhet trajtuar: kur ankohem, nuk duhet të kem frikë që po ankohem. Në rregull, ju po i takoni njerëzit atje te Prania besnike. Por një njeri duhet të ndihet shumë i lirë të vijë në administratën e shtetit dhe të thotë: kështu e kështu e kam problemin, pa pasur frikë se do t’i ndërlikohet jeta.

IBRAHIMAJ: Kjo është shumë e vërtetë, dhe prandaj them që instrumentet elektronike janë shumë më të lehta edhe për ankesat, edhe për ndjekjen, sepse nuk e ke përballë atë zyrtarin.

REXHAJ: Po dikush ta lexon emrin atje. Nuk e ke përballë, por: “u ankuaka filani”. Si ia garanton sistemi filanit se nuk do t’i ndërlikohet jeta? Këto janë sfidat që njerëzit i kanë sot. Meqë jemi te ministria e Inovacionit.

IBRAHIMAJ: Dakord. Unë mendoj që e vetmja formë për ta shmangur këtë marrëdhënie personale është sistemi. A e merr dot zgjidhjen nga sistemi apo nuk e merr, kjo është një hallkë tjetër, për të cilën po punojmë dhe do të punojmë: që të përmirësohen shërbimet, që t’i dëgjojmë më shumë ankesat, që t’i kuptojmë më shumë. Janë mijëra e mijëra shërbime që jepen përditë nga institucionet. Jo çdo shërbim ngec, jo çdo shërbim ka një ankesë, jo çdo funksionar e merr inat se Delina është ankuar. Jo çdo herë ndodh kështu. Sistemi është ajo që do të funksionojë.

Ka shërbime që nuk jepen online. Shkon te mjeku, mjeku nuk e bën dot online, sepse duhet të paraqitesh e të të vizitojë. Edhe për ato duhet të ketë feedback. E keqja është se po nuk erdhi feedback-u lart, ne nuk arrijmë dot të shkojmë deri në fund dhe ta zgjidhim aty ku është problematika. Nganjëherë ka ngërçe që zgjidhen shumë lehtë, dhe ka ngërçe që janë kulturore, që e bëjnë individin të kalojë direkt në mbrojtje dhe të mërzitet, sepse i duket sikur performanca e tij del më e keqe nëse dikush ankohet. Kjo është çështje kulturore, e vështirë për t’u ndrequr. Unë nuk e kam. Unë, kur një njeri më shpreh një shqetësim, mendoj si ta zgjidh, se aty ka një ngërç, dhe ka një mënyrë që problemi i tij të zgjidhet pa ardhur te ministri, siç duhet të jetë.

REXHAJ: Po ama njerëzit u futën në ministri.

IBRAHIMAJ: Ajo është tjetër gjë.

REXHAJ: U futën në ministri njerëzit e mllefosur, dhe sipas opinionistëve në media ata kanë pasur të drejtë. Fatmirësisht nuk ke qenë në zyrë. Si u ndjeve atë ditë kur e pe ministrinë ashtu të djegur?

IBRAHIMAJ: E dhunuar. U ndjeva unë personalisht e dhunuar, u ndjeva si ministre e dhunuar dhe u ndjeva si qytetare e dhunuar. E dhunuar në të gjitha drejtimet. Më vjen keq që, pas gjithë punës që kemi bërë, gjithsecili prej nesh në formën e vet, arrijmë në pikën e një degradimi të këtij niveli, ku futesh në një institucion, djeg, shqyen. Të shohësh fotot e ambienteve poshtë, me dyer të shqyera, me xhama të thyer, me gjëra të djegura. Po pse?

REXHAJ: Se juve duhet t’ju heqin. Nëse ju heqim juve, bëhet më mirë. Kështu thonë ata.

IBRAHIMAJ: Ka forma dhe mënyra për protestën. Çfarë mendojnë ata, unë nuk kam asnjë problem. Ata mendojnë që ne duhet të ikim, dikush tjetër mendon që ne duhet të qëndrojmë. Këtë e tregon vota, dhe ne votat deri tani i kemi marrë. Do të shohim në të ardhmen si do të ndodhë. Por dhunën ndaj institucioneve, që nuk janë të miat, nuk janë të Edi Ramës, janë të shtetit, janë institucione publike, e mirë publike, atë unë nuk e toleroj dot. Jam ndier e dhunuar nga të katër anët. Jam ndier e keqardhur që fëmijët e mi duhet të jetojnë në një qytet ku ka shfaqje të tilla dhune, kur deri para disa muajsh jetonin në një qytet ku nuk kishe asnjë merak të ecje në rrugë, e tani mund të hash një gur, apo nuk e di çfarë, duke ecur.

