Sekretari për Emigracionin dhe Diasporën në Partinë Demokratike, Ethem Aga, ka shpjeguar në emisionin “Terminal” në A2 CNN se ka rëndësi edhe përkatësia partiake e kryeministrit që do ta çojë Shqipërinë në Bashkimin Europian.
“Ne duam që në BE të na çojë një demokrat”, deklaroi Aga.
I pyetur nga gazetarja nëse e kishte fjalën për një demokrat në parime apo një demokrat nga Partia Demokratike, Aga dha edhe shpjegimin e tij mbi demokracinë:
“Nga PD dhe në parim, se demokratët që janë në PD janë demokratë në parime”.
Sipas këtij përkufizimi, vetë anëtarësia në Partinë Demokratike duket se përbën një garanci për bindjet demokratike të individit.
Interesant është fakti se ky argument vjen nga një përfaqësues i një partie që vetëm pak muaj më parë zhvilloi zgjedhjet për kryetarin me një kandidat të vetëm, Sali Berishën, pasi strukturat e saj skualifikuan të gjithë rivalët e tij.
Aga nuk e përmendi drejtpërdrejt emrin e Berishës, por, duke pasur parasysh mënyrën se si zhvillohet gara për drejtimin e PD-së, nuk është se la shumë hapësirë për të hamendësuar se cilin demokrat kishte ndër mend.
Mbetet për t’u kuptuar nëse standardi i demokracisë që Aga kërkon për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të zbatohet edhe gjatë zgjedhjeve për kryetarin e partisë së tij.

