Klevis Balliu duket se e ka zgjidhur nga Amerika një çështje për të cilën vetë Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka njoftuar ende ndonjë ndryshim. Deputeti demokrat i quajti “budallenj” ata që vazhdojnë të thonë se Sali Berisha është “non grata”, duke argumentuar se fakti që kreu i PD-së ndodhet në SHBA dhe takon kongresmenë e senatorë mjafton për të provuar të kundërtën.
“Po të jesh non grata nuk vjen në SHBA dhe takon kongresmenë dhe senatorë. Konkrete është kjo. Nuk ka non grata”, deklaroi Balliu në një lidhje nga SHBA për emisionin “Off the Record” në A2CNN.
Vetëm se deri tani pjesa “konkrete” e vizitës së Berishës që është parë publikisht ka qenë disi ndryshe. Pamjet dhe raportimet nga New Jersey tregojnë një takim me komunitetin shqiptar në SHBA, jo ndonjë tryezë me senatorë e kongresmenë amerikanë. Vetë aktiviteti ishte paralajmëruar si “Takim me shqiptarët e Amerikës”, ndërsa në sallë u shfaqën kryesisht militantë të PD-së në SHBA.
Por kjo nuk është hera e parë gjatë kësaj vizite që Balliu duket se ka akses në një realitet më optimist se ai që sheh publiku. Për takimin në New Jersey u tha se salla fillestare ishte ndryshuar për shkak të interesit të madh dhe nevojës për një ambient më të madh. Megjithatë, pamjet e publikuara më pas jo vetëm nuk dhanë përshtypjen e një salle të tejmbushur, por në fakt ajo ishte thuajse bosh.
Tani Balliu ka shkuar një hap më tej: nga një sallë që “nuk i nxinte” njerëzit, te senatorë e kongresmenë imagjinarë që supozohet se kanë pritur Berishën.Çuditërisht, ndërsa diplomatët amerikanë dhe perëndimorë refuzojnë prej vitesh t’i shkelin në zyrë, sipas Balliut në Amerikë Berishën e presin senatorë e kongresmenë me dyer të hapura. Vetëm se këto takime kanë një veçori të vogël: deri tani nuk ka dalë asnjë emër, asnjë fotografi dhe asnjë njoftim që t’i dokumentojë.
Derisa të dalin emrat, fotografitë apo njoftimet përkatëse, e gjitha mbetet një situatë kurioze: Balliu i quan “budallenj” ata që kërkojnë prova, ndërsa prova kryesore që ofron vetë është diçka askush nuk e sheh veç tij.