REXHAJ: A pati ndikim kjo në ekonominë e kryeqytetit?

IBRAHIMAJ: Ka pasur, pa diskutim. Efekti nuk është ende i matshëm, por do të jetë shumë i lartë. Sigurisht që ky tremujor do të jetë më i ngadaltë se të tjerët. Pa marrë parasysh gjithë bizneset që janë dëmtuar dhe tani janë të mbyllura, që kanë njerëz të punësuar, që paguajnë kredi, që e bëjnë atë punë për të mbajtur familjet dhe bizneset e tyre gjallë, ke pasur mbi tetëdhjetë për qind të prenotimeve të hotelerisë në Tiranë që janë anuluar. Kjo pastaj ndikon gjithë zinxhirin, se nuk janë vetëm hotelet që nuk e kanë marrë atë që duhej të merrnin.

REXHAJ: Po çfarë pune kemi ne me këta të huajt që na vijnë? Na i kanë rritur çmimet këta të huajt.

IBRAHIMAJ: Shumë njerëz, edhe nga ata që dalin në protestë, janë njerëz që, për shembull, e kanë dhënë shtëpinë e vet me qira, e japin me Airbnb. Tani nuk shkon më njeri në Airbnb, sepse ka rënë kërkesa. Dhe fillojnë ta ndiejnë që këta të huajt na duhen, sepse gjenerojnë ekonomi, gjenerojnë konsum, nxisin gjithë zinxhirin e vlerës. Një lek i shpenzuar në turizëm…

REXHAJ: Shqipëria e shqiptarëve. Nuk kemi nevojë për të huaj, ministre.

IBRAHIMAJ: U rikthyem në këtë pikë. Vendi që luftoi për t’i hapur kufijtë tani do të jetë i mbyllur. Ose duam të jemi në Evropë dhe të mos kemi kufij, ose duam ta mbajmë Shqipërinë e shqiptarëve. Nuk mund ta kemi këtë mendim të një vendi të vogël e të mbyllur, se këtë mendim, të vendit të vogël e të mbyllur, e kishte diktatura. Nëse na pëlqen ajo ideologji ekonomike…

REXHAJ: Po i afrohemi fundit: euro. Euro po bie. Tani i keni bërë fjalët edhe me Bankën Botërore dhe me Fondin Monetar?

IBRAHIMAJ: (me ironi) Me të gjithë.

REXHAJ: Valuta, qoftë kombëtare, qoftë ajo që është në përdorim, është objekt monitorimi nga institucione si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, nëse nuk gaboj. Jemi saktë?

IBRAHIMAJ: Valuta, si çdo gjë tjetër, është çmim. Puna është çmim. Valuta është çmim. Është njësoj si një mall.

REXHAJ: Po unë s’po ju besoj juve për çmimet. Kush po ju monitoron juve?

IBRAHIMAJ: Për ecurinë e euros patjetër që ka analiza të Fondit Monetar dhe të Bankës Botërore, që bëhen për ecurinë e kursit të këmbimit. Ata thonë atë që themi ne. Ka analiza dhe studime.

REXHAJ: Domethënë i keni bërë fjalët edhe me ata.

IBRAHIMAJ: (me ironi) Po, po, me të gjithë.

REXHAJ: I keni bërë fjalët me Bashkimin Evropian, me të gjithë. Po mirë, Jorida Tabaku, më vjen keq që po e përmendim, por të mos i vijë asaj keq, sepse është e vetmja që flet, unë e përgëzoj për pasionin që ka, flet dhe i promovon idetë e veta, thotë sot që euro po bie për shkak të kësaj e kësaj e kësaj. Çfarë thotë Fondi Monetar? Ta shpjegojmë si në shkollë fillore.

IBRAHIMAJ: Thotë këtë që them unë: kursi i këmbimit është çmim. Në momentin që ka ofertë të madhe dhe kërkesë të vogël, çmimi bie. Në momentin që ka shumë kërkesë dhe oferta është më e vogël, çmimi rritet. Është si të kesh shumë mollë dhe një blerës.

