Gjykata e Durrësit ka liruar dy protestuesit e arrestuar pas incidentit me eskortën e kryeministrit Edi Rama, ndaj së cilës u hodhën vezë dhe sende të forta të shtunën në Manëz.
Madje, njëri nga të ndaluarit, përsëritës, tha se “kur gjykata vendos arrest të paligjshëm për protestuesit ky duhet të jetë një mesazh i qartë për Policinë e Shtetit që të mos arrestojë më protestuesit në mënyrë të paligjshme”!
Mirëpo aktivisti i gëzuar duhet të mësojë një gjë… Nuk ka shpëtuar! Arrestimi i paligjshëm nuk e amniston veprën penale të kryer, pra shkelësi do të jetë subjekt i hetimit dhe i gjykimit sipas nenit 237 të Kodit të Procedurës Penale…
Problemi qëndron diku tjetër. Gjyqtarët kanë filluar një lojë të rrezikshme me kërcënimet që i bëhen Edi Ramës. Vezë, tulla e hunj në seli dhe në Kryeministri, molotov kur është në zyrë dhe, në fund, kulmi: qëllohet me vezë përpara eskortës dhe makinës së tij. Kështu thuhet, por askush nuk e di me siguri se me çfarë është qëlluar.
Ky fenomen të krijon përshtypjen se gjyqtarët shqiptarë kanë hapur një poligon qitjeje përballë eskortës së Ramës, duke injoruar ligjin dhe duke inkurajuar molotovarët që të vazhdojnë të qetë punën e tyre, sepse nuk do të ndalohen kurrë. Sot në Shqipëri nuk flitet më për gjykim, por për “shkërdhim” të drejtësisë.
Ndoshta ende nuk e kanë menduar se, me gjithë ato padrejtësi që bën një pjesë e madhe e tyre, shumë shpejt mund të bëhen vetë objekt i këtyre sulmeve. Atëherë as Zoti s’i mbron dot, jo më shteti, që peshoren e drejtësisë ia ka dhënë… ajkës së poshtërsisë.
Një shtet që nuk arrin ta mbrojë kryeministrin e tij nga aktet e dhunës, si mund të mbrojë një gjyqtar apo një prokuror që shoqërohet me eskortë? Aq më tepër kur kolegët e tyre, gjyqtarët sharlatanë, në shkelje flagrante të Kodit Penal, kanë kurajën e jashtëzakonshme ta bëjnë fajtore policinë për ndalimin e protestuesve… sepse ata njerëz aty po i hidhnin tufa me trëndafila zotit Rama, për t’i uruar mirëseardhjen në Asamblenë e Lalëzit.
Por a e imagjinoni se çfarë do të ndodhte sikur drejtuesi i SPAK-ut, Braho, apo kryetari i GJKKO-së, Bani, të sulmoheshin nga disa protestues? Do të bëhej nami, sepse do të ishte një krizë serioze e besimit te shteti i së drejtës, jo thjesht një incident policor.
KLP-ja, KLGJ-ja dhe opozita do të pretendonin se kishin arsye të forta për të kërkuar llogari institucionale. Goditja me vezë në xhamin e përparmë të mjetit pengon shikimin e drejtuesit dhe rrezikon jetën e funksionarit, prandaj do të klasifikohej si goditje për shkak të detyrës…
KLP-ja do të reagonte dhe do ta dënonte publikisht sulmin. Do të kërkonte garanci për sigurinë dhe pavarësinë e prokurorit, informacion për mënyrën se si ishte trajtuar çështja dhe hetim, nëse kishte shenja intimidimi ndaj prokurorit.
Nëse viktima do të ishte një gjyqtar, KLGJ-ja do të kërkonte që të mbrohej pavarësia e gjyqësorit dhe që shteti të ndalonte çdo përpjekje për të frikësuar ose penguar një gjyqtar në ushtrimin e detyrës.
Ndërsa Berisha, i cili i intimidon dhe i kërcënon çdo ditë, do të vinte kujën… Do të kërkonte interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm dhe ministrin e Drejtësisë, seancë dëgjimore në Kuvend, hetim parlamentar për veprimet e policisë dhe përgjegjësitë institucionale, transparencë për arsyet e lirimit të personave të arrestuar dhe përgjegjësi politike nga Rama, sepse policia dhe institucionet kishin toleruar dhunën.
Kjo histori ka një fund dhe një krim nga ata që duhet të dënojnë krimin.
Siç duket, aktivistët po stërviten nën trajtimin e bordellogjykatave për të marrë nishan me precizion herën e tretë me molotov dhe të katërtën… pse jo, me granatë. Atëherë, natyrisht, do të ndalohen, por pasi të ketë rënë qeveria dhe gjyqtarët të kenë marrë medalje nga Sali Berisha, Arlind Qorri, klani i Abdylaqimëve të MV-së dhe ai i Çallmaxhive të Albin Kurtit… “Për shërbim të veçantë ndaj atdheut”. /Ekskluzive.al

