Nga Melania Mazzucco
Ata notojnë ose përpëliten në ujë, duke synuar shpëtimin. Janë pamjet e të rinjve që largohen nga Maroku.
Përballë imazheve që shfaqen njëra pas tjetrës në ekranin e telefonit dhe të televizorit, kësaj radhe nuk pyes veten se çfarë po ndodh, por çfarë po shoh në të vërtetë. Paqartësia e fotografive dhe videove më shtyn të reflektoj mbi marrëdhënien mes dukjes dhe thelbit. Nga moria e këtyre imazheve, që prekin ndjeshmërinë dhe arsyen time, zgjedh tri.
E para: një mori formash sferike që lundrojnë mbi ujë – një det i errët, me dallgë dhe i turbullt. Duken si mbetje të një mbytjeje anijeje, të marra nga rryma, por në fakt lëvizin të gjitha në të njëjtin drejtim. Dhe nuk janë objekte, por koka – të mijëra njerëzve. Ata notojnë ose përpëliten. Krahasimi me një anijembytje nuk është i pabazë. Të gjithë synojnë të njëjtin breg: shpëtimin.
Pamja e dytë tregon një gardh shumë të lartë, ndoshta të elektrifikuar, të ndërprerë nga kulla vrojtimi. Ai ndjek kreshtën e kodrës mbi një brez rëre, por zgjatet deri në det. Është versioni bashkëkohor i gardheve të ndryshkur, shtylla e fundit e të cilëve, e gërryer nga kripa, lëkundet mes dallgëve në ishujt grekë për të penguar dhitë të dalin nga kullota. Gardhi në këto fotografi është qartësisht një kufi – si muret në Izrael apo në kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës. Të tjerë të tillë gjenden në pyjet e Lituanisë, Hungarisë dhe Polonisë. Ajo rrjetë hekuri është limes-i ynë, kufiri ynë i vërtetë: përtej tij mbaron Europa.
Qindra njerëz përpiqen ta kapërcejnë ose ta shmangin, duke kaluar mes gurëve të molove.
Pamja e tretë tregon turma djemsh rreth të njëzetave që ecin në rrugët e përvëluara nga dielli të një qyteti fantazmë. Në gjithçka – veshje, modele flokësh, këpucë, mënyrë ecjeje – ngjajnë me të rinjtë e periferive të metropoleve tona. Disa kthehen nga kamera dhe bëjnë me gishtat shenjën e fitores. Të tjerë buzëqeshin dhe kryqëzojnë krahët para fytyrës në një gjest që nuk di ta deshifroj. Tallje? Po thonë vallë: “Ejani, na vini prangat dhe na arrestoni të gjithëve”?
Çfarë po shoh, pra? Eksodin biblik të një populli, që kujton udhëtimin epik të anijes shqiptare Vlora në vitin 1991? Një sulm paqësor ndaj një kufiri, përtej të cilit shumëkush beson se fillon lumturia? Apo marshimin sfidues të grupeve të të rinjve që na sfidojnë t’u heqim lirinë e sapofituar – me forcë, siç është fituar gjithmonë çdo liri?
Pak prej nesh kanë qenë ndonjëherë në Ceuta, ose do ta gjenin atë në hartë. Ky enklavë spanjolle, mbetje e një epoke koloniale të përfunduar, është një trekëndësh i vogël afrikan, i ndarë nga kontinenti europian nga Ngushtica strategjike e Gjibraltarit. Është një vend real, por edhe mitik: aty ku ndodhen Shtyllat e Herkulit. Përreth është Maroku. Qytetet më të afërta, Tetuani dhe Tangjeri, ndodhen rreth 40 dhe mbi 70 kilometra larg.
Gjashtëdhjetë mijë njerëzit që hynë dje në Ceuta duhet të kenë mbërritur atje ditët e mëparshme. Të tërhequr nga një fyelltar magjik? Të thirrur? Të organizuar? Kush ua këndoi këngën e sirenave? Është e frikshme të mendosh se dikush – kush, pyes veten, më shumë sesa pse – mund të vendosë kaq lehtë mbi jetët e gjashtëdhjetë mijë njerëzve. Disa prej tyre (57 në momentin që po shkruaj) nuk ia dolën. U mbytën gjatë kalimit. Të gjithë të rinj ose shumë të rinj.
Rinia është pasuria e vendeve afrikane dhe thesari i atyre që nuk kanë asgjë tjetër veç trupit të tyre, të zhveshur, por të mbushur me një energji të papërmbajtshme dhe me forcën e jetës. Megjithatë, pikërisht kjo rini shndërrohet në fatkeqësi. Në çdo kohë dhe nën çdo regjim, të rinjtë kanë qenë mbi të gjitha mish për top – të manipuluar, të përdorur dhe të sakrifikuar në mekanizma që as mund t’i imagjinonin.
Po shoh një gardh njëkohësisht të mjerë dhe të pakalueshëm. Një det armiqësor, që është njëherazi rrugë dhe varr. Një dallgë njerëzish të dëshpëruar dhe sfidues, të gatshëm të humbin gjithçka dhe të marrin gjithçka, sepse besojnë se nuk kanë më asgjë.
Shoh rojet kufitare dhe ushtarët, shoh Mesdheun. Nuk shoh banorët spanjollë, arabë dhe afrikanë të Ceutës. Më kujtohen grafitet që kam parë mbi gurët e Dura Europos, në Mesopotami – posti i fundit i kufirit lindor të Perandorisë Romake – të gdhendura 1.770 vjet më parë. Latinë, grekë, hebrenj, aramej, palmirenë, kaldeas: të gjithë të mbledhur brenda mureve të asaj fortesë në brigjet e Eufratit, ku kishin jetuar së bashku për shekuj, duke pritur pushtimin e “të tjerëve”.
Shoh të vdekurit mbi rërë. Shoh, si një përjashtim të rrallë, një vajzë që del nga deti me rrobat e lagura dhe me hixhab në kokë. Një vajzë tjetër – e veshur sipas mënyrës perëndimore – e ndihmon të ngjitet në shpat. Nuk e di nëse po shoh një imazh të një të ardhmeje ende të mundshme, apo një skenë të ndërtuar për t’iu kundërvënë racizmit të një pjese të opinionit publik europian.
Shoh gjestin e prangave dhe e di se, në sytë e atyre djemve, unë konsiderohem gjithsesi një rojtare burgu. Dhe pyes veten se kush prej nesh, në këtë vit 2026, ndodhet pas murit ose brenda tij, dhe kush mund ta quajë veten vërtet të lirë./La Repubblica