REXHAJ: A kemi shumë kërkesë për lekë?

IBRAHIMAJ: Kërkesa për euro nuk është rritur. Ne kemi pasur shumë euro që kanë hyrë në ekonomi, për shkak të turizmit, për shkak të investimeve të huaja direkte. Kemi pasur shumë flukse eurosh, ndërkohë që kërkesa për euro në ekonomi nuk është rritur bashkë me ofertën. Nëse sot kemi mbiprodhim të vajit të ullirit, ka vite që ka mbiprodhim ulliri, çmimi i vajit bie, sepse ka shumë ofertë. Në vit të keq prodhimi është më i ulët dhe çmimi rritet. Njësoj është edhe kursi i këmbimit, përcaktohet nga kërkesa dhe oferta.

REXHAJ: Ka efekt në ekonominë e vogël?

IBRAHIMAJ: Ka efekte pozitive dhe negative, mund ta shohësh nga të dyja anët. Kush importon lëndë të para ka efekte pozitive, sepse e ka koston e produktit të importuar më të lirë sesa do ta kishte po të ishte euro më lart.

REXHAJ: Edi Rama ka dalë me Pasqyrën e Çmimeve. Më në fund Edi Rama po merret me çmime, dhe e përgëzojmë për këtë guxim të madh. Edhe unë e mendoj këtë që thua ti, që importi del më lirë, por çmimi nuk po ndryshon. A mendon që bizneset në Shqipëri punojnë me një marzh shumë të lartë fitimi?

IBRAHIMAJ: Po, ka arsye të mendohet, dhe prandaj e bëmë Pasqyrën e Çmimeve. Një, që të bëjmë transparencë për çmimet, që qytetari të shohë ku është produkti më i lirë dhe të shkojë ta blejë aty. E dyta, që të fillojmë t’i monitorojmë marzhet e fitimit në gjithë zinxhirin e vlerës, edhe te grosistët, edhe te importuesit, edhe te prodhuesit. Ndërkohë po punojmë për të ndërtuar një mekanizëm që politika që ndërmorëm, reduktimi i TVSH-së për ushqimet bazë nga njëzet për qind në gjashtë për qind, të përcillet te qytetarët. Të mos ndodhë ajo që ka ndodhur me euron, ku forcimi i lekut nuk është përthithur si përfitim i qytetarëve, por duhet të jetë përthithur në marzhet e fitimit të kompanive. Nuk mund ta them me siguri të plotë këtë, sepse kur ulesh me ta, thonë: na janë rritur kostot këtu e aty, dhe kjo është arsyeja pse s’është reflektuar. Këto janë çështje që do të monitorohen e do të analizohen. Shumë shpejt do të dalim me një akt ligjor që do të na japë mundësinë të bëjmë edhe monitorim, edhe kontrolle, edhe penalitete në rastet kur nuk zbatohet.

REXHAJ: Ministre, ta marrim një shembull që njerëzit e kuptojnë. Një bluzë te Zara. Zara është atje ku shumica e njerëzve blejnë gjëra. Në Shqipëri, supozoj, kushton 3,999 lekë të reja. E njëjta bluzë në Kosovë kushton 29.99 euro, që në lekë i bie diku 2,600 lekë me kursin e sotëm. E njëjta bluzë në Maqedoni kushton 1,899 denarë, që i bie diku tridhjetë e një euro. E njëjta bluzë në Selanik kushton sa në Kosovë. Është diferencë e madhe.

IBRAHIMAJ: Pa diskutim që është diferencë e madhe. Këtu ndërhyn shumë edhe ai zinxhiri që thashë: edhe kostot, edhe tatimet, edhe taksat. Varet si e ka sistemin e taksave secili vend.

REXHAJ: Importohet nga BE-ja, domethënë s’ka aty as doganë, asgjë.

IBRAHIMAJ: Taksë doganore nuk ka. Por mund të ketë një TVSH të reduktuar diku, pra varet nga struktura e formimit të çmimit.

REXHAJ: Nuk mund të jetë diferenca katërmbëdhjetë euro.

