Supergoli i Muçit dhe rrjeta e Manajt: Kombëtarja vetëm 2-0 kundër Finlandës me 10 lojtarë! Kryeson grupin në Ligën e Kombeve

Supergoli i Muçit dhe rrjeta e Manajt: Kombëtarja vetëm 2-0 kundër Finlandës me 10 lojtarë! Kryeson grupin në Ligën e Kombeve

Hakmarrja shërbehet e nxehtë dhe këtë bëri Kombëtarja. Djemtë kuqezi kanë arritur të marrin një fitore shumë të rëndësishme kundër Finlandës në ndeshjen e pestë të grupit në Ligën e Kombeve. Në Air Albania 90 minutat u volën me rezultatin 2-0. Pak më shumë se 1 muaj pas humbjes 2-1 në Helsinki ku kuqezinjtë e pësuan më së shumti për shkak të një kartoni të kuq.

Në ‘Air Albania’, që ishte mbushur me 21 mijë tifozë, goli i parë do të vinte nga Ernest Muçi. Futbollisti i Shqipërisë realizoi në mënyrë brilante nga një kënd tejet i vështirë, duke shpërthyer entuziazmin e jashtëzakonshëm në Tiranë. Goli nuk mund të konsiderohet më pak se kryevepër.

Për të parë rrjetën e dytë u desh të vinte minuta e 50 kur krosimi i Elseid Hysajt u shfrytëzua nga Rey Manaj, i cili dyfishoi me kokë. Ky gol solli edhe qetësinë në kombëtare, ndërsa pak çaste më pas situata u vështirësua për finlandezët. Për shkak të një ndërhyrje të ashpër ndaj Muçit ata mbetën me 10 lojtarë në minutën e 67.

Deri në fund Shqipëria adiministroi pa vuajtje, duke marrë fitoren e 4 në 5 ndeshje në grup.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Maran u ngjitën në kuotën e 12 pikëve, 2 më shumë se Bjellorusia e vendit të dytë që bëri detyrën duke fituar 0-2 në fushën e San Marinos. Pikërisht Bjellorusia do të jetë edhe kombëtarja që do luftojë deri në fund për vendin e parë me Shqipërinë. Më 15 nëntor do të përballen në Hungari për ndeshjen e fundit të grupit që vulos gjithçka.