Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka zhvilluar një replikë me deputetin e opozitës, Agron Shehaj, gjatë diskutimeve në seancën plenare të Kuvendit, duke e sfiduar publikisht për qëndrimin që do të mbajë në rast se Prokuroria italiane do të kërkojë heqjen e imunitetit të tij parlamentar.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla i kërkoi Shehajt të deklarojë nëse do të votojë pro një kërkese të tillë nga autoritetet italiane.
“Unë të sfidoj dhe të them: kur të vijë kërkesa nga Prokuroria italiane për imunitetin tënd, do ta votosh apo nuk do ta votosh? Ti që u bën be të gjithëve. Do ta votosh kërkesën e Prokurorisë italiane për heqjen e imunitetit tënd apo jo?”, deklaroi Balla.
Gjatë replikës, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së përdori edhe ironi dhe akuza ndaj deputetit të opozitës, duke iu referuar pasurisë së tij dhe shitjes së një vile për 15 milionë euro.
Përtej përplasjes politike, Balla u ndal edhe te diskutimi për politikat e strehimit social, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për çiftet e reja dhe familjet në nevojë.
Ai bëri të ditur objektivin për të vënë në dispozicion 10 mijë banesa gjatë vitit 2027, ndërsa për vitin 2028 synimi është që ky numër të arrijë në 20 mijë banesa.
Balla theksoi se strehimi social duhet të jetë një instrument konkret për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë më shumë nevojë, duke e vendosur mbështetjen për familjet dhe të rinjtë në fokus të politikave publike.
Fjala e plotë:
Kryetar, 2 minuta nga koha jonë shtesë dua t’i përdor për një replikë për 3 deputetët e shkollës së natës, që pasi kanë ikur gjithë ditën, vijnë e përdorin foltoren këtu. Njëri edhe nga vendi si një vend hedhje mbeturinash. Për Agron Shehajn e kam replikën. Agron, nesër është dita botërore e VC-ve, e ka shpallur OKB-ja. Edhe fjalët e tua do t’i përdor nesër, por një gjë po ta them, një gjë po ta them: i fundit, dita botërore e VC-ve, kontrolloni, është e shpallur 20 nëntori, është i shpallur nga OKB-ja dita botërore e VC-ve. Dhe, dhe do t’i përdor nesër fjalët tua. Dhe ty po ta them një gjë: unë të sfidoj dhe të them, kur të vijë, kur të vijë kërkesa nga prokuroria italiane për imunitetin tënd, do ta votosh apo nuk do ta votosh?
Ti që i bën ben të gjithëve. Se, meqenëse jemi mbledhur sot të flasim për strehimin social, strehimin social, në fakt ne. Shuma që do të jetë në total të gjithë kësaj ende nuk është sqaruar. Po ti, nëse je aq dashamirës për atë djalin që ty të dhemb shpirti, një cifël të vogël nga 15 milionë eurot, nga 15 milionë eurot e apartamentit tënd, se ti je gjeni, ti je i paimagjinueshëm, ti je i vetmi që e merr një, një vilë, 3 milionë dhe për 3 vjet e shet 15 milionë.
Ti je i paparë, ti je, ti je magjistar. Nuk ka si ti, Agron, ti je i paparë. Vetëm ti e bën këtë. 15 milionë një vilë. Kështu që ti një hajdut, ti je një hajdut, që fundi i një hajduti si puna jote dihet. Unë kaq po të them. Ti do ta votosh kërkesën nga prokuroria italiane për heqjen e imunitetit tënd, kaq po të them unë sot. Do ta votosh apo jo? E voton apo nuk e voton?
Tani qetësohemi, kalojmë tek strehimi social. Strehimi social nuk është për, nuk është për ata 3. Por strehimi social është për deputetë njerëzish, populli, të cilët vijnë në Kuvend për të votuar ligje në funksion të njerëzve të cilët i sjellin deputetët këtu, jo magjistarët. Tani, zonja e zotërinj, kemi sot një situatë që çiftet e reja përballen me çmime të larta të banesave dhe të qirave. Kemi familje në nevojë që kërkojnë mbështetje. Duan nga ne ligjvënësit të miratojmë ligje që u vijnë atyre në mbështetje për të siguruar kushte dinjitoze jetese. Sot, affordable housing, pra banesa me çmime të pranueshme, është debati më i madh që zhvillohet në Europë. Një prej çështjeve kryesore përse në Spanjë njerëzit janë në rrugë është debati për, për shtëpitë, për apartamentet. Dhe kjo, dhe ky debat duhet të zhvillohet edhe në Shqipëri.