IBRAHIMAJ: Prandaj transparenca është e rëndësishme. Ne kemi pasur një rast të ngjashëm, jo me Zarën, me një linjë tjetër dyqanesh. Në momentin që kjo u bë transparente, që u fol se ky produkt kushton kaq në Shqipëri, kaq në Kosovë, kaq atje, ai vetë i uli çmimet. Sepse ka presion pozitiv për t’i ulur marzhet e fitimit.

REXHAJ: Një shembull tjetër, me ushqime: Conad-i. Te shtëpia ime në Prishtinë e kam Conad-in afër, dhe ka disa gjëra që kam dëshirë t’i blej, si këtu, si atje. Në Prishtinë ajo kushton një euro e dyzet centë. E njëjta në Tiranë kushton diku 260, 270 lekë. E njëjta kompani, i njëjti prodhim.

IBRAHIMAJ: Kosova e ka TVSH-në e reduktuar. Pikërisht këtu jemi.

REXHAJ: Po nuk mund të jetë diferenca gati dyfish. Unë po them që bizneset këtu thjesht ia fusin. Dhe ata thonë: është ekonomi tregu, ne i caktojmë çmimet. Sa i intereson qytetarit kjo përgjigje?

IBRAHIMAJ: Fare.

REXHAJ: Pajtohem, s’i intereson fare. Ai do që të jetë më lirë. Si do ta zgjidhim?

IBRAHIMAJ: Kjo zgjidhet vetëm nëpërmjet presioneve pozitive. Në vende të tjera që e kanë pasur këtë problematikë, nëpërmjet transparencës tregtarët vihen në konkurrencë me njëri-tjetrin. Kur e shohin që njëri e ul çmimin e një produkti, e ulin edhe të gjithë të tjerët, sepse e dinë që fuqia blerëse do të ikë e do të transferohet aty ku çmimi është më i lirë. Prandaj transparenca është shumë e rëndësishme.

REXHAJ: Ju mendoni t’i shkoni kësaj pune deri në fund?

IBRAHIMAJ: Po, patjetër. Ky do të jetë një vit ku do të përqendrohemi te reduktimi i kostove të jetesës, prandaj e ndërmorëm këtë nismë. Janë 12.8 miliardë lekë që do t’i mungojnë buxhetit të shtetit vetëm nga reduktimi i TVSH-së për ushqimet bazë, dhe këto 12.8 miliardë lekë duhet patjetër të transferohen si kosto më të ulëta për familjet shqiptare. Ndryshe ç’vlerë ka që e ndërmarrim këtë politikë? Do të kujdesemi ta ndjekim hap pas hapi, me qëllim që të përkthehet në ulje çmimesh për qytetarët. Kjo është e vetmja formë që kemi për ushqimet bazë, për ato kategori që pjesën më të madhe të buxhetit e shpenzojnë për ushqime bazë.

REXHAJ: E keni seriozisht këtë?

IBRAHIMAJ: Po, patjetër.

REXHAJ: Në rregull. Do ta besojmë kur të ndodhë. Unë jam ithtar i asaj që quhet affordability, domethënë që kostoja e jetës të jetë më e lirë për njerëzit. Duhet të jetë imperativ i çdo qeverie, përfshirë qeverinë e sotme. Më vjen mirë që ka një reflektim të tillë. A mendon ti që Edi Rama realisht ka reflektuar? Se kjo fjala reflektim është shumë e bukur. Apo po aktron, se është pak artist? A e ke parë kur lidhet live, e di që gjithë bota po e shikon, e merr kafenë dhe e pi ashtu, në mënyrë dramatike? A nuk është pak aktor Edi Rama? Ta themi realitetin. Liderët nuk janë as të bardhë, as të zinj, janë të ndërlikuar. E ka sinqerisht këtë punë? Ju punoni me të.

IBRAHIMAJ: Janë disa nisma që kanë filluar përpara protestave. Për shembull kjo që po them, Pasqyra e Çmimeve, është një nismë që kemi filluar ta ideojmë që në dhjetor të vitit të kaluar.

REXHAJ: Protesta e bëri të domosdoshme?

IBRAHIMAJ: Protesta e nxitoi.

REXHAJ: E bëri të domosdoshme.

