Një agjent i Imigracionit dhe Doganave qëlloi dhe plagosi një burrë në lagjen Marble Hill të Bronx në Nju Jork. Ai u transportua në spital me lëndime që nuk u konsideruan kërcënuese për jetën. Sipas kryetarit të bashkisë Zohran Mamdani, djali pesëvjeçar i viktimës ishte gjithashtu në makinë me të atin, por nuk u lëndua.
Policia e qytetit tha se nuk ishte e përfshirë në të shtëna, ndërsa Departamenti i Sigurisë Kombëtare raportoi se burri, një emigrant nga Republika Dominikane, kishte një dënim të mëparshëm për grabitje dhe disa arrestime për sulm, grabitje dhe posedim droge dhe armësh.
Rrethanat që çuan në të shtënat nga oficerët nuk janë sqaruar ende dhe incidenti është nën hetim, ndërkohë që protesta të dhunshme shpërthyen në rrugë.
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Mamdani e quajti incidentin “të papranueshëm dhe situatë jashtëzakonisht serioze” dhe tha se kishte kontaktuar me presidentin Donald Trump për t’i kërkuar atij të ndalonte operacionet e ICE në Neë York.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, dhe udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, bënë gjithashtu thirrje për transparencë të plotë dhe një hetim të pavarur. Schumer bëri thirrje gjithashtu për publikimin e menjëhershëm të pamjeve filmike të kamerave të trupit të mbajtura nga oficerët.
Incidenti shkaktoi zemërim midis disa politikanëve të Nju Jorkut, të cilët u mblodhën në vendngjarje për të dënuar incidentin dhe për të bërë thirrje për pezullimin e operacioneve federale të zbatimit të ligjit për imigracionin.

