Vetëm një ditë pasi nga protesta qytetare pa flamuj partiak kundër klasës së vjetër politike, u artikulua për herë të parë në emër të Shqipërisë së Re, nevoja për krijimin e një force politike që mund t’i ofrohej si alternativë vendit, Sali Berisha shfaqi ndikimin e tij. Këtë radhë, jo i fshehur dhe as për së largu me deklarata publike, kinse e mbështet kauzën e tyre, por me infiltrime nga ana e PD për t’i përçarë e për të tentuar ndarjen e tyre.
Pasi doli publikisht në mbështetje të protestës, me ëndrrën për ta shfrytëzuar dhe për tu futur në qeveri teknike, në ditën e nëntë të protestë në Tiranë kundër investimit të familjes Trump në Zvërnec, Berisha zgjodhi të vrasë zërin qytetar që bërtiste pakënaqësitë ndaj të njëjtëve aktorë që dominojnë prej dekadash skenën politike në vend.
Ai arriti që t’iu mbyllë fjalimet qytetarëve duke i kontrolluar përmes gazetarit të emisionit Piranja, pranë televizionit të familjes së tij Syri Tv. Pas disa fjalimeve të pakta në numër, gazetari i Syri Tv u ngjit në podium me thirrjen poshtë mikrofoni.
LEXO EDHE:
Pas 5 orëve, protesta përmbyllet në sheshin ‘Skënderbej’
“Unë jam këtu sot për të thënë që jam kundër këtij mikrofoni”, tha gazetari i Piranjas, ndërsa një pjesë e turmës brohoriti “fike mikrofonin”.
Të tjerët, shumica qytetare, ishin në udhëkryq, se përse skenari po ndryshonte. Në fakt, dilema nisi sapo protesta nxori në skenë edhe aktivistin Andi Tepelena, i cili dirigjoi mbylljen e fjalimeve. Që në fillim të protestës Tepelena deklaroi se ndryshe nga herët e tjera, kur fjalimet kanë zgjatur gati nga 4 orë, sot do të mbaheshin më pak fjalime nga personalitete të shkencës, arsimit dhe kulturës, të cilat dukshëm ishin më të shkurtra se zakonisht.
“Sot s’do të mbahen fjalime të gjata. Kanë ardhur ankesa të panumërta, sa më pak fjalime, slogane dhe parulla: dorëheqje! Pas 5 fjalimeve shumë të shkurtra, sheshi është i qytetarëve!”, tha Andi Tepelena.
Ndryshe nga tubimet e tjera, për herë të parë, podiumi ishte hequr, bashkë me korridorin metalik ku qytetarët tërhiqnin numra radhe për të mbajtur fjalë. Pranë disa bokseve para kryeministrisë, pa një skenë, mikrofonin e mori aktivisti Tepelena, i cili shpjegoi përse kjo protestë nuk do të kishte më fjalime si më parë: “na kanë dërguar shumë mesazhe dhe fjalimet ngjajnë me mitingje politike, kështu që sdo bëjmë shumë fjalime.”
Mes personave që ai zgjodhi vetë e i prezantoi një më një para se të merrnin fjalën, Andi Tepelena shfaqi të parën si artiste të njohur, Dojna Memën, e cila në fakt është bashkëmoderatore e “Piranjave” në televizionin e Berishës.
Aktivisti që mori në dorë menaxhimin e atyre pak fjalimeve të përzgjedhura, ftoi qytetarët disa herë në marshime nëpër rrugët e Tiranës. Xhiro të cilat Berisha i ka provuar, dhe ende se ka mbërritur dot kilometrin e fundit.
Provokimet, Berisha i nisi që nisje të tubimit, kur çoi të tijët në shesh, mes turmës. Përplasjet verbale nisën sapo të rinj të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, u vetëidentifikuan mes qytetarëve, duke shfaqur shqetësim ndaj korit të turmës, që veç Ramës, përmend edhe emrin e liderit të tyre, “Berisha në burg”. Qytetarët kërkuan largimin e tyre, kur thirrën një zëri: opozitë e shitur, PD jashtë, opozita jemi ne.
Anëtarja e FRPD, Desada Xhetani pretendoi se u provokuan nga aktivistët e Arlind Qorit, i cili ishte po ashtu ishte në protestë.
“Të rinjtë e FRPD-së u provokuan nga aktivistët e Arlind Qorrit, të cilët erdhën aty me megafona duke na etiketuar: Këta janë të rinjtë e FRPD-së dhe të largohen nga këtu”, tha Desada Xhetani.
Qëndresa me fjalime para kryeministrisë zgjati më pak, ndërsa marshimi, u mbyll sërish poshtë godinës qeveritare.