IBRAHIMAJ: E bëri të domosdoshme. Strehimi është një tjetër element që e kishim që në programin e qeverisjes. Në program kemi një kolonë për strehimin, ku premtojmë që në këtë katërvjeçar, në këtë mandat, do të bëjmë politika strehimi për affordable housing, jo vetëm për social housing, dhe kjo është ajo që po ndodh. Protesta e nxori akoma më shumë në pah. Pra ka disa nisma që i kishim menduar që përpara dhe tani po i zbatojmë me më shumë shpejtësi. Pa diskutim që protestat na kanë bërë të mendojmë edhe çfarë mund të bëjmë më shumë, edhe çfarë mund të bëjmë më mirë. Në fund të fundit ky është edhe qëllimi i protestave, ta përmirësojnë qeverisjen.

Unë mendoj që nëse politikat që po ndërmarrim tani shkojnë në drejtim të reduktimit të kostos së jetesës, të rritjes së të ardhurave, të një sigurie më të lartë për të rinjtë e të rejat, por edhe për qytetarët shqiptarë në përgjithësi, për të jetuar në Shqipëri, për kosto më të ulëta të shtëpive, pra për të pasur qëndrueshmëri, mundësi për të hapur një biznes dhe një jetë më të mirë në Shqipëri, atëherë kemi pasur rezultat pozitiv, edhe të politikave tona, edhe të asaj që në fund të fundit kërkonin protestuesit në bulevard. Sigurisht që shërbimet janë thembra e Akilit, dhe prandaj po punojmë për t’i përmirësuar edhe shërbimet për qytetarët, edhe shërbimet për bizneset.

REXHAJ: Ministre, ne kemi miq të përbashkët edhe në sektorin e biznesit. Vend i vogël, secili njihet me secilin, me dikë ka bërë shkollë, me dikë ka pirë kafe. Por vlerësimi im është që këta njerëz të botës së biznesit nuk kanë shumë konsideratë për realitetin. Ata mendojnë: e njoh unë ministrin, e njoh këtë drejtorin, ma kryej këtë punë. Nuk u intereson procedura, nuk u intereson pse nuk bëhet. Si i disiplinojmë këta njerëz?

IBRAHIMAJ: Perceptimi dhe realiteti janë dy gjëra krejt të ndryshme. Të gjitha bizneset, të mëdha e të vogla, duhet të kenë të njëjtat procedura, dhe i kanë, sepse asnjë institucion i administratës publike nuk merr përsipër të mos i kryejë procedurat për filanin apo për fistekun, se njërin e kam mik e tjetrin s’e kam mik. Procedurat janë ato që janë. Perceptimi që dikush e ka më të lehtë se dikush tjetër është një perceptim që jo domosdoshmërisht është i vërtetë.

REXHAJ: Nuk është vetëm perceptim. Ky është edhe vlerësimi im nga kontakti me këta njerëz: ata nuk kanë konsideratë për shtetin. Jo të gjithë biznesmenët, por mendoj që është refleks nga e kaluara, haset kryesisht te brezi më i vjetër. E kanë këtë refleksin “kryema punën”. Shteti nuk është për t’i kryer punë dikujt.

IBRAHIMAJ: Sigurisht që jo. Shteti është për t’u kryer punë të gjithëve, është atje për t’i zbatuar procedurat për të gjithë njësoj. A e kanë më të thjeshtë disa biznese të mëdha në një drejtim? Po, sepse kanë studio juridike shumë të mira, që kur bëjnë një aplikim i bëjnë letrat siç duhet, me të gjithë komponentët, dhe aplikimi nuk u kthehet mbrapsht. Ndërkohë një biznes i vogël mbase nuk i ka kapacitetet për t’i bërë të gjitha ato procedura siç duhet, se nuk e ka mbështetjen juridike të duhur. Ndaj është shumë e rëndësishme të kemi dialog me biznesin, për të kuptuar ku janë vështirësitë, ku e ka të vështirë një biznes i vogël…

REXHAJ: Një vështirësi konkrete: thotë, dosjen time e lënë në fund, atë tjetrën e vendosin përpara. Thotë: duhet të shkoj t’u jap lekë. Nuk i jep lekë ministrit, i jep atij zyrtarit të vogël.

IBRAHIMAJ: Prandaj i kemi çuar ankesat e biznesit të vogël e të mesëm te dritarja që është krijuar tashmë. Te Pasqyra e Shërbimeve i kemi futur të gjitha shërbimet që ofrohen, duke dhënë edhe afatet e ofrimit të tyre, edhe se ku merren këto shërbime.

