Nëse Rama nesër dorëhiqet “qiqrat në hell si do piqen”?!

Nëse Rama nesër dorëhiqet “qiqrat në hell si do piqen”?!

Nga Anri Bala

Edi Rama mund të japë dorëheqjen edhe nesër sepse Kushtetuta nuk i kërkon të presë as një vit e as dy vjet por…

A është legjitime t’i kërkosh dorëheqjen? Po. A mjafton vetëm kërkesa për ta detyruar të ikë? Jo. Vetë kërkesa nuk shkel votën e shumicës, por kërkesa është vetëm dëshirë dhe dëshirat në politik janë pa fund, por mbeten dëshira, deri kur të mundet që ndonjë prej tyre të realizohet dhe “të thënë me të bërë i ndanë një det i tërë”.

Votuesit i kanë dhënë PS-së fuqinë për të qeverisur, por edhe qytetarët ruajnë të drejtën për ta kundërshtuar qeverinë gjatë mandatit dhe kjo është mëse legjitime dhe demokratike. Edhe partitë që humbën zgjedhjet kanë të drejtë të protestojnë, sepse opozitarizmi është kundërshti. Por rezultati i tyre bëhet vendimtar kur pretendojnë se mund të formojnë një qeveri tjetër, që vështirë se mund të ndodhi, kur për çdo qeveri teknike, hibride, shumë partiake… duhen votat në Kuvend.

Nëse Rama dorëhiqet, 83 mandatet me të cilat PS-ja doli nga zgjedhje, nuk i merr do me vete, mbeten aty… në parlament. Kushtetuta parashikon që, kur posti mbetet vakant, Presidenti emëron një kryeministër të ri sipas procedurës së nenit 96-të, por Qeveria e re duhet të marrë miratimin e Kuvendit.

Nëse grupi socialist mbetet i bashkuar, ai mund të mbështesë një kryeministër tjetër socialist. Mund të pranojë edhe një kabinet teknik, nëse vendos politikisht ta bëjë këtë. Fjala teknike nuk krijon vota. Sa ndikim do të ruante personalisht Rama pas largimit do të varej nga raportet brenda PS-së.

Edhe rruga e “mocionit të mosbesimit” është konkrete por e parealizueshme, sepse duhet që PS të humbasi shumicën parlamentare dhe kundërshtarëve mocionist do t’u duheshin të paktën 14 vota të socialistëve. Sipas nenit 105, të paktën 28 deputetë mund ta paraqesin, por duhen 71 për ta miratuar, duke zgjedhur njëkohësisht kryeministrin e ri. Kush propozon një qeveri tjetër duhet të shpjegojë si mendon ta krijojë atë shumicë.

Kërkesa për dorëheqje mund të ketë peshë edhe në fillim të një mandati, nëse mbështetet në fakte që tregojnë një përgjegjësi të rëndë politike. Mosha e mandatit ka më pak rëndësi se arsyeja për të cilën kërkohet largimi. Edhe një protestë e vogël mund të ngrejë një çështje të madhe, dhe larmia e protestuesve mund t’i japë asaj forcë. Por nëse bashkimi mbaron te thirrja «Rama ik» dhe secili përfytyron një zgjidhje të ndryshme për ditën pas dorëheqjes, atëherë premtimi se do të ndryshojë pushteti sipas kësaj aritmetike është utopik.

Arritja e diçkaje për shumatoren e protestuesve do të ishte… të bien dakord për tri gjëra:

1- Cili është problemi konkret?

2-Çfarë vendimesh kërkojnë dhe nga cili institucion?

3- Cili është etaloni që kanë zgjedhur për të matur atë që kanë arritur, nëse e arrijnë?

4-Nëse çështja është një vendim i qeverisë, të kërkojnë shfuqizimin e atij vendimi. Nëse është përgjegjësia për një abuzim të dokumentuar, të kërkojnë publikimin e dokumenteve dhe llogari nga institucioni përkatës. Nëse synimi është largimi i kryeministrit, të thonë çfarë duan të ndryshojë pas largimit dhe si do ta sigurojnë mbështetjen parlamentare për ta bërë këtë ndryshim, kur kanë zero vota, zero parti dhe një tufë hienash që u sillen vërdall duke pritur plagosjen e protestës?

Kur dorëheqja e një njeriu shitet si zëvendësim i një shumice për shqiptarët e thjeshtë është të pjekësh «qiqra në hell», ndaj pyetja për ata që e premtojnë këtë është e thjeshtë:

Nëse Rama nesër dorëhiqet, “qiqrat në hell si do piqen?!

Nëse PS-ja zgjedh pasardhësin me votat e veta, pra një ushtarë të Ramës, a e keni arritur qëllimin? Natyrisht që nuk keni arritur asgjë, por keni rrahur ujë në havan dhe kërkesa juaj është një mish-mash që do ndarë… Ka të bëjë me përgjegjësinë personale të Ramës, me ndryshimin e një politike apo me marrjen e qeverisë?!

Ndaj bëni publike çfarë kërkoni realisht, ligjërisht, përveç ëndrrave, për ta bindur opinioni… ai që i’u ndjek dhe ai që i’u vëzhgon! /Ekskluzive.al