Binaj akuzon Spiropalin për presion ndaj administratës: Janë kërcënuar edhe inspektorët

Binaj akuzon Spiropalin për presion ndaj administratës: Janë kërcënuar edhe inspektorët

Nga Rajmonda Basha

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, ka reaguar publikisht pas, siç e cilëson ai, një sulmi mediatik nga deputetja Elisa Spiropali.

Në deklaratën e tij, Binaj ngre akuza për presion të paligjshëm ndaj administratës tatimore nga Spiropali dhe bashkëshorti i saj, lidhur me kontrollet e ushtruara ndaj bizneseve familjare.

Binaj deklaron se që prej marrjes së detyrës, më 23 shtator 2024, nuk e ka takuar personalisht Belinda Ballukun, përveç rasteve të takimeve publike në kuadër të funksionit të tij.

Sipas kreut të Tatimeve, administrata ka kryer kontrolle në sektorin e ndërtimit, bazuar në planet strategjike dhe operacionale, analizën e riskut dhe denoncimet e qytetarëve. Ai thotë se kontrollet kanë përfshirë edhe subjekte që lidhen me deputeten Spiropali.

Binaj pretendon se rezultatet e kontrolleve nuk janë pritur mirë nga deputetja dhe bashkëshorti i saj, duke shtuar se inspektorët tatimorë dhe familjarët e tyre janë kërcënuar. Sipas tij, për këto raste ka fakte të verifikueshme dhe denoncime pranë organeve ligjzbatuese.

Drejtori i Tatimeve bën të ditur se kontrollet kanë evidentuar dyshime për evazion tatimor në përmasa të mëdha. Për këtë arsye, sipas tij, dosjet po referohen pranë organeve ligjzbatuese për veprime të mëtejshme.

Në deklaratën publike, Binaj i kërkon Spiropalit të mos e përmendë më emrin e tij, duke theksuar se është një nëpunës shteti që nuk merret me politikë dhe se nuk do të lejojë cenimin e dinjitetit të tij dhe të familjes.

Ai i kujton gjithashtu deputetes, e cila ka mbajtur më herët postin e drejtores së Doganave, se presioni dhe intimidimi i administratës publike përbëjnë shkelje të rënda etike dhe ligjore.