REXHAJ: Këto janë shumë të rëndësishme. Unë jam ankuar, përgjigjja: “është në proces”. Afati ligjor është tridhjetë ditë, jemi në muajin e gjashtë, “jemi në proces”. Si do të zgjidhet kjo?

IBRAHIMAJ: Duke e pasur transparente, duke ia vënë në dukje deri në nivelin e ministrit cilat janë ato procedura që kanë ngecur, që duhej të ishin lëvruar për tridhjetë ditë dhe kanë gjashtë muaj që nuk janë lëvruar, pa e ditur qytetari apo biznesi pse.

REXHAJ: “Është në proces”, fjalë magjike është kjo.

IBRAHIMAJ: Nëpërmjet kësaj Pasqyre të Shërbimeve qytetari apo biznesi do të ketë mundësi të monitorojë në çfarë pike është procesi. Pra nuk është “në proces” në përgjithësi, është në proces te një hallkë.

REXHAJ: Nëse ligji thotë tridhjetë ditë, ai duhet të marrë një përgjigje, po ose jo.

IBRAHIMAJ: Po, ose një zgjatje. Dhe automatikisht, nëpërmjet kësaj platforme, ai do të mund të ankohet nëse kalon afati tridhjetëditor, apo shtatëditor, apo pesëditor, apo njëditor.

REXHAJ: KLSH-ja. Më ka ardhur mirë kur e kam parë që njerëzit po e kuptojnë se KLSH-ja është institucion serioz. Më ka ardhur mirë kur kam parë disa raporte që janë marrë me situata kur një lëndë e ka kapërcyer radhën.

IBRAHIMAJ: Shumë mirë, patjetër që kjo duhet të dënohet. Ne po punojmë për arkivën elektronike, me qëllim që të mos ketë më kapërcime të tilla, dhe që ne si drejtues institucionesh ta dimë gjendjen. Unë sot nuk jam në dijeni sa shkresa ka në institucion, sa i kam jashtë afatit dhe sa brenda afatit. Dhe shkresat mund të jenë nga qytetarë, nga biznese, mund të jenë kërkesa.

REXHAJ: Se dikujt i jepet përgjigje në ditën e tridhjetë, qëllimisht, e dikujt në ditën e tretë. Kjo është padrejtësi. Për këtë punë dal unë në rrugë të protestoj.

IBRAHIMAJ: Jo, për këtë punë nuk dilet në rrugë. Për këtë ndihmon dixhitalizimi. Ai është çelësi i suksesit, i rritjes së efikasitetit, i rritjes së produktivitetit në të gjithë sektorët. Mos dil në rrugë, prit edhe pak.

REXHAJ: Si është të punosh me Edi Ramën?

IBRAHIMAJ: Është një eksperiencë e cila mua më ka rritur…

REXHAJ: Mos ma lavdëro, mos ma lavdëro.

IBRAHIMAJ: Mua më ka rritur profesionalisht shumë, më shumë se çdo gjë para këtij angazhimi.

REXHAJ: Është arrogant?

IBRAHIMAJ: Nuk është arrogant.

REXHAJ: E gjithë Shqipëria thotë që është arrogant.

IBRAHIMAJ: Është autoritar, patjetër.

REXHAJ: Është aktor, e ke parë si e pi kafenë live në rrjete sociale.

IBRAHIMAJ: Unë nuk e gjykoj drejtuesin nga mënyra si e pi kafenë. E gjykoj nga mënyra si i vë motorët në lëvizje, si e ka vizionin për gjërat, si e kupton të mirën nga e keqja, të drejtën nga e padrejta, dhe si më ndihmon mua ta bëj punën time.

REXHAJ: A bëhet nervoz me procedurat?

IBRAHIMAJ: Bëhet nervoz kur nuk kryhen procedurat.

REXHAJ: I kupton procedurat?

IBRAHIMAJ: Po, patjetër.

REXHAJ: Një artist i kupton procedurat? E pyeta se shqiptarë jemi të gjithë, dhe ne shqiptarët e kemi një zakon, një huq: miratojmë gjëra, firmosim gjëra pa i lexuar. Ligjet që vijnë nga Evropa i kalojmë pa i lexuar.

