Faqja e parë e një dorëshkrimi të trashë që ndihmoi në ngadalësimin e një plumbi dhe shpëtoi jetën e Theodore Roosevelt gjatë një atentati në vitin 1912 është zbuluar nga një historian presidencial në Pensilvani.
E nënshkruar nga presidenti i 26-të, i cili në atë kohë po kërkonte një mandat tjetër në Shtëpinë e Bardhë pasi ishte larguar nga detyra gati katër vite më parë, dokumenti i Rooseveltit u gjet në zotërimin e një koleksionisti privat dhe nuk ishte parë për më shumë se një shekull.
Ai ishte pjesë e një fjalimi të gjatë, të cilin Roosevelt e kishte palosur më dysh dhe e kishte vendosur në xhepin e gjoksit gjatë një aktiviteti elektoral në Milëaukee, Wisconsin, më 14 tetor të atij viti. Dokumenti ka dy vrima nga plumbi që e përshkoi para se të godiste kutinë metalike të syzeve të tij.
LEXO EDHE:
Sulmet në Ngushticën e Hormuzit, Irani thirrje SHBA-ve: Mos u tërhiqni sërish drejt kënetës! Operacioni Liria është pa rrugëdalje
I plagosur, por jo për vdekje, Roosevelti i tha turmës se ishte qëlluar dhe më pas vazhdoi të mbante fjalimin. Pasi përfundoi, ai u ul i rraskapitur dhe tha: “Në rregull, jam gati për mjekun”, sipas historianit Nathan Raab.
“A mund ta imagjinoni që kjo të ndodhte sot?” tha Raab. “Jo. Presidenti do të largohej menjëherë, dhe me të drejtë. Por, në atë rast, nuk jam i sigurt nëse menduan: ‘Ndoshta ka një person të dytë’, apo thjesht: ‘Në rregull, e kapëm autorin.’”
Raab tha se di vetëm për ekzistencën e dy faqeve të tjera nga ai fjalim që kanë mbijetuar, por beson se kjo është më e rëndësishme për dy arsye.
Ajo është faqja hyrëse e dorëshkrimit dhe e vetmja që dihet se ka shkrimin e dorës së Rooseveltit. Shënimi thotë: “Kjo është një nga faqet e dorëshkrimit përmes së cilës kaloi plumbi në Milwaukee. TR.”
Dorëshkrimi shfaqet në një fotografi të vitit 1912, të ruajtur nga Biblioteka e Kongresit, ku mbahet nga Elbert Martin, stenografi dhe truprojë e përkohshme e Rooseveltit, i cili neutralizoi atentatorin dhe e pengoi të qëllonte sërish.
Në atë imazh historik bardh e zi, si dhe në një foto nga afër të publikuar nga Raab Collection, vrimat e plumbit janë shumë të dukshme.
Raab beson se Roosevelt e shkroi shënimin në faqe menjëherë pas atentatit dhe ia dha një miku, i cili vite më vonë ia kaloi një familjeje në New York, “në koleksionin e së cilës ka qëndruar për rreth 75 vjet”.
Sipas Raab, dokumenti ishte qartësisht “shumë personal dhe i rëndësishëm për vetë Rooseveltin, një lloj materiali që rrallë del në treg”.
Ai shtoi: “Sa herë që sheh diçka që askush tjetër nuk e ka parë më parë, diçka kaq të rëndësishme, është shumë emocionuese. Është një kujtesë se gjëra të rëndësishme ende presin të zbulohen.”
Roosevelt, republikan që mori presidencën në vitin 1901 pas vrasjes së Ëilliam McKinley, fitoi zgjedhjet e vitit 1904, por nuk kandidoi për rizgjedhje katër vite më vonë.
Ai kandidoi si kandidat i një partie të tretë në vitin 1912. Por si ai, ashtu edhe presidenti republikan në detyrë, William Taft, u mundën nga demokrati Woodrow Wilson, më pak se një muaj pasi Roosevelt u qëllua në Milwaukee.
Roosevelt vdiq në janar 1919 në moshën 60-vjeçare, me plumbin e qëlluar nga John Schrank, një pronar gjermano-amerikan lokali, ende në gjoksin e tij.
Raab ka zbuluar më parë disa artefakte presidenciale që besohej se ishin humbur ose shkatërruar, përfshirë letra të rralla nga George Washington dhe Thomas Jefferson. Ai tha se fjalimi i Rooseveltit nga dita e atentatit është veçanërisht prekës.
“Fjalimi përfundimtar ndryshon nga ai i përgatituri sepse ai sapo ishte qëlluar,” tha ai.
“Ai flet gjatë për motivet e personit që e qëlloi, për dhunën politike, diçka shumë e rëndësishme edhe sot, në një botë ku dhuna politike është shpesh në lajme dhe dënohet nga të gjitha palët. Është një kujtesë se vendi ynë ka kaluar kohë të vështira me dhunë politike edhe më parë – dhe kjo histori, fatmirësisht, përfundoi mire”, përmbyll historiani.