Sot kjo ditë në Kuvend duhet të kishte marrë pikërisht vëmendje. Dhe ne do ta vazhdojmë këtë debat. Ne Partia Socialiste e Shqipërisë duam që këtë debat ta vazhdojmë në çdo cep të Shqipërisë, në çdo qytet të Shqipërisë. Ne po e fillojmë me 10 mijë banesa për vitin 2027. E dimë shumë mirë që 10 mijë banesa nuk janë të mjaftueshme. Dhe ju ftojmë edhe ju që të vini me propozime se si mund t’i bëjmë, se si mund të përdorim fondet më mirë. Por një gjë ua them, jua them me plot bindje, të dashur kolegë. Kjo pjesë e sallës këtu që ka një eksperiencë. Jemi kundërshtarë, por nuk e fsheh dot që brenda jush këtu ka shumë kolegë që kanë eksperiencë. Tani, 3% e strehimit social që kishim shumë vite që e administronim, tani duhet ta vëmë në punë. Unë kam sjellë një amendament. Kam thënë që 3% e strehimit social ta përdorim edhe për banesat që, që nevojiten për familjet që u shemb, që u shpitu shembën nga tërmeti. Bashkia Tiranë është rasti unik që paratë janë, po për shkak të këtyre 2 viteve të mungesës së kryetarit, është krijuar një fond goxha i madh që mund të vihet në dispozicion. Ja pra që ka dhe një çështje tjetër që ju kam parë e dëgjuar duke thënë shpesh herë: kullat, pse po bëhen kullat? Ore, ata që i bëjnë kullat t’i dalin për zot edhe parave, edhe gjithçka tjetër.
Mua më duhet ai 3% dhe plus ajo 8% tjetër, dhe 3% ta marr për strehimin social, pjesën tjetër këtu në Tiranë ta marr për nevojat që janë për rrugë, për kanalizime, për gjithçka tjetër. Dhe prandaj, dhe prandaj kjo është diçka e mirë. Për mua si socialist kjo është politikë reale socialiste, sepse marrim nga ata që kanë më shumë dhe ua japim atyre që kanë më shumë nevojë. Prandaj programi që kemi përpara parashikon 6 gjëra kryesore. E para, banesa sociale me qira. E dyta, banesa me kosto të ulët të mbështetura me kredi të subvencionuara. E treta, përmirësim i banesave ekzistuese për grupet vulnerabël. E katërta, ndërhyrjet infrastrukturore në zonat informale. E pesta, banesa e përkohshme për familjet e prekura nga fatkeqësitë natyrore. Dhe e gjashta, banesat e përshtatura për personat me aftësi të kufizuara. Po, zonja e zotërinj, kolegë deputetë, ne duhet të fillojmë të planifikojmë dhe të ndërtojmë dhe të japim banesa të dedikuara me akses të posaçëm dhe me gjithçka tjetër familjeve të cilët kanë persona me aftësi të kufizuara. Dikush do të thotë: po vonë jeni kujtuar, po më mirë vonë sesa kurrë. Kjo gjë duhet bërë. Një element tjetër është i rëndësishëm për t’u kuptuar nga të gjithë edhe formula e propozuar, ku 30% është strehim social, 40% është strehim i përballueshëm dhe 30% banesa në shitje në tregun e lirë. Pra, do të operohet duke blerë banesa në tregun e lirë për t’ua dhënë me qira.
Sa do jetë qiraja? Një pyetje që shtrohet. Ministrja De, ministra, ministrja Ibrahimaj na tha sot që qiraja do të jetë diku tek 190 euro. Një, një për këto me qira, se është dhe ajo pjesa tjetër, 190 euro mendoj që është, flas, po flas këtu për Tiranën, është e përballueshme. Por edhe këtu pastaj ka hapësirë për diskutim edhe me ju dhe me të gjithë në këtë debat të madh me Shqipërinë, edhe për çështjen e banesave për t’u parë. Në projektin e vitit 2027 janë parashikuar në, janë parashikuar plot 12 miliardë lekë për mbështetjen e familjeve, investimet në këtë sektor. Dhe po i rimarr dhe njëherë shifrat që ju dhashë në këtë minutë të fundit. Në programin e ri kombëtar të strehimit që shkon përtej financimit të drejtpërdrejtë buxhetor, vetëm në 2027-ën, 4 mijë çifte të reja do mbështeten për sigurimin e banesës përmes kredisë së lehtësuar.
Nga këto 2 mijë kredi parashikohen me interes zero për banesa në vlerën deri në 60 mijë euro, ndërsa 2 mijë kredi të tjera me interes 3% për banesa mbi këtë vlerë, sipas kritereve që do të përcaktohen me aktet që do të nxjerri Këshilli i Ministrave. Po ashtu parashikohen dhe 3 mijë familje të tjera përmes subvencionimit 50% të qirasë, brenda kufijve të përcaktuar nga programi. Pra, siç ju thashë, totali i të gjitha banesave që synohen të vihen në dispozicion familjeve që kanë nevojë për banesë gjatë vitit 2027 do të shkojë diku tek 10 mijë, dhe ky është një fillim i mbarë, por besoj që biem të gjithë dakord që duhet të bëjmë më shumë. Ata 3 mijë të reja për të cilët përbetohen të gjithë ata që as nuk ua dinë. Përdorin për të mbushur Facebook-un dhe TikTok-un e gonës, dua t’ju them që ne Partia Socialiste këtë çështje e kemi një prej atyre angazhimeve kryesore, e kemi pasur në programin tonë Shqipëria 2030, dhe duam që nëse në 2027-ën janë 10 mijë, në 2028-ën të synojmë të shkojmë në 20 mijë. Ky duhet të jetë objektivi ynë kryesor për të, për të, për t’iu përmbajtur atij programi 4-vjeçar në 30 mijë apartamente, siç e kemi thënë ditën që shqiptarët lidhën besën me ne në 11 maj 2025. Faleminderit.