IBRAHIMAJ: Shumë gabon. Ka një ushtri të tërë njerëzish që punojnë për të lexuar çdo centimetër të çdo letre, çdo shkronjë, çdo gërmë, çdo presje. Nuk është e vërtetë që kalojnë pa u lexuar.

REXHAJ: A i lexon dot Kryeministri gjithë ligjet?

IBRAHIMAJ: Sigurisht që jo, se nuk është detyra e tij t’i lexojë gjithë ligjet. Detyra e tij është ta shtyjë përpara procesin dhe të udhëheqë axhendën që ka qeveria përpara.

REXHAJ: A ka pasur ndonjë rast kur je detyruar t’i thuash Edi Ramës: kjo punë nuk bëhet?

IBRAHIMAJ: Shumë raste.

REXHAJ: Si e ka përjetuar?

IBRAHIMAJ: Ka dëgjuar, dhe ka reflektuar në bazë të argumenteve që i kam dhënë. Nganjëherë kam pasur unë të drejtë, nganjëherë ka pasur Kryeministri të drejtë. Varet si debatohen e diskutohen gjërat, dhe pastaj vendoset për më të mirën. Është njeri që dëgjon.

REXHAJ: Në rajon është rikthyer femicidi, fatkeqësisht, edhe dhuna ndaj femrave në forma të ndryshme…

IBRAHIMAJ: Grave, grave.

REXHAJ: Ndaj grave dhe vajzave, në forma të ndryshme. Ne po themi që do të futemi në Bashkimin Evropian. Unë e besoj atë ditë kur të ndodhë. Unë jam euroskeptik, nuk besoj në këtë përrallën e Edi Ramës për Bashkimin Evropian. Mendoj që Evropa nuk na do. Çfarëdo që të bëjmë, nuk na do. Por së paku po punojmë për ato vlera, se si vlera janë vlera të mira. Si është sot të jesh grua apo vajzë që ka një ëndërr, ka një vizion, do të ndërtojë një karrierë në Shqipëri? Mendoj që kjo ka rëndësi, sepse është një nga hallkat ku zhvillimi bëhet i matshëm. A ka gra e vajza sipërmarrëse? A ndihen mjaftueshëm të mbështetura? A jemi thjesht numër?

IBRAHIMAJ: Unë nuk mendoj që jemi thjesht numër. Shqipëria ka një histori që ka edhe të mirat e veta. Gjatë kohës së diktaturës të gjitha gratë dhe vajzat punonin njësoj si burrat. Pra nuk vijmë nga një kulturë ku gruaja rrinte në shtëpi dhe kujdesej vetëm për familjen.

REXHAJ: Ama grua kryetare shteti, kryeministre, jo.

IBRAHIMAJ: Kryetare shteti dhe kryeministre ende jo, por nga kryeministri e kryetari i shtetit deri te femicidi ka një diapazon shumë të gjerë. A ka shoqëria shqiptare diskriminim për gratë? Pa diskutim. Unë nuk them që jetojmë në një shoqëri pa diskriminim. Unë vetë nuk jam ndier ndonjëherë e diskriminuar në karrierën time. Por pa diskutim, më së shumti larg Tiranës, kjo masë e diskriminimit mund të rritet. Megjithatë ne vijmë nga kjo kulturë, ku gruaja punonte: mbante edhe shtëpinë, por kontribuonte edhe me punë. Kjo ka ndihmuar për të pasur një barazi më të madhe.

REXHAJ: A po flet për realitetin në Tiranë, brenda unazës së parë, brenda unazës së dytë, apo jashtë unazës së dytë?

IBRAHIMAJ: Edhe jashtë unazës. Në Shqipëri gratë e vajzat kanë punuar nëpër ara, në bujqësi, njësoj si burrat. Nuk po flas për të drejtat, pa diskutim që aty ka një nivel tjetër. Por nëse gruaja është e fuqizuar ekonomikisht, atëherë edhe të drejtat i ka më të mëdha, pa diskutim, janë të ndërlidhura njëra me tjetrën. Një grua që ekonomikisht nuk është e fuqizuar…

REXHAJ: A ka statistika për gratë dhe vajzat sipërmarrëse?

