Divorci nuk i ka penguar Arnold Schwarzenegger dhe ish-bashkëshorten e tij, Maria Shriver, të ruajnë një traditë të veçantë familjare. Edhe pse i kanë dhënë fund martesës prej vitesh, të dy vazhdojnë të mblidhen së bashku për të festuar Krishtlindjet, duke vendosur në plan të parë fëmijët e tyre.
Aktori e zbuloi këtë gjatë një interviste për revistën “People”, ku shpjegoi se familja vazhdon të kalojë festat së bashku, sepse fëmijët e tyre e dëshirojnë këtë.
“Pavarësisht nëse je divorcuar apo jo, ne do të kthehemi bashkë”, u shpreh Schwarzenegger, duke treguar se kjo traditë është bërë pjesë e rëndësishme e jetës së tyre familjare.
Aktori dhe ish-bashkëshortja kanë katër fëmijë së bashku: Katherine, Christina, Patrick dhe Christopher. Ata u martuan në vitin 1986, u ndanë në vitin 2011, ndërsa divorci u finalizua zyrtarisht në vitin 2021. Schwarzenegger ka gjithashtu një djalë, Joseph Baena, nga marrëdhënia me ish-punonjësen e shtëpisë, Mildred Patricia Baena.
“Familja është gjithmonë bashkë. Edhe pse jemi të divorcuar, fëmijëve u pëlqen të na shohin bashkë. Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë ta vlerësojmë këtë traditë”, tha aktori.
Schwarzenegger tregoi gjithashtu se disa nga zakonet e Krishtlindjeve i ka trashëguar nga fëmijëria e tij në Austri dhe tashmë po ua përcjell edhe nipërve e mbesave. Ai kujtoi se në shtëpinë e familjes së tij kishte gjithmonë një pemë Krishtlindjesh aq të madhe, sa prekte tavanin.
Sot, festimet zhvillohen në shtëpinë e Maria Shriver, ku familja mblidhet rreth një peme të madhe Krishtlindjesh.
Marrëdhënia e mirë mes ish-çiftit është konfirmuar edhe nga Shriver. Në një intervistë për “People” në vitin 2025, ajo tregoi se vazhdonin të komunikonin, të qeshnin dhe të kalonin kohë së bashku, duke ndarë përvojat që lidhen me fëmijët dhe nipërit e mbesat.
“Qeshim shumë për shkak të fëmijëve tanë, nipërve dhe mbesave tona dhe vetes. Jemi krenarë për faktin që jemi ende në kontakt. Pothuajse 50 vjet”, u shpreh ajo.
Schwarzenegger, i cili së fundmi interpreton rolin e Babagjyshit në komedinë festive “The Man with the Bag”, duket se e ka ruajtur frymën e Krishtlindjeve jo vetëm në ekran, por edhe në jetën e tij familjare.