IBRAHIMAJ: Ka statistika, ne jemi në statistikat evropiane. Do të jetë diku te tridhjetë për qind e sipërmarrjeve që drejtohen nga gra ose kanë pronare gra. Nuk e kam shifrën e saktë tani, por diku aty jemi, në nivelin e statistikave evropiane. Unë jam shumë krenare për gratë dhe vajzat që janë në inovacion, që investojnë në startup-e, që kanë startup-e. Aty statistika është dyzet e dy për qind: te thirrja e fundit që kemi pasur, dyzet e dy për qind e ideve erdhën nga vajzat dhe gratë. Kjo do të thotë që brezi i ri ka ardhur në përmirësim, sepse janë kryesisht të rinj e të reja që futen në atë fushë dhe guxojnë ta hapin një biznes të tyrin. Sigurisht që edhe ne e kemi nxitur me politika nxitëse.

Por pa diskutim, kur dëgjojmë raste si ai para disa javësh në Kosovë, në Maqedoni, janë raste që patjetër të bëjnë të mendosh, të reflektosh. Ne si qeveri, si forcë politike, duhet të bëjmë më shumë në këtë drejtim. Nuk mjafton vetëm të kemi përfaqësim të grave me kuota në politikë, duhet të bëjmë më shumë për fuqizimin ekonomik. Unë mendoj që çelësi i suksesit tonë do të jetë fuqizimi ekonomik në të gjitha fushat, jo vetëm për gratë. Nëse kemi ekonomi më të mirë, atëherë edhe politikisht jemi më të qëndrueshëm, do t’i kalojmë më shpejt fazat e anëtarësimit në BE, do të arrijmë konvergjencën, do të kemi mirëqenie më të mirë për qytetarët. E gjitha reduktohet te zhvillimi ekonomik.

REXHAJ: Kam edhe një pyetje krejt të fundit, e kam nga një mik. Kur i thashë dikujt që po shkoj se kam intervistë me ministren Delina Ibrahimaj, tha: duhet t’i bësh një pyetje, kursimet t’i bëjmë në euro apo në lekë?

IBRAHIMAJ: Unë kam qenë dhe jam gjithmonë pro lekut.

REXHAJ: Ma zgjidh hallin, shkurt. Shpjegoje.

IBRAHIMAJ: Kam qenë gjithmonë pro lekut. Pse? Sepse te leku institucionet publike, politikat që bëjmë ne, mund të ndikojnë. Te euro ne jemi marrës të çmimit dhe marrës të normave të interesit.

REXHAJ: Ku më del mua më mirë t’i ruaj lekët, në valutën tonë apo në euro? Se deri vonë kemi menduar që duhet euro.

IBRAHIMAJ: E para, unë mendoj që gjëja më e mirë që mund të bësh me kursimet është t’i investosh. Në fazën e zhvillimit ku jemi, të mos i lësh në bankë, por të investosh në biznes, të blesh diçka. Në bono thesari, jo në makinë, sigurisht. Ka më shumë interes ajo, se e tillë është dinamika e ekonomisë sot. Por nëse kursimet duhen mbajtur diku, duhen mbajtur në lekë, dhe arsyeja është kjo që po them: ne bëjmë politika për normat e interesit të lekut, ndërkohë që normat e interesit të euros, dhe të depozitave në euro, na vijnë nga BQE-ja dhe nuk ndikohen nga zhvillimet ekonomike në vendin tonë.

REXHAJ: Meqë e përmendëm lekun: lekë të reja, lekë të vjetra. Si zgjidhet ky problem?

IBRAHIMAJ: Shumë problem. Një tjetër problem kulturor.

REXHAJ: Se edhe Kryeministri flet me të vjetra.

IBRAHIMAJ: Jo vetëm Kryeministri, edhe fëmijët e mi, që janë adoleshentë, flasin me lekë të vjetra.

REXHAJ: Ua, nuk dinë të lexojnë?

IBRAHIMAJ: Dinë të lexojnë, por kështu është kultura e përgjithshme. Shkojnë në dyqan, dhe nëse ai i dyqanit nuk merr vesh, atëherë detyrohesh të flasësh me të vjetra. Është problem i madh. Do të zgjidhet kur të hyjmë në eurozonë dhe t’i kemi të gjitha në euro, atëherë s’do të kemi më lekë të reja e të vjetra.

REXHAJ: Faleminderit shumë për bisedën. Të përgëzoj për transparencën, për energjinë dhe për pasionin. Keep it up!

IBRAHIMAJ: Faleminderit!